Pretendimi: Atletja belge e sëmurë gjatë Lojërave Olimpike u infektua me E.Coli
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Sëmundja gjatë garimit në Lojërat Olimpike të triatletes belge Claire Michel dhe vendimi i ekipit të saj për t’u tërhequr nga garimi shkaktoi një debat në nivel botëror. Një pjesë e mirë e mediave, mes të cilave edhe ato shqiptare, njoftuan në formën e një skandali lajmin se sportistja belge u infektua gjatë notimit në lumin Seinë me virusin E.Coli.

Pas rikuperimit, këto pretendime janë përgënjeshtruar nga vetë Michel përmes një postimi në Instagram.

Michel, e cila garoi në garën e triathlonit për femra në Lojërat Olimpike, bëri të qartë se testet e gjakut treguan se ajo kishte kontraktuar një virus tjetër dhe jo E.coli. Pasi përjetoi tri ditë të vështira me të vjella dhe diarre në poliklinikën e fshatit olimpik. Pavarësisht se nuk specifikoi cilin virus kishte marrë, atletja bëri të ditur që nuk është E.Coli.

Claire Michel fotografuar në veprim gjatë garës individuale të triathlonit për femra në Lojërat Olimpike Paris 2024, më 31 korrik
Organizatorët e Paris 2024 u përballën me kritika për cilësinë e ujit në lumin Seine pas investimit të rreth 1.5 miliardë dollarë për pastrimin e lumit, një projekt që ka përfshirë edhe ndërtimin e një rezervuari të ri për mbledhjen e ujërave të shiut, i cili ndihmon në parandalimin e ndotjes së lumit gjatë reshjeve të mëdha.

Lumi Seine, Paris
Përkundër këtyre përpjekjeve, reshjet e fundit në Paris shkaktuan një rritje të niveleve të E.coli në lumë, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e atletëve që konkurruan. Sipas prefektit rajonal Marc Guillame, në kampionët e ujit të marra nga organizata Olimpike dhe shteti më 31 korrik u gjetën “rreth 500-600 njësi E.Coli për 100 ml, ndërsa kufiri është 1000.” Burime të tjera zyrtare rrëzuan gjithashtu si të pabaza edhe rastet e tjera të atletëve të sëmurë gjatë garimit dhe të dyshuar nga kontaminimi me E.coli.
Çfarë është E.Coli?
Escherichia coli (E. coli) është një bakter që normalisht jeton në zorrët e njerëzve dhe kafshëve të shëndetshme. Shumica e llojeve të E. coli janë të padëmshme ose shkaktojnë diarre të shkurtër. Por disa lloje, si E. coli O157:H7, mund të shkaktojnë ngërçe të forta në stomak, diarre me gjak dhe të vjella.
Ekspozimi ndaj E. coli tek njeriu mund të ndodhë nga uji ose ushqimi i kontaminuar — veçanërisht nga perimet e papërpunuara dhe mishi i grirë i pagatuar mirë.
Shenjat dhe simptomat e infeksionit me E. coli O157:H7 zakonisht fillojnë tre ose katër ditë pas kontaminimit ndaj bakterit, por në raste më të rralla edhe një ditë pas ekspozimit.

Mikrografi e skanimit me elektron të Escherichia coli (E. coli).