Bumi i ndërtimeve në të gjithë vendin, e veçanërisht në Tiranë, po i shndërron kantieret në vend me rrezik të lartë për jetën e punëtorëve. Këtë vit, tetë punëtorë ndërtimi kanë humbur jetën për shkak të aksidenteve në punë. Ekspertët shohin si problem mungesën e sigurisë teknike në kantiere si dhe kontrollet e dobëta të institucioneve.
Vjolanda Peca
Mëngjesin e 27 gushtit një punëtor ndërtimi 58 vjeç gjeti vdekjen në kantierin e një pallati 10 katësh në kryqëzimin e rrugës “Dërvish Luzha”, Tiranë. Menjëherë pas ngjarjes tragjike, Inspektoriati i Punës pezulloi punimet në kantier.
Verifikimet e Faktoje tregojnë se shiritat e sigurisë në pallatin e ri 10 katësh do të qendrojnë deri sa të detajohet raporti i plotë i ngjarjes nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Vdekja e 58 vjeçarit nuk është një rast i izoluar në Tiranë. Për shkak të bumit të lartë të ndërtimeve në kryeqytet, ndërtimi rezulton si sektori më me risk kundrejt aksidenteve në punë me pasojë vdekjen. Vitin e shkuar u dhanë 411 leje për ndërtim në Tiranë. Ndërkohë që në gjysmën e parë të këtij viti, rezultojnë 246 leje për ndërtime të reja në kryeqytet.
Tetë punëtorë të vdekur në tetë muaj
Ndërtimet janë shoqëruar me aksidente të shumta fatale për jetën e punëtorëve të ndërtimit. Inspektoriati i Punës informon Faktojen se deri më 6 gusht janë regjistruar 4 viktima nga aksidente në punë.
Tjetër panoramë rezulton nëse i referohesh raportimeve të mediave lidhur me aksidentet me pasoja fatale në ndërtim. Nga janari në gusht, mediat duke iu referuar si burim Policisë së Shtetit, raportojnë se kanë humbur jetën 8 punëtorë në kantiere ndërtimi dhe 1 punëtor në gurore.
Nga raportimet, maji rezulton muaji më tragjik me 5 aksidente fatale për jetën e punëtorëve.
Ndërsa, gjatë vitit të shkuar, në të gjithë vendin Inspektoriati raporton 32 aksidente në punë në sektorin e ndërtimit, nga të cilat 8 ishin fatale. Sipas Inspektoriatit, shkaku i aksidentit lidhet kryesisht me rënien nga lartësia.
‘Moszbatim i rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë, me konkretisht mospërdorimi i paisjeve të mbrojtjes individuale, moszbatim me korrektesë i dokumetit të vlerësimit të riskut, mungesë informimi dhe trajnimi real të punëmarrësve- edhe pse janë detyrim ligjor.’, argumenton Edison Hoxha që drejton Qendrën për të Drejtat në Punë.
‘Një gabim në këtë sektor sidomos duke punuar në lartësi kushton shumë më tepër se një gabim i ngjashëm në sektorë të tjerë.’, thekson ai.
Edhe një vëzhgim i bërë nga Faktoje në një tjetër kantier ndërtimi në Tiranë vërteton shkeljen e rregullave të sigurisë. Punëtorët punojnë pa veshjet e duhura ddhe bie në sy mungesa e kaskave mbrojtëse.
‘Na heqin nga puna’
Në kushtet e anonimatit një 42 vjeçar që punon në ndërtim prej më shumë se një dekade, rrëfen se krahas mungesës së kushteve të sigurisë në punë, edhe kontrollet e institucioneve shtetërore janë të pakta.
“Rrallë herë vijnë ata të kontrollit. Edhe kur vijnë, ne fshihemi deri sa të ikin jo vetëm për veshjet, por se disa janë edhe pa sigurime.”, pohon ai teksa shton se e kanë të vështirë të flasin pasi ju rrezikohet vendi I punës. “Nuk flet njeri se na heqin nga puna”– thotë 42 vjeçari.
‘Vijnë nga shtresa e familje ku paga që marrin duke punuar në ndërtim është jetike për ta dhe familjet e tyre dhe reagimi në çdo rast ka një risk për tu larguar sidomos duke pasur parasysh harbutërinë e punëdhënësve të këtij sektori.” – argumenton Edison Hoxha që drejton Qendrën për të Drejtat në Punë.
Po ashtu, sipas Hoxhës, një tjetër arsye që i tremb punëtorët e ndërtimit lidhet me informalitetin e lartë që sjell paqëndrueshmëri.
“Ndikim tjetër mendoj se është paqendrueshmëria e këtyre punonjësve në punë dhe informaliteti. Pavarësisht zhvillimit të sektorit punonjësit e tij kryesisht janë të paqendrueshëm përveç disa kompanive të mëdha.’, përfundon ai.