Pretendimi: Makineritë e votimit në ShBA janë të manipuluara për Kamala Harris

Verdikti: Mungon konteksti

Zgjedhjet presidenciale në ShBA po ndiqen me interes për shkak të garës së fortë mes dy kandidatëve, por edhe pritshmërive për ndryshime në rast të rrotacionit politik.

Tashmë që votimi paraprak ka nisur në disa shtete kanë nisur të shfaqen në rrjetet sociale video që pretendojnë se dëshmojnë manipulimet zgjedhore. Një video që po qarkullon edhe nga përdoruesit shqiptarë të Facebook, ka në përmbajtje pamjet e një makine elektronike votimi, e cila regjistron një votë për zv.presidenten Kamala Harris, ndërkohë që votuesi zgjidhte në ekran rivalin e saj, Donald Trump.

Videoja është shpërndarë në rrjete sociale dhe më pas disa portale e kanë bërë lajm duke e publikuar në faqet e tyre, pavarësisht se me njëfarë dyshimi mbi vërtetësinë e saj. Nëpër artkujt totalisht të njëjtë thuhet shumë shkurt pretendimi, ndërkohë që në titull shprehet si fakt që janë manipuluar zgjedhjet.

Sipas verifikimeve të mëtejshme, kjo video është regjistruar në Laurel County, Kentucky, ku një makinë votimi regjistroi gabimisht votën për Kamala Harris.

Rasti është identifikuar si një gabim përdoruesi dhe jo si mashtrim. Sipas Tony Brown, zyrtarit të komitetit të votimit në Laurel County, votuesit duhet të shtypin në mes të kutisë për të bërë zgjedhjen e duhur. Makina u hoq nga shërbimi derisa prokuroria të kryente hetimin, dhe më pas rinisi përdorimin.

“Meqenëse kjo po shpërndahet nëpër ShBA dhe në botë, dua t’u shpjegoj të gjithëve se bëhet fjalë për një pajisje për shënimin e fletëve të votimit. Ju futni fletën tuaj të votimit të bardhë dhe përzgjidhni kandidatin. Pasi ta merrni përsëri fletën tuaj të votimit nga pajisja, mund të rishikoni përsëri zgjedhjen tuaj përpara se ta vendosni në skaner. Nëse keni bërë një gabim, mund ta prishni atë fletë votimi dhe të merrni një tjetër”, deklaroi zyrtari Brown.  

Zyrtarët kanë theksuar se incidenti ishte i izoluar dhe se nuk kishte pasur ankesa të tjera për makinën.

Pavarësisht këtij reagimi të zyrtarëve ku shpjegojnë defektin teknik, video qarkullon ende në rrjet duke krijuar një vorbull paqartësisht dhe dyshimesh në këto ditë ku pritet të dalin rezultatet përfundimtare. Akuza të tilla për manipulime të zgjedhjeve mund të përsërisin incidentet e dhunshme të regjistruara në ndërtesën e Kongresit Amerikan në 6 janarin e vitit 2021. Nën rrezikun e protestave të ngjashme tre shtete, Washington, Nevada dhe Oregon, kanë kërkuar që Garda Kombëtare të jetë në gatishmëri pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.