Prej nisjes së pandemisë Covid-19, shtete të ndryshme e qortuan unionin për bllokimin që i bëri vendeve jo anëtare për furnizim me pajisje mjekësore. “Egoistë të pasur” i quajti edhe kryeministri i Shqipërisë vendet e BE-së, duke shpallur Kinën, Rusinë dhe Turqinë si “shpëtimtarët e Ballkanit Perëndimor gjatë pandemisë”. Edhe pse deklarata synon marrjen e një vëmendjeje të shtuar të unionit ndaj Ballkanit Perëndimor, ekspertët shpjegojnë për Faktoje se pasojat mund të krijojnë efekt “bumerang” për Shqipërinë.

Jona Plumbi

Kur njoftoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi në 15 Mars 2020 pas shpërthimit të pandemisë Covid-19, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e quajti solidaritetin europian si inekzistent dhe tha se “shpresat e tij vareshin nga Kina dhe presidenti i saj”. Sot, për herë të parë në histori, pjesa më e madhe e qytetarëve në Serbi – 44% e popullsisë – u shprehën kundër integrimit në Bashkimin Europian.

Dy vjet pas pandemisë Covid-19, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zgjodhi të vijojë pikërisht këtë “refren” në disa forume europiane ndërkombëtare si ai Alpbach në Austri dhe Forumi i Paqes në Francë.

Në fillim të pandemisë ne e pamë Bashkimin Europian të sillej si një Federatë vendesh të pasura egoiste, që të përballur me frikën nga vdekja, u larguan ndaj përgjegjësisë për të ndarë ato që kishin në duar, vaksinat! Për një kohë të gjatë, ne dëgjuam refrenin se ju duhet të punoni me Ballkanin Perëndimor, sepse përndryshe Kina, Rusia dhe Turqia do “vënë dorë” mbi rajonin. Por çfarë ndodhi? Pa Kinën, Rusinë dhe Turqinë ne nuk do kishim mundur t’i mbijetonim valës së parë të pandemisë, pasi vaksinat nuk po vinin nga Bashkimi Europian, ato po vinin nga këto tre shtete.” – tha Rama në Forumin e Paqes në Francë, mbajtur në Nëntor 2022.

Pas një kërkimi të thelluar nga Faktoje, rezulton se i vetmi bllokim që Bashkimi Europian i bëri Ballkanit Perëndimor ishte ndalimi nga muaji Mars deri në Prill 2022 i furnizimit me pajisje mbrojtëse apo medikamente për përballimin e Covid-19. Sa i përket procesit të vaksinimit – që ndryshe nga sa thotë kryeministri Rama nuk nisi gjatë valës së parë të koronavirusit, por pothuajse një vit më pas – rezulton se pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mori vaksinat e para nga shtetet perëndimore (Shtetet e Bashkuara, Britania, Suedia, Italia, Bashkimi Europian) dhe jo nga Kina, Rusia apo Turqia.

Disa fakte mbi vaksinimin e Ballkanit Perëndimor

Vala e parë e Covid-19 dhe vaksinat

Vala e parë e pandemisë Covid-19 konsiderohet mes datave 15 Mars dhe 30 Qershor 2020. Gjatë kësaj periudhe asnjë vaksinë nuk ishte krijuar ende, ndaj gjatë valës së parë të Covid-19, asnjë shtet nuk kishte nisur vaksinimin. Shteti i parë që e nisi këtë proces ishte Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli, në Dhjetor 2020, kur pandemia kishte sjellë një valë të dytë infektimesh në botë.

Sa shpenzoi BE-ja për Ballkanin Perëndimor

3.3 miliardë euro mobilizoi Bashkimi Europian për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në përballimin e Covid-19 në Prill 2020. Unioni dha gjithashtu grante në vlerën e 70 milionë eurove për vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të mund të blinin vaksina nga vendet anëtare apo nga instrumenti i shpërndarjes së vaksinave i quajtur COVAX, si dhe 7 milionë euro të tjera për të ndihmuar rajonin në përgatitjen për fushatat e vaksinimit. Shpërndarja e vaksinave nga COVAX nisi në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në muajin Mars 2021. Në Tetor 2020, Komisioni propozoi edhe një plan investimesh prej 9 miliardë eurosh në ndihmë të rimëkëmbjes afatgjatë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në total, mbi 12 miliardë euro shpenzoi Bashkimi Europian për përballimin e pandemisë në Ballkanin Perëndimor.

