BallinaPertejHuaja 650 milionë euro, për qeverinë një sukses, për ekspertët me pasoja

Huaja 650 milionë euro, për qeverinë një sukses, për ekspertët me pasoja

Qeveria e Shqipërisë emetoi një Eurobond në vlerën e 650 milionë eurove në tregjet ndërkombëtare, me normë interesi 3,65 për qind dhe afat shlyerjeje 7-vjeçar. Kryeministri Rama e konsideroi miratimin e Eurobondit si një shenjë besimi ndaj Shqipërisë dhe një tregues stabiliteti financiar për vendin. Por, ky vendim shihet me shqetësim nga ekspertët që argumentojnë se marrja e Eurobondit do rrisë ndjeshëm Borxhin e Jashtëm Publik të vendit.


Shqipërisë iu miratua huaja prej 650 milionë eurosh në formën e Eurobondit nga tregjet ndërkombëtare. Më 4 qershor Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 86 vota pro, 12 kundër dhe 5 abstenim projektligjin për emetimin e eurobondit dhe përjashtimin e tij nga taksat dhe tatimet.

Më herët, presidenti Ilir Meta refuzoi të dekretojë projektligjin, me argumentin se nuk sqaroheshin arsyet e kësaj emergjence për marrjen e huasë qindramilionëshe. Pas këtij refuzimi, Komisioni i Ekonomisë dhe Grupi i Partisë Socialiste bënë disa ndryshime, duke marrë parasysh propozimet e Presidentit. Pas këtij procesi, Meta dha aprovimin për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit, që synon përjashtimin nga çdo detyrim tatimor i transaksioneve dhe veprimeve që bëhen në kuadër të Eurobondit.

Në konferencën për shtyp së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kryeministri Rama e konsideroi sukses të qeverisë shqiptare
aprovimin e eurobondit.

Ne kemi marrë konfirmim nga tregjet, që në radhë të parë na bën një vend të besueshëm në
raport me institucionet financiare ndërkombëtare dhe na jep mundësi të zgjerojmë bazën e
financimit të ekonomisë. Për ata që thonë hë mo se borxh morët, çdo njeri e di se nuk mjafton të duash të marrësh borxh, por të gjesh dhe atë që të jep borxhin dhe kjo bazohet në dokumente. Dolëm me një objektiv dhe na u ofrua 4.8 herë më shumë – deklaroi Rama.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj sqaroi se ishin të paktën 190 investitorë të interesuar për Eurobondin shqiptar nga tregjet europiane dhe ato nga Amerika. Huaja, sipas Denajt do të përdoret për rifinancimin e eurobondit 250 milionë euro në nëntor të këtij viti, ndërkohë që pjesa tjetër do shkojë për plotësimin e nevojave për vitin 2020.

Ekspertët e ekonomisë e shohin me skepticizëm miratimin e Eurobondit duke argumentuar se në këtë mënyrë do rritej borxhi publik i vendit.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj e konsideron të papërshtashme marrjen e kësaj huaje.

Nuk është koha e përshtatshme që të kërkosh të rrisësh borxhin, pavarësisht se nga kriza të gjithë vendet dalin me një rritje borxhi, por nivelet duhet të jenë të arsyeshme. Pasi keni
parasysh se do të marrim një borxh të lartë për rimëkëmbjen nga tërmeti. Nga ana tjetër shikoj opsionet që këtë shumë ta ndajmë në dy pjesë, ta marrim një pjesë nga tregu i brendshëm sepse ka depozita të mëdha në euro në sistemin bankar shqiptar dhe interesat t’u mbeteshin depozituesve shqiptar – shprehet Malaj.

Eksperti i ekonomisë Pano Soko argumenton se Shqipëria ka nevojë të rishikojë buxhetin e jo të
shtojë borxhet.

Mund të shlyejmë shumë pak borxh të vjetër, sepse nuk është momenti. Unë besoj se i gjithë
eurobondi do përdoret në projekte. Nëse buxheti nuk rishikohet, kam dyshime se ato lekë do të shkojnë dëm. Nuk e kemi luksin të çojmë asnjë lek dëm – shprehet Soko.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Borxhi i Jashtëm Bruto i vendit, në fund të muajit mars 2020 arrit në vlerën 8.2 miliardë euro.


Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë

Qeveria zotëron rreth 46% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sistemit Bankar me 17 për qind, Sektorëve të  tjerë, 36 për qind dhe Autoritetit monetar me 1 për qind.

*Foto kryesore është marrë në web.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img