BallinaPertejInceneratori i Fierit ndërtohet pa leje mjedisore, banorët çojnë çështjen në gjykatë

Inceneratori i Fierit ndërtohet pa leje mjedisore, banorët çojnë çështjen në gjykatë

ANDI BORA

U parashikua të ishte Mbrostari, fshati ku do të ndërtohej landfilli së bashku me inceneratorin, por pas shumë protestave që banorët e këtij fshati ndërmorën në nëntor të vitit 2016, projekti u anulua.

E megjithatë jo gjithçka kishte përfunduar.

Në vitin 2017 punimet nisën në fshatin Vërri rreth 7 kilometra larg qytetit të Fierit.

Por në një deklaratë në media në 2017-ën, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, u bëri thirrje banorëve që të mos bien pre e provokimeve dhe manipulimeve politike pasi sipas tij kishin marrë garancinë e kryeministrit që pa pëlqimin e tyre inceneratori nuk do të ndërtohej.

“Atje nuk kemi, sot që flasim, as leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, as Leje Mjedisore nga Ministria e Mjedisit, ashtu sikurse edhe bashkia, brenda kompetenca të veta i ka dërguar një shkresë zyrtare firmës konkrete ku i kërkon që të mos kryhet asnjë metër kub punime pa marrë më parë lejen përkatëse nga organet kompetente”, u shpreh Subashi për Ora News.

Të njëjtin premtim Subashi e ka bërë edhe në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Ky premtim u thye.

Banorëve u ishte premtuar dëgjesë publike, por një e tillë nuk u zhvillua pasi sipas tyre ndërkohë që kërkohej të zhvillohej dëgjesa, në vendin ku sot po ndërtohet inceneratori ishin vendosur makineritë për fillimin e punës.

“Fillimisht janë vënë njoftime në qendër të fshatit, në shtyllat e tensionit, nga firma që do të kishte një dëgjesë publike kur ndërkohë ne mësuam që tek vendi ku sot po ndërtohet ishin vënë mjete të rënda për punime dhe njëkohësisht po montohej edhe një tabelë e cila thoshte se do të ndërtohej ky objekt. Atje ndërtohej dhe këtej donin të bënin dëgjesë publike.”, u shpreh për Faktoje,  Kleant Ngolemi, banor i zonës.

Punimet deri në fazën e tanishme janë kryer nëpërmjet një leje ndërtimi të dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, e cila mban firmën e kryeministrit Edi Rama.

‘’Faktoje’’ vërtetoi që landfilli është pa Leje Mjedisore, pa Vlerësim të Ndikimit Mjedisor paraprak dhe pa Deklaratë Mjedisore. Kjo u konfirmua zyrtarisht edhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet një përgjigjeje me e-mail.

Një problem tjetër që është konstatuar edhe nga vetë banorët është fakti që në Hartë Vendim, koordinatat e inceneratorit të çojnë në një sipërfaqe tjetër toke e cila është rreth 4.5 kilometra nga vendi aktual ku po ndërtohet inceneratori.

Të dhënat e mësipërme janë në Sistemin Koordinativ UTM, prandaj ne i konvertuam në koordinata gjeografike dhe pozicioni që shfaqet është si në foto:

Vendndodhja e inceneratorit është shumë pranë shtëpive të banorëve. Tashmë ata e kanë çuar çështjen në gjykatë ku kanë ngritur pretendimet e tyre.

“Kërkesat në gjykatë janë studimi i tokës, që është tokë bujqësore dhe nuk mund të ndërtosh mbi të një incenerator, një djegës dhe njëkohësisht nga ana gjeologjike toka është ish-kënetë dhe ujërat janë shumë në sipërfaqe”, shprehet Ngolemi.

Pavarësisht se inceneratori po vazhdon të ndërtohet edhe pa patur leje mjedisore apo pa marrë aprovimin e banorëve, këta të fundit shprehen se ata do të vazhdojnë betejën e tyre, ndërkohë që seanca gjyqësore e radhës është në datë 26 shkurt 2019.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img