Njëkohësisht, Komisioni Europian ndihmoi në mbledhjen e thuajse 16 miliardë eurove, nga Maji 2020, pjesë e Paketës Globale të Përgjigjes ndaj Koronavirusit, nisma globale për akses universal ndaj testeve, trajtimeve dhe vaksinave kundër koronavirusit.

Nga erdhën vaksinat

Faktoje kërkoi informacion pranë Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me numrin e vaksinave të ardhura në Shqipëri sipas vendit të origjinës. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk morëm ende një përgjigje.

Pavarësisht kësaj, deri në Shtator 2022, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë (me përgjigjen e dërguar në atë kohë) na informuan se në Shqipëri kanë mbërritur 1.078.310 vaksina Pfizer dhe Astra Zeneca nga BE dhe shtetet anëtare dhe rreth 1 milion doza vaksinash nga Turqia.

Ndërkohë në shtator 2021, Ministria e Shëndetësisë njoftonte rreth 1 milion doza vaksina Sinocac dhe Coronavac,  60,000 doza Sputnik nga Rusia dhe 50,000 doza Covishield nga India.

Si nisi fushata e vaksinimit

E para mes vendeve të rajonit që nisi fushatën e vaksinimit ishte Serbiae treta në Europë që niste këtë proces pas Britanisë dhe Zvicrës – pasi në 22 Dhjetor 2020 mori 4,875 doza nga Pfizer dhe BioNTech. Asokohe, Sekretari i shtetit pranë Ministrisë së Shëndetësisë serbe, Mirsad Djerlek njoftoi se priteshin edhe 20-21 mijë vaksina të tjera nga Pfizer dhe BioNTech, ndërkohë që kryeministrja Brnabic dhe presidenti Vuçiç ishin në bisedime intensive të vazhdueshme me Rusinë dhe Kinën për vaksinat e tyre. Vaksinat e para Ruse mbërritën në Beograd në 6 Janar 2021, ndërsa ato Kineze mbërritën në 16 Janar 2021.

Shqipëria, i mori dozat e para të vaksinës nga një vend i Bashkimit Europian, përmes të cilave nisi vaksinimin e mjekëve dhe punonjësve të rendit. Në 1 shkurt 2021, qeveria njoftoi ardhjen e vaksinave nga kontrata me Pfizer. Vaksinat e para ruse erdhën në 22 Mars 2021.

Maqedonia i mori vaksinat e para në Shkurt 2021, si dhuratë nga Serbia, e cila ishte furnizuar nga Pfizer/BioNTech. Në 7 Mars mbërritën në Maqedoni edhe 3,000 doza të tjera vaksinash, të blera drejtpërdrejt nga Rusia. Vaksinat e para të COVAX, 24,000 doza, mbërritën në Shkup në 28 Mars të 2021.

Mali i Zi ishte vendi që nisi më vonë nga të gjithë shtetet e Ballkanit fushatën e vaksinimit në popullsi. Në 18 shkurt 2021 Serbia i dha Malit të Zi 2,000 doza të vaksinës Sputnik V dhe në 25 Shkurt 2021 vendi mori edhe 5,000 doza të tjera të vaksinës Sputnik V, që erdhën nga Rusia. Në 3 Mars 2021 Kina i dhuroi këtij shteti 30,000 doza vaksinash Sinopharm, dhurim pas të cilit Mali i Zi nisi fushatën e vaksinimit në popullsi. Në fund të Marsit, Ministria e Shëndetësisë Malazeze njoftoi marrjen e 24,000 dozave AstraZeneca, të mundësuara nga COVAX.

Bosnje Hercegovina vaksinoi punonjësit e shëndetësisë në 12 Shkurt 2021, me vaksinën ruse, Sputnik V, pasi Serbia i dhuroi 2,000 doza Republikës Srpska. Vendi mori edhe 23,400 doza të vaksinave Pfizer/BioNTech nga Shtetet e Bashkuara në 25 Mars 2021.

