BallinaBurokraci20 pyetjet pa përgjigje për Ministrinë e Rindërtimit

20 pyetjet pa përgjigje për Ministrinë e Rindërtimit

Ministria e Rindërtimit u ngrit gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme për t’u marrë me procesin e rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit. Ky proces u premtua fillimisht të kryhej brenda afateve rekord dhe në transparencë të plotë. Por thuajse 8 muaj nga fatkeqësia natyrore janë shkelur një sërë afatesh të vendosura nga vetë qeveria, kurse transparenca ka qenë “me pikatore”. Faktoje dërgoi përgjatë 5 muajve të fundit 6 kërkesa për informacion, me 20 pyetje në total për rindërtimin, por asnjëra nuk mori përgjigje nga ministria.


Nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, që goditi më rëndë Durrësin, Thumanën e Tiranën, por edhe shumë zona të tjera, humbën jetën 51 persona dhe mbetën mijëra të pastrehë. Atyre iu premtua në mënyrë të përsëritur pak ditë pas tërmetit e në vijim, nga kryeministri dhe zyrtarë të tjerë se do hynin në shtëpi të reja në kohë rekord. Faktoje e cila ka ndjekur në vazhdimësi, respektimin e afateve dhe premtimeve mbi këtë proces, që nga krijimi i Ministrisë së Rindërtimit, ka dërguar 8 kërkesa për informacion, duke filluar nga data 25 shkurt deri më 11 qershor.

Ndërsa për dy kërkesat e para kemi marrë përgjigje brenda afateve ligjore, që nga 5 marsi dhe deri më sot kërkesat tona që përbëjnë detyrim ligjor, janë injoruar plotësisht nga ky institucion.

Kërkesat për informacion që Faktoje i ka dërguar Ministrisë së Rindërtimit

Më datë 5 mars kemi dërguar dy kërkesa për informacion. Në të parën i jemi referuar një deklarate të ministrit të Rindërtimit, zotit Arben Ahmetaj mbi fillimin e procesit.

Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 5 mars 2020

Për këtë kërkesë nuk morëm përgjigje nga Ministria e Rindërtimit, edhe pse ligji për të drejtën e informimit përcakton një afat prej 10 ditësh pune, periudhë brenda së cilës institucioni ka detyrim ligjor të kthejë përgjigje.

Ashtu siç kemi shkruar edhe më parë, procesi i rindërtimit është shoqëruar me vonesa, të cilat kanë vënë në provë zotimet e qeverisë.

Kërkesa e dytë që dërguam, po më 5 mars ishte e fokusuar në numrin e familjeve dhe personave të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të tërmetit dhe janë strehuar në çadra apo shtëpi me qira.

Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 5 mars 2020

Institucioni nuk ktheu sërish përgjigje dhe 2 muaj pas kësaj kërkese, u informuam më 11 maj, nga një raportim i ministrit Ahmetaj për donatorët mbi ecurinë e procesit të rindërtimit, që u përcoll nga ERTV.

 

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 11 maj 2020

Më 10 mars dërguam një tjetër kërkesë për informacion referuar premtimit të ministrit Ahmetaj, sipas të cilit data 10 mars do t’i gjente kompanitë e para në punë duke ndërtuar apo montuar shtëpitë individuale.

Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 10 mars 2020

Sërish nuk morëm përgjigje, në shkelje të plotë të ligjit, ndërsa ndërtimi i shtëpive individuale nuk filloi më 10 mars, premtim që rezultoi i pambajtur nga ministri Ahmetaj.

Më 2 prill dërguam një kërkesë për informacion mbi godinat e dëmtuara në Durrës të cilat përfshiheshin në kategorinë e objekteve që kanë nevojë për meremetime të thella. Ne iu referuam një premtimi të kryeministrit Rama i cili kishte vënë një afat për riparimin e 1859 apartamenteve.

Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 2 prill 2020

Jo vetëm që nuk morëm përgjigje nga Ministria e Rindërtimit, por edhe kur iu rikthyem kësaj çështjeje në fund të muajit maj, kërkesa jonë u injorua edhe nga Bashkia Durrës.

Më 15 maj dërguam një kërkesë për të mësuar të dhënat mbi procesin e rindërtimit në njësinë administrative Thumanë, zona më e goditur nga humbjet në jetë njerëzish prej tërmetit të nëntorit, me 24 viktima.

Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 15 maj 2020

Pasi nuk morëm përgjigje nga Ministria e Rindërtimit, në fillim të muajit korrik “Faktoje” shkoi në terren ku konstatoi se jo vetëm nuk kishte filluar procesi i rindërtimit të shtëpive individuale në Thumanë, por në zonën e tragjedisë nuk ishin pastruar ende mbetjet inerte.

Kërkesën e fundit për informacion drejtuar Ministrisë së Rindërtimit e kemi dërguar më 11 qershor, ku pyesim për procesin e riparimit të pallateve të dëmtura, bazuar në deklaratat e kryeministrit Rama pak ditë pas tërmetit me pasoja tragjike.

Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, 11 qershor 2020

Edhe kjo kërkesë u injorua nga institucioni përgjegjës, duke shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin e të drejtës për informim.

Në 5 muaj kur kemi dërguar 6 kërkesa me 20 pyetje që nuk kanë marrë përgjigje, kemi konstatuar se premtimet apo deklaratat mbi të cilat është bazuar kërkesa jonë kanë rezultuar të pavërteta ose premtime të pambajtura. Nga përvoja e “Faktoje” lidhur me transparencën pothuaj inekzistente nga ana e Ministrisë së Rindërtimit, kemi vënë re se dhënia e informacionit (qe ne e kemi kërkuar në mënyrë zyrtare dhe në afatet që përcakton ligji) na është mohuar nga institucioni. Informimi është bërë ekskluzivisht nga titullari i saj, zoti Ahmetaj, gjatë daljeve publike sipas axhendës së vet.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img