Nga Osman Stafa
Arta është një grua 45-vjeçare e divorcuar, nënë e dy fëmijëve të mitur, e cila vuan nga kanceri gjinekologjik. Rreth një vit më parë ajo u diagnostikua me kancer. “Ishte dita më e zezë e jetës sime, kur mjeku nga Elbasani më tregoi se unë po vuaja nga kanceri në mitër. Në ato momente nuk doja të vazhdoja më jetën, por forca ime u bënë fëmijët e mi”.
Ajo nisi betejën me kancerin, teksa filloi kimioterapitë dhe rrezet e jashtme (me akselerator).
“Të bëje kimioterapitë kërkonte jo vetëm forcë. Efektet anësore do t’ia tregoj natës së varrit. Por përtej të gjithave, kimiot i kam bërë sa në karrige, sa në krevate. Nuk e dija që nuk lejohej dhe nuk ishte siç e kërkon protokolli. I bënim aty dhe kërkonim të iknim, pasi shkonim në 6 të mëngjesit dhe mbaronim kimiot në darkë”.
Pacientja e Onkologjikut tregon se shpesh vonoheshin ilaçet, njëherë mungonin, njëherë nuk punonte sistemi i spitalit. E njëjta situatë ka qenë edhe te radioterapia. “Rrezet e 28 ditëve na shkonin 2 muaj sepse prishej pajisja e akserelatorit”.
45-vjeçarja rrëfen se pasi mbaroi kimioterapitë dhe rrezet e jashtme, mjekët i thanë se ajo duhet të bënte brakiterapinë, një trajtim për të cilin i kishin thënë se është shumë i nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm.
Brakiterapia
Brakiterapia konsiderohet nga mjekët si arma e fundit kundër tumorit. Ajo konsiston në një trajtim me rrezatim që kryhet duke vendosur burimin radioaktiv pranë ose brenda tumorit, duke bërë kështu të goditen drejtpërdrejt qelizat kancerogjene, dhe duke shpëtuar sa më shumë indet e shëndetshme.
Arta shpjegon se u trondit kur mjekët i thanë se brakiterapia nuk punon në QSUT dhe se duhet të gjente vetë një zgjidhje për ta bërë këtë trajtim sa më shpejt.
“Kur më thanë që duhet të bëj brakiterapi dhe këtu nuk ka, sikur m’u shemb bota. Nuk kisha të ardhura për t’u trajtuar privatisht. Gjithë kjo rrugë që kam bërë, tani rrezikon të shkojë dëm. Nëse nuk e bëj brakiterapinë, më thanë që rrezikon të më rikthehet sëmundja”.

Kanceri kushton
Deri në ato momente, lufta me kancerin i kishte kushtuar rreth 3 milionë lekë (të vjetra) Artës. Iu desh t’ia kërkonte vëllait dhe motrave këtë shumë parash për të kryer analizat dhe skanerin, që nuk sigurohen nga spitali publik apo rradha mund të shkojë deri në pesë muaj, si dhe pet-scan në një klinikë jashtë vendit pasi sistemi shëndetësor publik në Shqipëri nuk zotëron një pajisje të tillë.
Tani, pasi ka mbaruar kursimet e saj dhe të familjarëve e vetmja shpresë që Arta të bëjë brakiterapinë është borxhi diku tjetër. “Rrethi më i largët familjar nuk më jep borxh, pasi kanë frikë se mos unë vdes dhe paratë nuk u kthehen më”.
E vetmja mundësi tashmë sipas Artës është banka, kredia.
“Kam shkuar te një bankë e nivelit të dytë. Hapa zemrën aty. U tregova që jam me kancer dhe se më duhet kredi të paguaj për trajtimin tim. Zonja aty u ngrit, komunikoi me drejtorin e pastaj të dy erdhën, për të më thënë që unë nuk mund të isha përfituese e kredisë në shumën 4 milionë lekë, sepse nuk plotësoja kushtet”.
“Do të tentoj të marr kredi në një tjetër bankë, por atje nuk do të them që jam me kancer. Nëse edhe ajo bankë mëson se jam me kancer, nuk bëhet fjalë të më japin kredi”.
