MERXHAN DACI
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte mbrëmjen e 16 tetorit i ftuar në studion televizive të gazetarit Lutfi Dervishi në TVSH ku mes të tjerave u pyet edhe për shpenzimet e TEC-it të Vlorës. “Faktoje” ka publikuar së fundmi një shkrim të thelluar për këtë TEC.
Pyetjes së Dervishit se si ka mundësi që për vitin 2016 dhe 2017 janë shpenzuar gjithsej mbi 17 milionë euro, ministri iu përgjigj se nuk ishte e vërtetë duke thënë se “në mos gaboj në total kostoja vjetore e mirëmbajtjes është diku tek 1,7 milionë dollarë”.
Pjesë nga biseda në studio:
Dervishi: TEC- i i Vlorës, nuk e kam përdorur fjalën “idiot” në televizion…
Gjiknuri: Fjala më e mirë është, investimi më idioteskt i bërë, pra të blesh një gjenerator nafte në shtëpi kur ke linja elektrike. Më gjej një rast.
Dervishi: Në 2017-ën 7,5 milionë euro për mirëmbajtje, në 2016 janë harxhuar 10 milionë euro për mirëmbajtje.
Gjiknuri: Jo, nuk janë 10 milionë euro. Kostoja e TEC-it të Vlorës në vit me gjithë ripagesat është tek në mos gaboj 1,7 milonë dollarë. Po është kosto.
Dervishi: Pse duhet t’i harxhojmë?
Gjiknuri: Po çfarë do bësh, do e konservosh, do e mirëmbash, do e administrosh.
Dervishi: Pse na duhet?
Gjiknuri: Ne si qeveri do të hapim shumë shpejt një tender ndërkombëtar për ta dhënë me koncension, me gaz gjithmonë. Të shohim si do dalë modeli ekonomik.
Shifrat dhe sqarimi i tyre
Pak ditë më parë “Faktoje” në lajmin e publikuar për shpenzimet vjetore të TEC-it Vlorë nxorri dokumente publike që tregojnë sa para publike çdo vit shpenzohen për këtë vepër energjitike që “fle”.
Numri i personelit te TEC-it sipas strukturës është plot 62 punonjës të cilët paguhen çdo muaj për mirëmbajtjen edhe pse ky projekt energjitik nuk prodhon asgjë.
KESH sh.a që menaxhon TEC-in e Vlorës i dha “Faktoje” të dhëna që tregojnë kostot e mëdha vjetore të kësaj vepre “në gjumë”.
Sipas të dhënave të siguruara, në vitin 2016 shpenzimet totale ishin 1,259,224,825 lekë ose afro 10 milionë euro.
Në 2017-ën TEC-i i Vlorës pati përsëri shumë shpenzime, plot 910,776,643 lekë ose 7,2 milionë euro.
Shumica e shpenzimeve janë për materiale të para të konsumueshme, shpenzime personeli, shpenzime zhvlerësimi e amortizimi dhe shpenzime interesash neto.
Ndoshta kur ministri Gjiknuri foli për 1,7 milionë dollarë në total ka pasur parasysh vetëm shpenzimet administrative apo për personelin, teksa shpenzimet e tjera janë disa herë më të mëdha dhe ai nuk i përmendi.
Shpenzimet e personelit për vitin 2017 ishin 72,972,949 lekë, ndarë kjo për 62 punonjës për 12 muajt e vitit rezulton se rroga mesatare në muaj për person në TEC-in që nuk ka prodhuar asgjë që nga inagurimi është 98,000 lekë.
Edhe një herë tjetër, për efekt transparence, “Faktoje” po bën publik dokumentin zyrtar me vulë që KESH na vuri në dispozicion kur e pyetëm për shpenzimet e TEC-it Vlorë.
Duke u nisur nga deklarata e ministrit Gjiknuri se shpenzimet vjetore të TEC-it Vlorë nuk shkojnë në disa miliona euro por vetëm 1,7 milionë dollarë dhe duke parë e llogaritur të dhënat nga dokumenti publik i KESH, “Faktoje” e konsideron këtë deklaratë të Gjiknurit si GËNJESHTËR.