Pretendimi: Princi William i Britanisë së Madhe është i biri i Jacob Rothschild
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon sërish pretendimi i pazakontë se qeveria polake ka deklaruar se ka prova që princi William është në të vërtetë fëmija i bankierit britanik Jacob Rothschild.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk sjell asnjë provë, burim apo referencë për të mbështetur pretendimin e tij të jashtëzakonshëm.
Faktoje gjeti se ky pretendim i jashtëzakonshëm e ka burimin në një artikull në gjuhën angleze, botuar më 5 mars 2024 në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Burimi, të cilit i referohet artikulli i The People’s Voice, është Benjamin Fulford, “një gazetar dhe hulumtues amerikan” sipas portalit.
Përveç paragrafit të parë, artikulli vijon duke riprodhuar një artikull të publikuar në faqen personale të Benjamin Fulford, i cili përshkruhet në këtë faqe si gazetar kanadez, jo amerikan.
Artikulli i Fulford nis me një narrativë të pakuptueshme konspiracioniste ku përshkruhet një duel mes organizatash dhe shoqërish sekrete që kontrollojnë botën. Skuadra e ‘të mirëve’ duket se po fiton, sipas Fulford, sepse një sërë “Satanistësh kryesorë” janë ‘eleminuar’ kohët e fundit. Shembuj të këtyre ‘eleminimeve’ përfshijnë kancerin e mbretit Charles, operimin abdominal të princeshës Kate, dhe vdekjen e bankierit Jacob Rothschild.
Sa i përket atësisë së princit William artikulli pretendon se “duke qenë se të gjitha këto ndodhën kur u lajmërua vdekja e Jacob Rothschild, kjo nënkupton se ai ishte mbreti it vërtetë i Anglisë. Ne jemi informuar gjithashtu nga inteligjenca polake se Princi William është në të vërtetë i biri i Jacob Rothschild.”
As artikulli origjinal i Fulford, atëherë, nuk jep ndonjë provë apo burim të besueshëm për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Kështu, pretendimi se princi William është i biri i bankierit Jacob Rothschild mbetet i paprovuar.