Elira është një tjetër paciente, e cila vuan nga kanceri gjinekologjik. Ajo është 40 vjeçe dhe është nga Fieri, nënë e një fëmije 5-vjeçar.
“Mbarova kimiot e rrezet dhe erdhi koha të bëja brakiterapi”.
Në Spitalin Onkologjik mësova se pajisja nuk punonte. E vetmja rrugë ishte jashtë Shqipërie. 40-vjeçarja rrëfen se të kesh kancer në Shqipëri është tronditëse, pasi halli më i madh nuk është sëmundja, por mungesa e ilaçeve, analizave dhe pajisjeve si brakiterapia.
Mjeku, tregon ajo, ia ka bërë të qartë: “Nëse nuk e bën brakiterapinë, rrezikon që kanceri të të rikthehet përsëri”.
Edhe për këtë grua, shpresa është te borxhet. Por ndryshe nga Arta, pacientja nga Fieri thotë se bashkëshorti i saj ka mundur t’i sigurojë paratë te të afërmit e tyre.

“Morëm para borxh te të afërmit e burrit dhe më pas shkova në Turqi”.
Atje, Elira tregon se ka bërë tri seanca dhe të gjitha së bashku me biletat e avionit dhe hotelin i shkuan 6500 euro. Thekson se tashmë një tjetër luftë nis për të dhe familjen e saj. “I lutem Zotit të më japë jetë që të punoj, që të kthej borxhin”.
Periudha e funksionimit
Gjatë vitit 2025, Spitali Onkologjik zhvilloi një konferencë shkencore, duke trajtuar tema të ndryshme që lidhen me kancerin.
Vetë Shefi i Radioterapisë, Orges Spahiu trajtoi temën: “Rifillimi i brakiterapisë në Shqipëri pas 12 vitesh: Përvoja 6-mujore në QSUNT”.
Nga kërkimet e bëra (maj 2025) Spahiu ka deklaruar në konferencën shkencore, se: Pas më shumë se 12 vitesh ndërprerje, brakiterapia u riaktivizua në Shqipëri, si pjesë e trajtimit modern të tumoreve gjinekologjike.
“Në 6 muaj punë, sipas referimit të shefit te Radioterapisë në Onkologjik, kanë marrë trajtim 50 paciente”.
Sipas tij, “Riaktivizimi i brakiterapisë shënon nje hap të rëndësishëm në rivendosjen e standardeve të trajtimit për tumoret gjinekologjike në Shqipëri”.
Historiku
Por cila është historia e brakiterapisë në QSUT?
Prej vitit 2012 rezulton se kjo pajisje nuk ka funksionuar në Spitalin Onkologjik. Dhe për herë të parë kjo pajisje u vendos në punë në nëntor të vitit 2024.
Për më tepër, një kronikë e televizionit Abc News, e transmetuar në datën 8 nëntor 2024, njofton fillimin e brakiterapisë.
Pas kësaj date ka punuar edhe rreth 8 muaj të tjerë, deri në momentin që doli jashtë funksioni totalisht.
Një mjek i këtij spitali, në kushtet e anonimatit tregon se shumë gra të moshave të ndryshme janë detyruar ose të largohen dhe të bëjnë brakiterapinë jashtë vendit, ose kanë mbetur pa këtë trajtim, me vendimin për t’u përballur edhe me pasojat.
“Pasojat e mosbërjes së brakiterapisë janë mjaft të qarta. Nëse nuk bëhet, rikthehet sëmundja. Kjo ka ndodhur në disa raste të grave, të cilat duhet të bënin brakiterapinë dhe nuk e kanë bërë se këtu pajisja nuk ka punuar. Aktualisht pajisja nuk punon prej 8 muajsh”
Më tej mjeku tregon se në të vërtetë situata me brakiterapinë është mjaft e rëndë brenda spitalit, me dritëhije për mënyrën sesi është vënë në punë pajisja, pra me shumë vonesë. “Lënda radioaktive cobalt, me të cilën punon brakiterapia ka ardhur që në vitin 2020 në Shqipëri, por deri nga fundi i 2024-ës nuk është vënë në punë, për shkak se nuk kishin ende bunkerin gati”.