Kosova nuk i miratoi asnjëherë vaksinat e prodhuara në Kinë, apo atë të prodhuar në Rusi, Sputnik V. Të vetmet vaksina të miratuara për përdorim në Kosovë janë Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca. Njëkohësisht, Kosova ishte një nga 92 vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të cilat morën vaksina falas nga COVAX. Ajo e nisi fushatën e vaksinimit falë vaksinave të marra nga Bashkimi Europian.

Si përfundim, të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor që u furnizuan për herë të parë me vaksina nga Kina, Rusia dhe Turqia, janë Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia, përmes Serbisë.

Arsyet dhe pasojat e mundshme

Qëllimi i kësaj deklarate, jo e para në llojin e saj, është njëfarë trysnie ndaj Bashkimit Europian për të mbështetur më shumë dhe më shpejt Shqipërinë në integrimin e saj. Mbi të gjitha ajo synon të paraqesë rrezikun e një tundimi për t’i hapur udhë ndikimit të vendeve si Kina, Rusia apo Turqia në Shqipëri” – shpjegon për Faktoje, studiuesi Ermal Hasimja.

Kjo mbështetet edhe nga eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Altin Gjeta i cili identifikon në deklaratën e kryeministrit edhe një tjetër qëllim. “Me këto deklarata kryeministri Rama synon të ndërtojë një narrativë sipas së cilës është Bashkimi Europian ai që ka dështuar në procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Kështu barra e përgjegjësisë së qeverisë shqiptare për ngecjen në rrguën e integrimit, kalohet mbi supet e BE-së.” – tha Gjeta për Faktoje.

Kjo është strategji e pastër, dhe Bashkimi Europian është i ndërgjegjshëm për këtë, sipas ekspertëve të cilët njohin edhe rrezikun që ajo mbart. “Mund të krijojë edhe efektin bumerang, pra njëfarë ftohjeje apo reagimi refuzues ndaj një qëndrimi që duket si sfidues. Në kushtet kur dihet qëndrimi i qytetarëve shqiptarë ndaj BE-së dhe vendeve në fjalë është e qartë se bëhet fjalë për një qëndrim kritik e sfidues të qeverisë dhe jo të publikut të gjerë.” – thekson Ermal Hasimja. E nëse sipas tij, Europa e ka shumë të qartë mbështetjen që opinion publik i bën integrimit, Altin Gjeta sheh rrezikun që deklarata të tilla të “ushqejnë” mungesë besimi ndaj Unionit.

Perceptimi i qytetarëve

Bazuar mbi raportin e fundit të Barometrit Ballkanik, sondazh i kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal – instrument i Këshillit të Europës për integrimin e Europës Juglindore – rezulton se perceptimi i qytetarëve shqiptarë mbi vendet që dhanë ndihma në periudhën e pandemisë nuk përputhet me atë të kryeministrit Rama.

Sipas të dhënave, thuajse gjysma e shqiptarëve (46%) mendojnë se ishte Bashkimi Europian ai që ndihmoi më shumë ekonominë e vendit gjatë pandemisë, përmes dhurimeve financiare apo mjekësore. Mes Kinës, Rusisë dhe Turqisë, vetëm kjo e fundit është perceptuar nga shqiptarët (34%) si vend që e ka ndihmuar Shqipërinë gjatë koronavirusit.

Ky perceptim mbi Turqinë, sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare Altin Gjeta, vjen edhe falë marrëdhënies personale mes kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan, si dhe ndihmave financiare të Turqisë pas tërmetit 2019.

Kjo, së bashku me ndihmat që Turqia dha gjatë pandemisë për Shqipërinë, kanë forcuar edhe më tej rolin e Ankarasë në vendimarrjen politike në Shqipëri”, shpjegon Gjata.

