31 ditë protestë, nga Kryeministria te Kuvendi, mes thirrjeve kundër Ramës

Protesta e përnatshme kundër qeverisë u zhvendos sot para Kuvendit

31
Foto e shkeputur nga LSA

Protesta e përnatshme para kryeministrisë u zhvendos të martën para Kuvendit, duke sjellë tensione mes qytetarëve protestues dhe forcave të rendit.

Fillimisht, një grup protestuesish bllokuan hyrjen e Parlamentit, duke e bërë të vështirë daljen e deputetëve dhe ministrave gjatë seancës plenare.

Makinat e deputetëve, parkuar  jashtë ambienteve të Kuvendit, u mbuluan me vezë, ndërsa në oborrin para Kuvendit u shkrua parulla simbolike “Parlament i krimit”.

Situata më tej u përshkallëzua me konfrontime të vazhdueshme me policinë, duke shënuar përplasjen e parë, pas 30 diteve proteste.

Foto e marre nga LSA gjate protestes para Kuvendit

Disa prej protestuesve tentuan të cajnë gardhin metalik para Kuvendit, duke sjellë përforcime nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Protestuesit hodhën sende drejt makinave të parkuara, sollën kosha mbeturinash (të vendosura në anën tjetër të rrugës) dhe thirrën slogane si “Këtu e keni vendin”, “Parlamenti në kosh!” apo dhe “Rama n’kosh, Berisha n’kosh’’

Paralelisht me protestën disa orëshe, brenda Kuvendit, mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, me 74 vota kundër dhe 22 pro.

Opozita akuzoi qeverinë për shmangie nga “skaneri” i PE, duke përmendur korrupsionin, krimin e organizuar dhe mbrojtjen politike ndaj zyrtarëve të akuzuar.

Emaili për eurodeputetët

“Na e servirët miratimin e rezolutës si arritje historike të Shqipërisë në procesin e integrimit europan, sot refuzoni të flasim për rezolutën e PE. Sot keni refuzuar me votë vetë PE. Jo thjesht sepse refuzoni debatin, por skanerin që PE i ka bërë qeverisë. Skaneri ju ka nxjerrë të sëmurë. Ju vuani nga sëmundja e rëndë e vjedhjes së zgjedhjeve, së taksave, korrupsionit, krimit të organizuar, thotë PE. Vetëm Rama ka frikë nga kjo rezolutë. Eurodeputetët grisën email-in e Taulantit dhe votuan për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Sot s’flasim për rezolutën e PE sepse do të dalë që email-i i kolegëve është grisur dhe hedhur në kosh”, tha kryetari i grupit parlamentar i PD-se, Gazment Bardhi, duke iu referuar një emaili (të bërë publik ne media) nga dy deputetë të PS-së Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla të cilët i kishin kërkuar  eurodeputetëve të mos votonin amendamentet për zonat e mbrojtura.   

“Po ju drejtohemi pasi ndoqëm sot në seancën plenare debatin mbi Raportin për Shqipërinë 2025, për t’ju falënderuar për raportin, ashtu siç u miratua në AFET, dhe për të shprehur shqetësimet tona lidhur me amendamentet 4 dhe 17.

Amendamentet 4 dhe 17 nuk bazohen në premisa të vërteta, por janë rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën, prandaj ju kërkojmë me respekt të MOS i mbështesni këto dy amendamente”, thuhet ndër të tjera në emailin e derguar nga deputetja e PS-së, Bora Muzhaqi.

Protesta zhvendoset para Komisariatit nr 1

Ndërkohë jashtë Kuvendit, tensionet u shtuan kur protestuesit bllokuan makinën e zv.kryeministres Albana Koçiu që u qëllua me vezë para se policia të hapte rrugën.

Për më shumë se tre orë, dhjetëra qytetarë rrethuan Parlamentin, duke hedhur parulla si “Revolucion”, “Rama dorëhiqu”, “Arresto Ballukun” dhe “Anullo ligjin për zonat e mbrojtura”.

Në fund, policia ndërhyri duke larguar protestuesit nga hyrja e Parlamentit dhe shoqëroi gjashte persona për incidentet e ndodhura, ndër ta edhe Dritan Goxhajn. Kjo ndryshoi rrjedhën e protestës

Protestuesit marshuan drejt Komisariatit numër 1 ku janë ndaluar 6 të shoqëruarit, duke vijuar thirrjet disa oreshë kundër qeverisë. “Lironi protestuesit”, ishte thirrja e tyre konstante.

Një prononcim për mediat para komisariatit e përcolli edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani.

“Ne kemi nisur një hetim për sjelljen e policisë së shtetit. Para së të vinim këtu ishim aty. Jemi shumë të shqetësuar për videot që kemi parë. Sjellje shproporcionale e policisë. Kush e ka dhënë vendimin? Si është bërë ndërhyrja, e drejta për të protestuar nuk kufizohet. Videot janë shqetësuese”, tha Shabani.

Aty shkoi edhe kryetari i Partise “Mundesia”, Agron Shehaj i cili tha per mediat se shoqerimi i protestuesve ishte per arsye politike.

Me tej, 6 te shoqëruarit u liruan ndersa bene thirrje per tju bashkuar protestes se ores 19.00 para kryeministrise.

Më herët, gjate dites, kryeministri Edi Rama përcolli një koment në Facebook për protestën. Ai theksoi se shqetësimet reale të qytetarëve në protestë do të kthehen në energji për projektin “Shqipëria 2030 në BE”, ndërsa sipas tij “shëmbëlltyra e zezë që i keqpërdori” do të dështojë.