Rreth 200 jetë humben çdo vit nga vetëvrasja në Shqipëri. Pas shifrave fshihen histori ankthi, presioni ekonomik, bullizimi dhe vetmie. Një fenomen që po prek të gjitha moshat, nga adoleshentët te të moshuarit dhe mbetet sfidë e heshtur për shoqërinë.
Nga Sebi Alla
Dy ditë më parë, në Shkodër, një 27-vjeçar, B.S., i dha fund jetës në mënyrë tragjike, duke u shtuar si viktima më e fundit e këtij fenomeni në rritje në vend. Të dhënat ndër vite për vetëvrasjet në Shqipëri mbeten shqetësuese. Sipas INSTAT, shkalla e vdekjeve nga vetëvrasja varion nga 7.8 në 8.2 raste për 100 mijë banorë, çka përkthehet në rreth 190–210 raste në vit.
“Vetëvrasjet janë plagë e madhe e shoqërisë, e cila nuk duhet trajtuar vetëm si statistikë, por duhet të evidentohen shkaqet e tyre dhe të merren masa serioze”, thotë për Faktoje, sociologu, profesor Gëzim Tushi.
Statistikat
Sipas të dhënave të INSTAT të mbledhura pranë zyrave të gjendjes civile në të gjithë vendin, në vitin 2020 janë regjistruar 215 vetëvrasje, në 2021 218 raste, në 2022 193 raste, ndërsa në 2023 180 raste. Tre vitet përkojnë me periudhën e pandemisë COVID-19, e cila u shoqërua me rritje të ankthit dhe depresionit në popullatë, ndërsa luhatjet e mëvonshme tregojnë se fenomeni mbetet i paqëndrueshëm dhe ende shqetësues.
Në vitin 2024 numri rritet sërish në 199 raste, duke shënuar një rritje rreth 10.6% krahasuar me 2023. Kjo rritje tregon se plagët e pandemisë nuk janë shëruar plotësisht. Ankthi, pasiguria ekonomike dhe mungesa e shërbimeve të mjaftueshme për shëndetin mendor vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë të heshtur.

Adoleshenca dhe rinia
Duke analizuar grupmoshat e prekura nga ky fenomen, vihet re se ai shtrihet nga adoleshenca deri tek moshat e treta. “Fenomeni i suiçidit (vetëvrasjes) është i përhapur si nga pikëpamja gjeografike, ashtu edhe moshore. Preken të gjitha shtresat e shoqërisë, si në zonat rurale, ashtu edhe urbane”, thotë prof. Tushi.
Sipas tij, mosha me rrezik të lartë të vetëvrasjeve është ajo e adoleshencës. “Është një moshë që futet në trekëndëshin trup–shpirt–seks. Adoleshentët ndihen më të rritur dhe kalojnë fazën e tranzicionit nga fëmijëria në adoleshencë, e cila në disa raste shoqërohet me ankth dhe pasiguri”, shpjegon ai.
Përtej ndryshimeve fizike dhe biologjike, Tushi thekson se faktorët socialë luajnë rol të rëndësishëm. “Tek moshat adoleshente, shtimi i ankthit, depresionit apo përjetimi i ngjarjeve lidhet me dobësimin e rolit edukativ në familje dhe shoqëri, mungesën e prindërimit të duhur, por edhe me fenomenin në rritje të bullizmit, i cili mund të çojë në vetëvrasje në këtë moshë delikate”, thekson sociologu.
Të ndryshme janë specifikat e shkaqeve të vetëflijimit tek moshët e reja 20-44 vjeç që lidhet me kulmin e moshës së rinisë e cila ka dëshira, objektiva dhe synime. “Kjo periudhë shoqërohet me ankth, depresion dhe pasiguri. Të rinjtë janë nën presionin e aspektit material dhe të suksesit social. Në shoqërinë e sotme i kushtohet rëndësi e madhe dukjes dhe mirëqenies materiale”, thotë Tushi.
Sipas tij, krahasimi me të tjerët dhe pamundësia për të përmbushur objektivat personale mund të ndikojnë ndjeshëm në gjendjen psikologjike. “Për një pjesë, kjo sjell ankth dhe depresion të thellë, që në raste ekstreme mund të përfundojë në vetëvrasje ose tentativa për vetëvrasje”, pohon ai.
Vetmia “godet” të moshuarit
Fenomeni i braktisjes së të moshuarve në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më i pranishëm në çdo zonë të vendit. Emigrimi, migrimi i brendshëm, por edhe shkëputja nga familja në emër të “modernizimit” kanë sjellë pasoja të ndjeshme për këtë shtresë të popullsisë.
“Vetmia është plagë e madhe sociale tek moshat e treta. Sipas studimeve që kam bërë, rreth 31 mijë të moshuar në të gjithë vendin jetojnë të vetmuar”, thotë Tushi.
Sipas tij, largimi i fëmijëve dhe të afërmve për shkak të emigrimit, por edhe një ndryshim i mënyrës së jetesës brenda familjes, ka rritur ndjeshëm numrin e të moshuarve që jetojnë vetëm. “Në emër të modernizimit, shumë familje të reja shkëputen nga struktura tradicionale dhe krijojnë një jetë të pavarur, duke lënë të moshuarit vetëm”, shpjegon ai.
“Ndërsa jetojnë vetëm, të moshuarit përballen kryesisht me izolim dhe shkëputje sociale. Po ashtu, humbja e bashkëshortit apo bashkëshortes është një traumë e madhe për ta”, shton Tushi.
Sipas tij, këta faktorë e thellojnë ndjeshëm vulnerabilitetin e kësaj grupmoshe. “Po shohim gjithnjë e më shumë raste të të moshuarve që kryejnë vetëvrasje”, përfundon sociologu.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.






