Deputetja neomalësore nuk po kërkon rikthimin në grupin e PS

60

Pretendimi: Deputetja shqiptare Marjana Koçeku është penduar për largimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe po bën tentativa për t’u rikthyer

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————–

Më 5 korrik, në rrjetet sociale shqiptare, nisiqarkullonte masivisht pretendimi se deputetja Marjana Koçeku është penduar për largimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe po bën tentativa për t’u rikthyer.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një artikull të botuar në portalin Prapaskena më 5 korrik, i cili është ndarë në mënyrë të koordinuar me të njëjtin titull në dhjetra portale të ndryshme. 

Megjithatë, artikulli në fjalë nuk sjell asnjë provë për pretendimet që ngre. Ai referohet vetëm “burimeve” të paspecifikuara dhe anonime, për të tjerrur një skenar të koklavitur, sipas së cilit, deputetja Koçeku ka deklaruar se ishte nxitur të braktiste grupin parlamentar të PS nga deputetët socialistë Elisa Spiropali dhe Ditmir Bushati. Këta dy të fundit, pretendohet se donin të bëheshin kryeministër të qeverisë teknike, nëse protestat që mbahen në Tiranë prej 40 ditësh do të detyrojnë Edi Ramën të jepte dorëheqjen.

Kujtojmë se Marjana Koçeku hyri në parlament në vitin 2025 në moshën 24 vjeçare. Më 14 qershor 2026, 15 ditë pas nisjes së protestave masive anti-qeveritare në Tiranë, ajo u deklarua si deputete e pavarur në rrjetet e saj sociale. 

Gati një muaj më vonë, deklaratat e saj publike nuk duket se sugjerojnë ndonjë pendesë për ketë vendim.

Duke folur për largimin e saj nga grupi i PS, Koçeku tha më 8 korrik për Euractiv: “Nuk mund t’i përkas më një grupi që jo vetëm nuk e mbështet mjedisin, por po bën politika që e prishin atë.”

“[Kryeministri Rama] më paralajmëroi se do të mbetem vetëm dhe se nuk do të më besojë askush pas këtij akti, as njerëzit e mi të maleve prej nga vij. Unë ia kam konfirmuar dhe vazhdoj t’ua konfirmoj të gjithë atyre që besojnë te kryeministri se unë nuk do të mbetem vetëm. Jam mësuar të jem e pavarur, është pjesë e karakterit tim dhe nuk tërhiqem,” tha Koçeku për një intervistë të gjatë më 9 korrik në Euronews Albania. “Nuk ka kthim pas në këtë vendim.”