Sa i përket dy shteteve që morën vaksinat e para nga Kina dhe Rusia përmes Serbisë – Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina – në perceptimin e qytetarëve ndihmat kanë ardhur nga vende të tjera të Ballkanit edhe pse njohin Bashkimin Europian si kontribuuesin më të madh. Serbia është i vetmi vend në rajon, popullsia e të cilit percepton Kinën (40%) si vendi që e ndihmoi më shumë gjatë pandemisë, që pasohet nga Rusia (21%) dhe më pas Bashkimi Europian (23%).

Rezultati i anketës së Barometrit Ballkanik nga RCC

Për ekspertët ky është rezultat i mbushjes së hapsirave të lëna nga BE-ja gjatë fillimit të pandemisë, nga Kina dhe Rusia. “Diplomacia e vaksinave” ka qenë një mekanizem me influencë në rajon në fillim të pandemisë, kur sasia e vaksinave të disponueshme ishte e kufizuar.” – shpjegon Altin Gjata për Faktoje duke theksuar se pasoja më e dukshme e kësaj është rritja e rolit të Kinës si një aktor global në rajon, sidomos në Serbi, dhe perceptimi se BE-ja e la në baltë rajonin, kur në fakt u bë furnizuesi kryesor me vaksina gjatë pandemisë.”

“Shpëtimtarët” e Ballkanit

Një tjetër efekt i retorikës së fundit të kryeministrit Rama ndaj Bashkimit Europian, janë edhe lajmet dizinformuese në mediat rajonale, që përdorin deklaratën e tij për të “goditur” Bashkimin Europian.

Kryeministri Shqiptar thotë se Rusia, Kina dhe Turqia shpëtuan Ballkanin gjatë pandemisë”, shkruan media ruse TASS në një artikull të shpërndarë edhe nga media të tjera në Rusi. Të tjerë mediume e raportuan ndryshe deklaratën. Në disa lajme të portaleve ruse, Rama citohet të ketë thënë se “Rusia, Kina dhe Turqia ishin shpëtimtarët e Ballkanit gjatë pandemisë”.

Për median serbe “Novosti”, deklarata e kryeministrit shqiptar përmbledh plotësisht sjelljen e Bashkimit Europian si “një federatë egoistësh të pasur”. Duke e “fryrë” deklaratën e kryeministrit shqiptar, Novosti raporton se sipas tij “Pa Kinën, Turqinë dhe Rusinë, ne nuk do i kishim mbijetuar dot pandemisë”.

Ai shtoi se BE ishte e shqetësuar për influencën e Kinës, Rusisë dhe Turqisë në Ballkan, por gjithashtu se këto tre vende ishin të vetmet që i ofruan rajonit vaksina.shkruan “Novosti” mbi deklaratën e kryeministrit shqiptar.

Një hap më tej e çuan deklaratën portalet në Maqedoninë e Veriut. Sipas njërës prej tyre, Rama tha se pa Kinën, Rusinë dhe Turqinë, Ballkani Perëndimor nuk do i kishte dhënë dot fund pandemisë.

Në anën tjetër, edhe disa media shqiptare e kanë interpretuar qëndrimin e kryeministrit Rama si nervozizëm, duke quajtur Kinën dhe Rusinë si aleatët më të rëndësishëm për kryeministrin.

Qëndrime publikisht kontradiktore

Ajo që bie në sy është fakti se kryeministri mban qëndrime të ndryshme mbi të njëjtën temë. Nëse në Paris, Rama e vlerëson “diplomacinë e vaksinave” të përdorur nga Kina dhe Rusia për të shtrirë influencën e tyre në Ballkanin Perëndimor, në anën tjetër, pranon se ndihma e këtyre vendeve, nuk mund të krahasohet me atë të Bashkimit Europian.

Në Janar 2022 për Financial Times, teksa fliste për “vardisjen” që Kina, Rusia dhe Turqia i bëjnë vendeve të rajonit, Rama theksonte dallimin mes të mirave që vijnë nga këto vende dhe atyre që vijnë nga Bashkimi Europian. “Të tjerët mund të sjellin para, investime, ndoshta edhe havjar, por nuk do të jenë në gjendje të sjellin atë që duhet për të ndërtuar një vend të lirë funksional,” tha Rama për Financial Times.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli