Reforma tek barnat, a do të bien oligopolet dhe rikthehet cilësia?

11 vite pas miratimit të fundit të ligjit për barnat, qeveria ka pranuar se ky kuadër ligjor ka nevojë për ndryshime të thella

18

Nga Sebi Alla

Njëmbëdhjetë vite më pas, qeveria shqiptare “u bind” se ligji për barnat i vitit 2015, i prezantuar dhe miratuar me bujë si “reformë rrënjësore në shëndetësi”, ka nevojë për ndryshim të thellë.

“Po punojmë për rishikimin tërësor të legjislacionit për barnat në përputhje me legjislacionin e BE-së, si një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve dhe forcimin e sigurisë në treg”, tha ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, në konferencën e mbajtur nga Urdhri i Farmacistit.

Barna shumë, cilësi pak

Ndryshimet ligjore të vitit 2015 imponuan barna të prodhuara në vend dhe ato jashtë vendeve të BE-së, kryesisht Turqi, Serbi dhe Indi, të cilat që prej 11 vitesh dominojnë tregun e barnave, veçanërisht për ato të rimbursueshme dhe spitalore.

Cilësia e barnave mbetet e ulët, ndërsa laboratori kryesor i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, (AKBPM) përveçse është i paakredituar, vetëm për një numër të kufizuar kryen analizën mbi cilësinë e barnave. “Laboratori i barnave pranë AKBPM është i paakredituar. Duhen ndryshime ligjore dhe bashkëpunim mes institucioneve.

Nga ana e KLSH-së rekomandohet, kufizimi i origjinës së barnave, barna të prodhuara në vendet e Ballkanit”, sugjeron KLSH, në raportin përmbledhës të auditimit të performancës dhe sigurisë dhe cilësisë së barnave të parashtruar ditën e sotme në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik në Kuvend.

Duke e krahasuar me vitin 2013, ka një shtim të numrit të ilaçeve të rimbursueshme dhe shtrirje në kategori pacientësh. “Krahasuar me LBR (listën e barnave të rimbursueshme) 2013, dhe LBR në fuqi, janë më shumë në total: rreth 20.4% alternativa tregtare me rimbursim (janë 1.366 nga 1.135), rreth 56.9% principe aktive (janë 375, nga 239), rreth 47.2% alternativa të para (janë 627 nga 426)”, thuhet në qëndrimin zyrtar të FSDKSH-së për Faktoje.al, të cilën e kemi trajtuar në një shkrim të zgjeruar.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë, kjo nënkupton se për një sëmundje të caktuar rekomandohet një ilaç bashkë me dozën përkatëse, në mungesë të tij, rimbursohen ilaçe alternative që ka përbërës të barit parësor, por jo në cilësinë dhe dozën e kërkuar dhe efektshmëria e tij ulet ndjeshëm.

Farmacitë si shitore

Fptp ilustruese

Ekspertë të pavarur ngritën shqetësimin se tre ligje shumë të diskutueshme, 2009, 2014 dhe veçanërisht 2015, deformuan tregun e ilaçeve në vend, duke diktuar çmimet dhe cilësinë.

Menjëherë pas miratimit të këtij ligji, kompani të mëdha ndërkombëtare, kryesisht nga vendet e BE-së, SHBA-së dhe Kanadasë të cilat kishin përfaqësitë e tyre në Shqipëri u larguan të detyruar, pasi përcaktimi i çmimeve, “hapja e tregut” drejt vendeve të Ballkanit, (konkretisht Serbisë) dhe më pas Turqisë dhe Indisë, sollën gradualisht ulje cilësie, por edhe deformim të tregut.

Ky ligj u hapi udhë kompanive të mëdha të prodhimit, importimit dhe tregtimit të barnave në vend, nga farmacitë e hapura, deri tek medikamentet spitalore dhe ato që rimbursohen për kategori të ndryshme përfituese. Një kompani vendase prodhuese barnash dhe tetë subjekte të mëdha importuese dominojnë tregun e medikamenteve në vendin tonë në të gjithë zinxhirin e saj.

Hetimi

Kjo vërtetohet edhe nga një hetim i thelluar i Autoritetit të Konkurrencës, në raportin e publikuar në tetor të vitit 2022.

“Në përfundim të procedurave hetimore, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se: “fiksimi i çmimet të shitjes së barnave në çdo nivel tregtimi, të përcaktuara në VKM nr. 143, datë 18.2.2015 ‘Për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave’, pika 1,2 dhe 3 sjell kufizim të konkurrencës në tregtimin me shumicë dhe pakicë të barnave”.

Gjithashtu po ky institucion konstaton se, “ekzistenca e integrimit vertikal të ndërmarrjeve importuese farmaceutike dhe farmacive të rrjetit të pakicës, mund të sjellë krijimin e pozitës dominuese në treg”

Përfundimi

Me nismën e Ministrisë së Shëndetësisë priten ndryshime të ligjit për barnat. Aktualisht janë në fazën e konsultimeve, ndërsa ende nuk dihet sa e thellë do të jetë kjo reformë dhe a do të ndikojë në rritjen e cilësisë së ilaceve në vend dhe hapjes rrugë për rikthimin e kompanive të mëdha prestigjoze në fushën farmaceutike, kryesisht të vendeve të BE-së dhe SHBA-së që u larguan në vitin 2015.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë