Gjetjet kyçe:

  • Narrativat kundër politikave të BE-së janë të përhapura në Europë, dhe varësisht nga rajonet dhe shtetet, vërehen edhe tipologjitë e tyre
  • Statistikat e databazës Elections24Check ku kontribuojnë me të dhëna 44 organizata fact-checking europiane, tregojnë se politikat e BE-së janë një temë e preferuar për të gjeneruar lajme dezinformuese 
  • Ndërhyrja e Rusisë në rajon, veçanërisht në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka ndikuar në përhapjen e narrativave anti-BE, edhe në Shqipëri
  • Dezinformimi rezulton një mjet i përdorur nga aktorë dashakeqë për të minuar proceset zgjedhore dhe dobësuar besimin në institucionet demokratike
  • Edhe pse publiku në Shqipëri mbështet në shumicë integrimin në BE-në, ai mbetet i ekspozuar dhe potencialisht i ndikuar nga ky lloj dezinformimi

Jona Plumbi

Sa të përhapura janë narrativat kundër politikave të BE-së

Narrativat kundër politikave të BE-së në Evropë janë mjaft të përhapura, por ndryshojnë ndjeshëm sipas rajonit, vendit dhe madje edhe brenda vendeve. Europa perëndimore në vende si Franca apo Gjermania apo Europa jugore në vende si italia dhe Greqia kanë parë një rritje të shtuar të euroskepticizmit gjatë viteve të fundit, ku partitë e djathta kanë fituar terren ndjeshëm, gjë që u vërtetua edhe nga zgjedhjet e fundit në parlamentin europian. Kjo valë, edhe pse më e moderuar, ka prekur edhe rajonin e Ballkanit.

Statistikat e rrjetit europian të verifikuesve të fakteve japin shifra konkrete për këtë fenomen.

Nga 2390 artikuj ne total, 336 jane per politikat që lidhen me Bashkimin Europian, duke e renditur temen e 4-t me te përdorur për lajme te rreme.

Nëse kërkimi fokusohet tek rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi) temat që lidhen me politikat e BE-së renditen mes 5 temave me të shënjestruara nga lajmet e rreme. Nga 222 artikuj në total, 27 ose 12% e totalit lidhen pikërisht me politikat e BE-së.

Si vërehet edhe në statistikat e mësipërme, pjesa më e madhe e informacioneve të fabrikuara dhe më pas të përgënjeshtruara nga rrjeti europian i verifikuesve të fakteve EFCSN i përkasin kategorisë “pjesërisht të pavërteta”, gjë që fakton përdorimin e ngjarjeve apo personave të vërtetë për të përçuar një mesazh apo informacion të tjetërsuar.

Kjo është gjetur edhe në raportin e fundit të CheckFirst, të krijuar rreth fushatës dezinformuese të pagëzuar “Operacioni Overload”.

Ky operacion konsistonte në një fushatë të madhe dezinformuese dhe të sofistikuar që synon të mbingarkojë verifikuesit e fakteve si dhe organizatat mediatike globalisht duke i referuar atyre informacione të rreme për verifikim, dhe duke përfituar njëkohësisht përhapje më të gjerë të tyre.

Politika dhe ngjarjet e BE-së ishin gjerësisht nën shënjestër të lajmeve të rreme të krijuara dhe më pas të shpërndara në kuadër të kësaj fushate.

“Historitë kryesisht përqendrohen rreth ngjarjeve në BE, gjë që shërben si një tjetër dëshmi se BE dhe audienca perëndimore janë objektivat e fushatës” – shpjegon raporti.

Raporti gjeti se narrative e dytë më e përhapur synonte pikërisht ngjarje kryesore publike të ndodhura në vende të Bashkimit Europian gjatë vitit 2024 duke synuar diskretitimin e vendeve dhe politikave të caktuara.

Në informacionet që Faktoje ka verifikuar gjatë muajve të fundit vërehen disa tema kryesore rreth të cilave është keqinformuar duke përdorur politikat e Bashkimit Europian si:

Mbrojtja

Politika

Zgjedhjet dhe vendimet në Parlamentin Europian

Faktorët që ndikojnë në përhapjen e narrativave kundër politikave të BE-së

Edhe pse Shqipëria konsiderohet një nga vendet me popullsinë më pro-europiane në rajon, depërtimi i narrativave që shkojnë kundër politikave të BE-së është një fenomen në rritje. Tre janë arsyet kryesore të kësaj vale në rritje.

Lufta në Ukrainë

E para dhe më e përhapura nga të tjerat është lufta në Ukrainë dhe përhapja e qëllimshme e dezinformatave që vijnë nga Rusia dhe përmes Serbisë hyjnë në “tregun” e Ballkanit Perëndimor.