Duke u ndalur te rëndësia e brakiterapisë, mjeku thotë, se: “Të mos trajtosh kancerin gjinekologjik është njësoj sikur të shkosh në luftë pa armë. Ne po i trajtojmë pacientet, por jo deri në fund. Kjo është e vërteta”.
Ai hedh edhe një tjetër ide. “Pse nuk e rimburson shteti shqiptar brakiterapinë?”.
Gratë, shprehet ai, humbin shanse të mira për ta mundur kancerin me bërjen e brakiterapisë dhe për sa kohë shteti ynë nuk e mundëson, pse nuk e rimbursojnë?

Dokumenti
Një dokument zyrtar, i siguruar nga ky investigim hedh dritë mbi një tjetër problem të rëndë që lidhet me trajtimin e pacientëve me kancer gjinekologjik në QSUT.
Bëhet fjalë për certifikatën e burimit radioaktiv, i përdorur në Radioterapi.
Sipas dokumentit ekskluziv, burimi është Cobalt-60 (Co-60) i vendosur në vitin 2020, me cikël përdorimi të rekomanduar prej 5 vitesh (18 maj 2020-18 maj 2025).
Kjo do të thotë se sot, në vitin 2026, ky burim ka përfunduar ciklin e tij të përdorimit dhe se për të vendosur brakiterapinë në punë duhet përsëri të vijë nga jashtë një tjetër burim radioaktiv.
Duke kërkuar të mbetet në kushtet e anonimatit, nga frika e një reagimi të mundshëm, një tjetër mjek i Spitalit Onkologjik tregon se edhe në fund të ciklit të burimit radioaktiv, gra me kancer gjinekologjik kanë kryer brakiterapinë.
Kjo, sipas ekspertëve të fushës dhe mjekëve nuk është e këshillueshme, pasi nuk jep efektet e pritshme te pacientët.
“Pacientët që kanë bërë rrezatim në fund të jetës së burimit radioaktiv, natyrisht u është dashur të rrinë më gjatë të rrezatuar, gati 30 minuta, ndërsa në fillim të jetës së burimit qëndron gati 10-13 minuta. Plus kësaj, nëse burimi është në fund të jetës, ai bën rrezatim më të dobët dhe pacienti mund të mos e marrë të plotë dozën, për të luftuar kancerin gjinekologjik”.
Sipas protokolleve ndërkombëtare thotë mjeku i Onkologjikut, sugjerohet që burimi i kobaltit me të cilin punon brakiterapia të ndërrohet kur ai bën 4 vite cikël. “Kjo që trajtimi të jetë sa më i sigurt për pacientët gra, pasi në fund të jetës është i pasigurt”.
Sipas të dhënave referuar një burimi brenda Spitalit Onkologjik, rreth 4-6 gra, me kancer gjinekologjik, kanë kryer brakiterapinë pas përfundimit të jetës së burimit radiokativ, (5 vite) të përcaktuar në dokumentin e Agjencisë Atomike të Vjenës.
Pra pas 18 majit 2025, në Njësinë e Radioterapisë në Spitalin Onkologjik, gra, kanë kryer terapinë me cobalt.
A është kjo e rrezikshme dhe me pasoja?
Mjeku vazhdon të tregojë, se pacienti nëse do të ekspozohet më shumë ndaj cobaltit, i detyruar për të marrë dozën e përcaktuar nga doktori, do të përkthehet në dhimbje të konsiderueshme të pacientit, prekje më shumë të indeve të shëndetshme, mund të mos goditet siç duhet tumori.
“Të gjitha këto, thekson ai, mund të ndikojnë në rikthimin e tumorit”.
Udhëzimet
Sipas udhëzimeve ndërkombëtare të International Atomic Energy Agency dhe American Association of Physicists in Medicine, në trajtimet me brakiterapi, efekti biologjik i rrezatimit nuk varet vetëm nga koha e ekspozimit, por nga doza dhe fuqia e burimit radioaktiv.
