Pandemia e koronavirusit COVID-19 që goditi globin shkaktoi qindra mijëra vdekje dhe një krizë të thellë ekonomike, e cila po shfaq pasojat çdo ditë. Sipas ministres së Ekonomisë Anila Denaj, papunësia pritet të shtohet me 50-60 mijë persona, ndërsa në fund të vitit mund të kapë shifra edhe më të larta. Por kryeministri Rama deklaroi se shumicën dërrmuese të të papunëve do ta rekuperojë në muajt në vijim. A është kjo e mundur?
Rreth 5 milionë persona rezultojnë të jenë prelur nga virusi i ri COVID-19 dhe më shumë se 320 mijë prej tyre humbën jetën, sipas të dhënave zyrtarë të OBSH. Krahas humbjeve njerëzore dhe kostove shëndetësore, bota vuan pasojat ekonomike që vazhdojnë të japin efektet.
“Një nga plagët më të mëdha sociale të kësaj pandemie është papunësia e cila, duke prodhuar të papunë prodhon edhe më shumë njerëz të varfër. Dhe është një ndër detyrat kryesore të paketave të çdo qeverie që ta fillojë ndihmën në ekonomi duke vënë në plan të parë të papunët dhe shtresat sociale.”- thotë eksperti i ekonomisë, zoti Arben Malaj për “Faktoje”.
Në Shqipëri, numri i personave të papunë llogritet të jetë rritur me të paktën 50 mijë persona dhe pritet të shtohet ende gjatë muajve në vijim, sipas një deklarate të datës 14 prill nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave, zonjës Anila Denaj.
“Ne sot flasim për një numër të papunësh, që marrim nga regjistrat e administratës tatimore, që shkon në 50 mijë të papunë, i cili mund të rritet në vijim, e mund të shkojë edhe një numër më i lartë.”- tha zonja Denaj.
Por kryeministri Rama më 12 maj në konferencën e parë, në video, me gazetarët që nga shpërthimi i pandemisë, foli me optimizëm për këtë çështje.
“Kemi shumë besim që brenda disa muajsh do të rekuperojmë pjesën dërrmuese të të gjithë humbjeve që kemi pasur në punësim.” – tha kreu i qeverisë.
Duke folur për “Faktoje”, ish-ministri i Financave, zoti Malaj, tregon se ka dy projeksione aktualisht për papunësinë në Shqipëri, njëra e bazuar tek Banka e Shqipërisë, ndërsa tjetra tek paketa ekonomike e qeverisë.
“Le të bazohemi në atë që thotë Banka e Shqipërisë, që në varësi nga rënia ekonomike, pra n.q.s. do kemi një rënie ekonomike deri në 9% i bie që papunësia në Shqipëri të rritet me 100 mijë veta. N.q.s. do bazohemi tek paketa e ndihmës që ka bërë qeveria deri tani, ajo ka përfshirë në paketën e papunësisë, 60 mijë të rinj, përveç atyre që mund të kenë qenë më përpara.”- tha zoti Malaj.
Sa u përket paketave të ndihmës, për individët dhe për biznesin, ish-ministri Malaj thotë:
“E para, duhen bërë funksionale paketat financiare në mbrojtje të tyre, që krijojnë kohezionin social. Pra qeveria tregon se ka kohezion, ata nuk janë të braktisur dhe kjo është një gjë e rëndësishme për perceptimin e tyre, për të ardhmen e tyre. Dhe e dyta, duhen bërë efektive, paketat e drejtuara për biznesin, ende nuk janë bërë efektive.”- tha ai.
The Economist në një artikull të publikuar në fillim të këtij muaji, me titullin “Pse të papunët në Amerikë mund të përballen me një dekadë të humbur”, jep projeksionet e papunëisë në një nga vendet më të zhvilluara në botë. Në përgjigje të pyetjes se sa e rëndë do të jetë kjo krizë, revista britanike shkruan se pika kulmore e papunësisë në vitin 2020 do të kapë një përqindje thuajse të njëjtë me periudhën ndërmjet krizës financiare globale dhe depresionit të madh të viteve 30’. Pas asaj krize, papunësia në Shtetet e Bashkuara ishte 10%, pas depresionit të madh të viteve ‘30 arriti deri në 25%. Në tremujorin e tretë të 2020, The Economist shkruan se papunësia në këtë vend do rritet deri në masën 16%.
Nëse një vend i zhvilluar si Shtetet e Bashkuara e ndjejnë në këtë mënyrë krizën, po ne?
I pyetur nëse preken më lehtë ekonomitë e mëdha apo të vogla, zoti Malaj është përgjigjur se nuk është çështje madhësie, por produktiviteti.
“Gjithçka e funksionimit të një ekonomie duhet të varet nga mirëqeverisja, nga lufta kundër kapjes së shtetit, korrupsionit, ambienti i biznesit, ambienti i pagimit të taksave, e drejta e pronësisë, pra sa më vibrante të jetë ekonomia, sa më të diversifikuar të jenë partnerët tregtarë dhe investitorët potencialë, aq më mirë mund të amortizohen goditjet që vijnë nga jashtë.
Ne si vend i vogël duhet të kemi parasysh që, si të thuash, një tështimë e lehtë në Bruksel, këtu vjen si tronditje tërmeti.” – tha ai.
Zoti Malaj beson se faktori suplementar, prej 1.1 mld eurosh të ofruara nga koferenca e donatorëve për rindërtimin, të cilat mund të investohen në ekonomi, mund të lehtësojnë situatën. Malaj thekson me rëndësi edhe dallimin ndërmjet llojeve të papunësisë.
“Nëse do duhet të zgjidhim problemin e papunësisë, duhet të merremi me papunësinë strukturore dhe kryeministri kur flet, duhet të flasë për papunësinë strukturore. Por, nga pikëpamja politike, politikanët flasin për papunësinë ciklike se aty mendojnë që ajo siç rritet shpejt, kur është shkaktuar nga një faktor i jashtëm, ashtu mund të shkurtohet shpejt. Kështu që duhet të bëjmë një dallim midis asaj që është realisht më e rëndësishme në qeverisjen e një vendi.”- sqaron Malaj.
Duke iu rikthyer papunësisë ciklike, për të cilën flet kryeministri, ish-ministri thotë se ajo do të zbutet, por vetëm nëse nuk kemi një rikthim të pandemisë.
“Papunësia ciklike, ata që po marrin ndihmë tani nga qeveria, nga buxheti, nga taksapaguesit do të zbutet, jam i bindur që do të zbutet, vetëm në qoftë se do të kemi një rikthim të pandemisë. Nëse nuk ndodh që zgjatet pandemia, ajo papunësi ciklike do të reduktohet, n.q.s. ndodh që rikthehet pandemia ajo (papunësia ciklike) mund të rikthehet prapë dhe njëkohësisht rënia ekonomike mund të jetë më e madhe.” – përmbylli zoti Malaj.
JOEL ÇELA