BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorI rremë lajmi për hyrjen e trupave ushtarake franceze në Ukrainë

I rremë lajmi për hyrjen e trupave ushtarake franceze në Ukrainë

Pretendimi: Franca ka dërguar trupa për të luftuar në luftën Rusi-Ukrainë. Legjioni i Huaj Francez ndodhet në Donbas

Verdikti: E pavërtetë

———————————————

Mediat shqipfolëse kanë raportuar në 6 maj se trupa të rregullta franceze janë dëguar për të luftuar kundër Rusisë në Ukrainë.

Si burim për këtë lajm citohet një artikull në Asia Times nga “ish-nënsekretari amerikan i mbrojtjes” Stephen Bryen.

Duhet theksuar këtu se Stephen Bryen ka qenë një zëvendës-nënsekretar për Departamentin e Mbrojtjes gjatë administratës Reagan, në vitet ‘80.

“Franca ka dërguar zyrtarisht trupat e saj të para në Ukrainë,” shkruan Bryen. “Ato janë mobilizuar në mbështetje të Brigadës 54 të Pavarur të Mekanizuar të Ukrainës në Slavyansk. Ushtarët francezë janë marrë nga Regjimenti 3 i Këmbësorisë së Francës, i cili është një nga elementet kryesorë të Legjionit të Huaj francez.” Ai pretendon gjithashtu se 100 trupa kanë mbërritur deri tani, nga 1500 që priten.

Bryen nuk jep ndonjë referencë apo burim për këtë lajm.

Megjithatë, vetë Ministria e Jashtme franceze e ka mohuar mobilizimin e trupave franceze. Në një postim të 6 majit në Twitter, Ministria e quajti pretendimin e Bryen “lajm i rremë” dhe deklaroi se “Franca nuk ka dërguar trupa në Ukrainë.”

Më 6 maj, Bryen gjithashtu postoi një shkrim në blogun e tij ku pranoi se “mund ta kishte gabim” për mobilizimin e pretenduar të trupave franceze në Ukrainë. Në të, ai shpjegon gjithashtu burimet për artikullin e tij në Asia Times.

Burimi më i hershëm është një artikull i 12 prillit nga një faqe lajmesh ushtarake ruse, i cili citon raportime nga një kanal Telegrami rus dhe një gazetar rus, i cili tha se informacioni është i pakonfirmuar. Artikulli përmbyllet me vërejtjen se “nuk mund të konfirmojë ose të mohojë këtë informacion.”

Më tej, një postim në Twitter nga agjencia shtetërore e lajmeve ruse Sputnik i referohet po të njejtit kanal Telegrami rus dhe citon një zëdhënëse të Ministrisë së Jashtme ruse që kishte paralajmëruar më parë se “Franca do të përgatiste 1500 trupa në Prill për dërgim në Ukrainë”. 

Burimi i tretë i Bryen është një artikull i botuar në një faqe që promovon rregullisht teori konspirative.

Rusia e ka bërë të qartë se përfshirja e trupave ushtarake të rregullta të një vendi të NATO-s në luftime do të konsiderohet një kërcënim që nuk mund të tolerohet dhe do të marrë përgjigje të ashpër.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img