Studiuesi Geron Kamberi thotë për Faktoje se në rastin e qëndrimit ndaj Rusisë duhet theksuar se nuk ka patur një qëndrim unik edhe nga vetë vendet anëtare ku përfshihet Hungaria, Sllovakia, Rumania dhe mungesa e koherencës ka nxitur përhapjen e narrative që shpesh kanë gjetur mbështetjete tek deklaratat apo qëndrimet e vetë lidërvve të shteteve të caktuar të BE si psh kryeministri hungarez Orban.

“Përsa i përket raportit të Serbisë me Rusinë ai është në kuadër të marrëdhënieve strategjike dypalëshe që Serbia i ka deklaruar hapur por nga ana tjetër Serbia nuk është përfshirë zyrtarisht në narrativat anti – BE duke qenë se për Serbinë BE është e vetmja mundësi përballë faktit se tashmë ka një qasje tjetër.”

Arjan Dyrmishi, hulumtues i politikave europiane thekson se fakti që Rusia e sheh Ballkanin Perëndimor si mundësi për të minuar apo dobësuar BE-në dhe NATO-n duke kapitalizuar mbi dobësite e vendeve të rajonit sjell si pasojë edhe përhapjen e këtyre dezinformatave.

“Veprimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor kanë për qëllim ngrirjen e status quo-së aktuale, që në rastet e Bosnjes dhe Herzegovinës dhe Kosovës presupozon ruajtjen e ndarjeve të brendshme që ekzistojnë në këto vende ndërsa në rastin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veritu të thellojë ndarjet etnike. Të marra së bashku këto ndërhyrje synojnë parandalimin e zgjerimit të NATO dhe BE, si dhe krijmin dhe thellimin e mosmarrveshjeve ndërmjet vendeve të rajonit.”

Marrëdhëniet rajonale

Në rastin e Shqipërisë rol luan edhe marrëdhënia Kosovë – Serbi. Akuzat që kjo e fundit i drejton shpesh herë perëndimit sjell për rrjedhojë përhapjen e narrativave anti BE në vend. Faktoje ka analizuar dhe përgënjeshtruar disa prej këtyre narrativave.

Një tjetër burim për përhapjen e narrativave anti-politika të BE-së është dhe zgjatja në kohë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, thekson Geron Kamberi.

Në disa raste si psh këmbëngulja e BE për krijimin e Assosacionit të Komunave Serbe në  Kosovë apo vendosja e sanksioneve të përkohshme karshi Kosovës nga ana e BE  për zgjedhjet që u zhvilluan në veri kanë krijuar reagim të popullsive shqiptare ndaj politikave të BE.” – vijon Kamberi.

Pavarësisht ksaj, shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri vijojnë ta shohin BE-në si të vetmen rrugë, gjë që tregon se dezinformimi mbi politikat e BE-së nuk ndikon në perceptimin e përgjithshëm të tyre.

Ndryshe ka ndodhur me vede të tjera të rajonit, thekson Arjan Dyrmishi.

Serbia, Bosnja- Herzegovina dhe Mali i Zi kanë qënë në shënjestër të propagandës Ruse e cila ka arritur të shënojë rezultate që shihen dhe në mbështetjen më të ulët që opinioni publik në këto vende ka për BE dhe për NATO.” – shpjegon ai.

Disa nga narrativat e përdrorura në hapsirën komunikuese janë “Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i paqëndrueshëm dhe ka një potencial të lartë për konflikt”, “BE është hegjemoniste”, “BE dhe NATO janë të dobëta dhe iu mungon uniteti” – përfundon Dyrmishi.

“Gazetaria e rrjeteve sociale” dhe teoritë konspirative

Një tjetër faktor ndikues në përhapjen e shpejtë dhe eksponenciale të dezinformimeve mbi politiakt e BE-së është ndërthurja “toksike” mes keqpërdorimit të rrjeteve sociale si burim kryesor i shpërndarjes së informacioneve të rreme dhe mediave online që funksionojnë me metodën “copy-paste”.

Geron Kamberi thekson se mediat sociale janë shndërruar sot në “mediat në hije” të opinionit publik, jo vetëm në Shqipëri por kudo në Europë e botë.

Tashmë mjaft tema me rëndësi për opinionin sic janë ato që lidheshin me pandeminë Covid, ndryshimet klimatike apo të tjera shpesh njerëzit nuk priren ti marrin më përmes mediave tradicionanle, sic janë gazetat e përdishme apo TV informative apo edhe faqet web të BE, por përmes asaj që është përkufizuar “gazetaria e rrjeteve sociale” ku info të ndryshme shpëndahen e qarkullojnë mes njerëzve me një shpejtësi të jashtëzakonshme.” – thekson ai.