Me kalimin e kohës, burimi Co-60 humbet gradualisht aktivitetin, duke ulur fuqinë e rrezatimit (dose-rate). Në këto kushte, për të arritur të njëjtën dozë, kërkohet një kohë më e gjatë ekspozimi, çka mund të ndikojë në efektivitetin e trajtimit nëse nuk kompensohet në mënyrë të saktë. Studime mbi përdorimin e Co-60 në radioterapi kanë treguar se ulja e fuqisë së burimit shoqërohet me zgjatje të kohës së trajtimit dhe ndryshim të efektit biologjik të dozës, duke rritur rrezikun që tumori të mos marrë dozën optimale terapeutike.
Trajtimi i grave me një burim radiokativ me jetë të përfunduar sipas dokumenteve zyrtare, do të kishte vijuar, por të mos ishte për një avari që paraqiti pajisja fillimisht në datën 6 qershor.
Nga data 6 deri në 20 qershor 2025, pajisja nuk punoi, për shkak se doli jashtë funksionit, pasi nuk i ishte bërë procesi i mirëmbajtjes. Pas datës 20 qershor, pajisja punoi edhe rreth një muaj, për t’u ndalur më pas përfundimisht deri më sot e kësaj dite.
Në një kërkese për informacion dërguar Drejtorisë së QSUT-së, në datën 30 qershor të vititi 2025, ky institucion nuk iu përgjigj pyetjeve.
Pyetjet e dërguara lidheshin me proçesin e mirëmbajtjes së pajisjes, nëse ishte kryer apo jo (pas datës 20 qershor, pajisja filloi përsëri punën), dhe kur do të përfundonte cikli i burimit.
Në përgjigjen e kthyer një muaj pas kërkesës për informacion, Drejtoria e QSUT-së, njoftoi së informacioni i kërkuar është i “klasifikuar”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmon situatën e rëndë me të cilën përballen gratë me kancer gjinekologjik. Në raportin e publikuar në vitin 2023 të auditimit të KLSH për brakiterapinë në QSUT thuhet, se: “Shërbimi i brakiterapisë nuk ofrohet, për shkak të mungesës së burimit radioaktiv dhe mosfunksionimit të pajisjes”. Në gjetjet që kanë bërë audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, “pacientët nuk marrin trajtimin e plotë sipas protokolleve mjekësore, duke mbetur në mes të procesit të trajtimit”.
Ajo çfarë e bën të rëndë situatën janë gjetjet e raportit që konfirmon se në një vit, 200 grave iu mohohet trajtimi me brakiterapi.
Ndërsa përgjatë kohës kur është zhvilluar auditimi (2020-2022), audituesit kanë dalë në përfundimin, se 600 gra me kancer gjinekologjik nuk kanë bërë brakiterapi.
Një tjetër tregues, i cili vërteton situatën e rëndë, është edhe gjetja se gratë, të cilat duhet të bënin brakiterapinë janë detyruar të shkojnë jashtë Shqipërisë, për të kryer trajtimin.
“Pacientët janë detyruar të drejtohen jashtë vendit, për të kryer këtë trajtim”, thuhet në raportin e KLSH.
Deklarata
Aktualisht, gratë me kancer në Shqipëri, nëse vuajnë nga kanceri gjinekologjik dhe duhet të bëjnë brakiterapinë janë përballë dy zgjedhjesh:
1. Të ndërpresin trajtimin, në mungesë të financave për të përballuar shpenzimet 2. Të marrin borxh për të kryer trajtimin jashtë Shqipërisë.
Në konferencën për shtyp të datës 5 mars 2026, e pyetur për këtë problematikë, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala ka pranuar situatën e rëndë dhe është zotuar se deri në fund të vitit 2026 brakiterapia do të jetë funksionale. “I siguroj qytetarët që në do të kemi një aparaturë moderne, brenda fundit të vitit. Shërbimi i brakiterapisë që nuk ka ekzistuar prej vitesh, do të fillojë të funksionojë me një aparaturë moderne, brenda vitit 2026”, u përgjigj ministrja Sala.
Me shpresën që ky premtim do të bëhet realitet, pyetja që ngrihet është: Po gratë si Arta dhe Elira, të cilat aktualisht janë me kancer, si do e zhvillojnë brakiterapinë? A pret kanceri deri në fund të vitit?
Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta





