Nga Sebi Alla
Mohimi i të drejtës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe (sikundër e përcakton ligji dhe Kushtetuta), ende mbetet pezull me paqartësi, që mund të zgjasin në kohë dhe lënë hapur përplasjet politike dhe jo vetëm.

Protesta në Tiranë
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut ende nuk është caktuar data e protestës së radhës, në Tiranë, në mbështetje të kësaj kauze, në Sheshin “Skënderbej” u zhvillua një marshim paqësor që zgjati deri tek hyrja e bllokut të ambasadave, (pa iu afruar shumë godinës së ambasadës maqedonase aty ku ishte edhe qëllimi), me parrullën: “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”.

Kërkesa
Tiranës iu bashkuan të martën pasdite zërat e studentëve shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse
Krahas studentëve (kryesisht) të juridikut, nga Shqipëria pati edhe gazetarw dhe aktivistw.
Mes pankartave dhe thirrjeve “Tirana, Shkupi, Prishtina janë bashkë”, protestuesit kërkuan që provimi i Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të jepet edhe në gjuhën shqipe
Protesta e zhvilluar nga studentët shqiptarë kishte si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik me qëllim më shumë presion ndaj institucioneve në Shkup, të cilat, sipas studentëve në protestë, po zvarrisin zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.






Dy protestat në Shkup
Ndërkohë dy protestat e mëdha dhe paqësore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut rizbuluan një problem që nuk është krijuar sot, por jeton prej shumë vitesh në një ekuilibër të brishtë politik që nga viti 2001. Ajo që u arrit “me humbje jete dhe sakrifica, nuk po gjen zbatim në paqe”, për një të drejtë themelore, siç është përdorimi i gjuhës amtare. “Pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, e cila është më nacionaliste, është rritur dukshëm gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, gjë që përbën rrezik potencial për tensione dhe probleme të tjera ndëretnike”, thotë për Faktoje, kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari. Pas protestës së madhe më datë 18 të këtij muaji, situata duket më e qetë, në reflektim të një paqeje të brishtë të mbushur me deklarata për zgjidhje të problemit, por edhe qëndrimeve të ashpra, për t’i dhënë zë dhe reagim qëndrimeve nacionaliste apo incideteve etnike që kanë nisur të shfaqen.
Kauza
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe bëri bujë disa muaj më parë kur 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Studentët reaguan në disa tubime, për tu mbledhur në dy protesta të mëdha më 6 prill dhe 18 maj në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe incidenteve pa arsye nisi në shtator të vitit 2024, ku u hoqën disa tabela rrugore me mbishkrime shqip. Ajo situatë u tentua të kalohej si një “keqadministrim nga Ndërmarrja e Rrugëve”, mirëpo gjendja në vijim riktheu historinë e vjetër të mohimit të përdorimit të gjuhës shqipe.
Ligji
Konkretisht në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe. Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”
Qëndrimet pas protestës
Ndërkohë që partitë e kampit shqiptar nga koalicioni VLEN në qeverinë maqedonase, thanë të martën që provimet e jurisprudencës për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbahen edhe në gjuhën shqipe, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov reagoi duke e quajtur debatin publik për gjuhën shqipe një përpjekje për presion politik dhe nxitje të konfrontimit etnik. “Reagoj ashpër ndaj përpjekjes për ta shndërruar provimin e jurisprudencës në një fushë për presion politik dhe konfrontim etnik. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për të njohur gjuhën maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm i publikut dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues”
“Mickoski i përmbajtur”
Kjo gjuhë e ashpër e ministrit Filkov, u tentua të “modernizohet” nga qëndrimi i kreut të qeverisë Hristijan Mickoski, i cili deri tani është munduar ta anshkalojë këtë çështje, duke e cilësuar si teknike dhe “shumë shpejt të zgjidhshëm”. Kryeministri Mickoski, i ka akuzuar studentët për mungesën e flamurit maqedonas dhe mosrespektimin e ligjit të himnit, ndërsa ka shtuar se zgjidhja ligjore për jurisprudencën do të dërgohet në Komisionin e Venecias.
Ky qëndrim duket se në afatshkurtër nuk do të marrë zgjidhje, për aq kohë sa të shprehet Komisioni i Venecias dhe mbi të gjitha, intepretimet politike në Maqedoninë e Veriut që mund të bëhen mbi “interpretimin e Venecias”. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali, përfaqësues i VLEN në qeverisje, tha të enjten se janë në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë dhe sipas tij mund të zgjasë deri në një javë zgjidhja, por njëkohësisht la hapësirë se nuk do të trajtohet vetëm çështja e gjuhës shqipe, por edhe tema të tjera. “…nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shumë tema të tjera të cilat duam në pako t’i zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe mos të shkaktojmë, dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë pakënaqësi ndaj funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore”, deklaroi zëvendëskryeministri Sali.
Përtej provimit
“Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë ndarë në dy kampe të polarizuara, duke e përdorur çështjen e gjuhës për betejë politike dhe terren elektoral. Koalicioni VLEN në pushtet ndodhet nën presion të vazhdueshëm dhe mbrojtje, duke u përpjekur të menaxhojë pakënaqësitë e studentëve me premtime të reja ligjore, ndërsa ia faturon përgjegjësinë lëshimeve të kaluara të BDI-së”, thotë drejtuesja e Portalb.mk, Zylbeari. Sipas saj, “Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI po kapitalizon mbi këtë krizë nga pozita e opozitës, ata i nxisin dhe i mbështesin fuqishëm protestat për të sfiduar legjitimitetin e pushtetit aktual dhe për t’u ripozicionuar si mbrojtësit e vetëm të të drejtave kombëtare dhe Marrëveshjes së Ohrit”.
Heshtja zyrtare

Tensionet janë të dukshme dhe konfliktualiteti politik mjaft i ndezur, por deri tani nga Tirana dhe Prishtina zyrtare ka një lloj heshtje publike, duke treguar kujdes në çështje që ngjajnë më shumë se teza provimesh në gjuhën shqipe. “…Heshtja apo reagimi tejet i matur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare reflekton një kalkulim të kujdesshëm diplomatik dhe gjeopolitik për të shmangur destabilizimin e rajonit. Përtej parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti anëtar të NATO-s, të dyja kryeqytetet udhëhiqen nga interesa specifike, Prishtina shmang deklaratat e ashpra për të mos dëmtuar aleatët e saj politikë të VLEN-it në qeveri, ndërsa Tirana ruan një distancë strategjike për të mos nxitur nacionalizmin maqedonas dhe për të mos rrezikuar procesin e saj të integrimit në BE”, thotë Zylbeari. Ajo sugjeron se “kjo qasje e “diplomacisë së heshtur” shpesh interpretohet si braktisje nga shqiptarët vendas, por synon të parandalojë përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike në prapaskenë”.