Pikërisht kjo prirje e njerëzve për të mësuar më shumë përtej informacionit zyrtar ka çuar në shtimin e urinë për këtë kureshtje nga rrjetet sociale dhe portalet e shumta e kane shtuar dhe kjo prirje po behet gjithmonë dhe më e dukshme.

Sipas Arjan Dyrmishit, rritja e aksesit në informacion nga publiku përmes përdorimit të hapësirës virtuale i ka dhënë një mundësi të madhe vendeve autoritare për të përdorur fuqinë e mjeteve të reja teknologjike për të sulmuar institucionet dhe debatin qytetar në vendet demokratike.

“Kryesisht që pas krizës financiare të vitit 2008 dhe stanjacionit ekonomik të prodhuar nga kjo krizë dhe më pas nga Covid 19, rritjes së presionit nga migracioni si dhe polarizimit politik në rritje kanë sjellë një erozion të besimit publik në institucionet demokratike dhe rritur ndjeshmërinë ndaj cështjeve të caktuara. Cështje të tilla të cilat lehtësisht prekin opinionin publik janë zgjedhja e preferuar në taktikat e perdorura nga Rusia për të thelluar ndarjet në opinionin publik dhe sulmuar indirekt institucionet që promovojne cesthtjet të caktuara.” – shpjegon Dyrmishi.

Ndërhyrja në procese demokratike

Qëllimi strategjik i Rusisë në raport me perëndimin është të minojë besimin e publikut tek proceset demokratike dhe për të realizuar këtë qëllim ka përdorur në mënyrë sistematike ndërhyrjet në procese, si rasti i fundit i zgjedhjeve në Parlamentin Europian. – shpjegon studiuesi Arjan Dyrmishi.

“Lajmet e rreme kanë qënë vetëm një nga mjetet e përdoruara, të kombunuara me kooptimin e politikanëve të cilët janë në linjë me Rusinë për ceshtje të ndryshme, frikësimin duke ju referuar në mënyrë të shtuar përdorimit të armëve bërthamore, apo dhe subversionit përmes mbështetjes për faktorët poltike radikalë që vënë në dyshim tërësinë e sistemit dhe vlerave perëndimore.” – shpjegon ai.

Koha kur u zhvilluan zgjedhjet në Parlamentin Europian ofruan një “mundësi të artë” për përhapjen e dezinformimit me qëllime malinje sipas Geron Kamberit.

“Zgjedhjet në Parlamentin Europian që u zhvilluan nga 6-9 Qershor ishin në qendër të debatit politik dhe për shkak të situatës post Covid, luftës në Ukrainë , inflacionit që ajo krijoi në shumë vende të BE , ftesa për ti dhënë vendin kandidat Ukrainës dhe për të hapur tregiun e BE për produktet e shumta bujqësore ukrainase si  edhe debatit mbi cështjet e e emigracionit .Këto krijuan një shtrat pjellor për shumë narrativa ku u mbollën narrativat e partive të djathta populiste që u  pasqyruan  në rezultatin përfundimtar.”

Përfundim

Përdorimi i dezinformimit si mjet për të minuar procese demokratike apo për të ngjallur ndasi mes popujve, me qëllimin përfundimtar dobësimin e Bashkimit Europian apo NATO-s është tashmë i faktuar nga raporte të shumta të institucioneve dhe shoqërisë civile të vendeve Europiane dhe atyre në Ballkan.

Edhe pse publiku shqiptar është larg të qënit euroskeptik, ai nuk ka mbetur i paprekur nga narrativat kundër politikave të BE-së duke përqafuar një qasje më realiste ndaj unionit, vlerson Geron Kamberi.

Shumica e publikut shqiptar ka ruajtur një mbështetje të qëndrueshme për BE e politikat e saj dhe e sheh si një nga mundësitë e vetme duke i besuar asaj që njihet tashmë si “fuqia e butë” apo “fuqia transformuese e saj. Euroskeptizmi në Shqipëri nuk është një rrymë mbisunduese në ligjërimin publik, por ndërkohë në Shqipëri po kalohet nga europtimizmi në eurorealizëm.” – shpjegon ai.

Ndikimi nga dezinformimi, për Arjan Dyrmishin, ndikohet edhe nga disa faktorë të tjerë.

Publiku shqiptar është njesoj i ndikueshëm si vendet e tjera, por mendoj se ka dhe faktorë shtesë sic janë mosmarrëveshja në rritje për të dalluar faktet nga interpretimet dhe bërja gjithnjë e më e mjegullt ndërmjet opinionit dhe fakteve. Kjo për shkak edhe të rënies së besimit në institucione që më parë shihheshin nga publiku si burime të besueshme të informacionit të bazuara në fakte.” – përfundon ai.

*Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues të mbi 40 organizatave të udhëhequra nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve për të luftuar dezinformimin rreth Zgjedhjeve Evropiane 2024. Mund të mësoni më shumë në elections24.efcsn.com.