.

.

BallinaPertejBorxhet, pandemia apo rindërtimi

Borxhet, pandemia apo rindërtimi

Plani i qeverisë për sigurimin e 1 miliardë eurove përmes Konferencës së Donatorëve, në muajin shkurt, devijoi me shfaqjen e pandemisë. Pasi nuk arriti ta sigurojë këtë shumë, qeveria mori eurobondin 650 mln euro, një borxh që thuajse do dyfishohet deri në fund të vitit. Nga ana tjetër, shpenzimet për shëndetësinë sipas OKB, konsiderohen të ulëta. Sa për rindërtimin nga tërmeti, ai mbetet një proces i zvarritur dhe që me ndryshimet e njëpasnjëshme po pëson tkurrje.


Më 17 shkurt të vitit 2020, në Konferencën e Donatorëve, e cila u mbajt në Bruksel për të mbledhur financime për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria shqiptare siguroi parimisht një shumë prej 1,1 miliardë eurosh në formë donacionesh dhe huaje, shumë e cila përllogaritej e mjaftueshme në bazë të vlerësimeve të dëmeve.

Por vonesat në thithjen e 300 milionë eurove grante dhe 600 milionë huaje, bënë që procesi i rindërtimit të zvarritet.

Më 13 qershor Qeveria e Shqipërisë emertoi një Eurobond në vlerën e 650 milionë eurove në tregjet ndërkombëtare, me normë interesi 3,65 për qind dhe afat 7-vjeçar shlyerjeje.

Sipas ministrit të Rindërtimit dhe Koronavirusit, Ahmetaj, një pjesë e Eurobondit do përdorej për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e pandemisë “Covid-19” dhe pjesa tjetër për investime dhe për procesin e rindërtimit.

Plani për rimëkëmbjen ekonomike ende nuk ka marrë “jetë”, ndërsa procesi i rindërtimit, i cili po ecën me ritme të ngadalta, vijon të pësojë ndryshime.

Fondet për rindërtimin nga Buxheti i Shtetit janë dyfishuar.

Më 2 qershor, përmes Aktit Normativ nr. 28, Ministria e Financave, për të tretën herë brenda 7 muajve rishikoi Buxhetin e Shtetit për vitin 2020.

Ministria e Financave kishte planifikuar në buxhetin fillestar 2020 të financonte procesin e rindërtimit me 20 miliardë lekë, nga të cilat 7 miliardë lekë do të merreshin nga ndihmat ndërsa, 13 miliardë lekë u morën borxh. Mirëpo deri në fund të qershorit, të ardhurat nga ndihmat ishin vetëm 2,2 miliardë lekë dhe shumica e tyre i takojnë disbursimeve emergjente që u dhanë për të përballuar pandeminë Covid-19.

Fatura e rindërtimit që duhet përballuar nga buxheti u rrit më shumë se dyfishi nga fillimi i janarit duke shkuar në një total prej 500 milionë eurosh nga 217 milionë euro që ishin programuar në janar.

Qeveria pritet ta rrisë borxhin në 1,1 miliardë euro brenda vitit.

Në fillim të qershorit, qeveria miratoi dy akte normative me fuqinë e ligjit, përmes të cilave planifikon të marrë mbi 1.1 miliardë euro borxhe për vitin 2020, vlerë sa 84 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

OKB kërkon nga qeveria të rrisë shpenzimet për shëndetësinë.

Në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për planin e përgjigjes për rimëkëmbjen social-ekonomike ndaj Covid-19, Shqipëria shihej me shqetësim për sa i përket shpenzimeve për shëndetësinë.

Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm – theksohet në raport.

Situata bëhet edhe më shqetësuese ndërkohë që Borxhi Publik i vendit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka shkuar në 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img