.

.

BallinaFaktometerPa kategoriVonesat e procesit të rindërtimit vënë në provë zotimet e kryeministrit Rama

Vonesat e procesit të rindërtimit vënë në provë zotimet e kryeministrit Rama

Një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit kryeministri Rama premtoi se të prekurit nga kjo fatkeqësi do hynin në shtëpitë e reja brenda vitit 2020. Në vijim të zotimeve ai madje garantoi se banesat e para individuale do ishin gati brenda 6 mujorit të parë të këtij viti. Por ky proces shënoi zvarritje e vonesa ende pa nisur pandemia. Më 10 mars nuk ishte shpallur ende gara për kompanitë që do ndërtonin banesat individuale. A do arrihet ndërtimi i banesave të reja ndërsa kanë mbetur 7 muaj nga fundi i 2020-ës?


Një ditë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, qeveria u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, ku u vendos krijimi i komitetit të rindërtimit. Qëllimi i tij, ashtu siç shpjegohet nga kryeministri Rama në videon e mbledhjes të postuar në Facebook, është sistemimi i të gjitha familjeve që humbën shtëpitë e tyre në banesa të reja.

“Sot krijohet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit që brenda vitit 2020 çdo familje që ka humbur shtëpinë, të sistemohet në shtëpinë e re.” – shkruante kryeministri Rama në këtë postim.

Këtë angazhim të ndërmarrë shumë shpejt pas ngjarjes tragjike, kreu i qeverisë e përsëriti edhe dy ditë më pas, më 29 nëntor, në një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit të ministrave.

“Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit.” – tha ai.

Por më 10 dhjetor, kryeministri Rama e ridimensionoi premtimin e tij mbi rindërtimin e shtëpive të dëmtuara rëndë nga tërmeti. Në një vizitë tek banorët në çadra, ai premtoi rindërtimin e plotë të shtëpive të reja të zonave rurale brenda vitit 2020, në ndryshim nga rindërtimi i të gjithë shtëpive në total që kishte premtuar më parë.

“Së shpejti nisim ndërtimin e shtëpive të reja dhe brenda vitit 2020, të gjitha familjet e dëmtuara të fshatit në shtëpi të re.” – shkroi zoti Rama në postimin e videos së vizitës në Rrubjekë të Shijakut.

Rreth dy javë më vonë, më 23 dhjetor, kryeministri Rama në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së grupit socialist. Këtë herë ai përmendi një element për të cilin nuk kishte folur më parë, shtëpitë individuale.

“Besoj që kemi një plan shumë solid për të nisur procesin e rindërtimit. Objektivi ynë është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda 6 mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re.” – tha ai.

30 dhjetor, gjatë komunikimit online me qytetarët për mbylljen e vitit kalendarik 2019, kreu i qeverisë lëvizi sërish nga premtimi i tij. Ai mbajti të njëjtin afat, fundin e vitit 2020, por jo më për të gjithë ata që kishin humbur shtëpitë në zonat rurale.

“Brenda vitit 2020 çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, duhet të hyjë në një banesë të re, më të mirë sesa ajo që ka humbur.” – tha ai.

14 janar, në vizitën në shtëpinë e një familjeje në Vorë, zoti Rama iu rikthye premtimit sipas të cilit do të përfundonin të gjithë shtëpitë në zonat rurale brenda vitit 2020.

Me shfaqjen e pandemisë së COVID-19  kryeministri garantoi se koronavirusi nuk do t’i ndalte dhe nuk do të zvogëlonte planet e rindërtimit:

Por më 12 maj, ai pranoi se situata e pandemisë e ka vonuar procesin e rindërtimit. Për këtë shkak, nuk është përfunduar as gara e FSHZH për shtëpitë individuale, për të cilat ishte parashikuar të fillonte punë më 10 mars, siç kemi shkruar më parë.

“Kemi pasur një vonesë besoj objektive të shkaktuar nga situata e pandemisë, por jo në anën tonë, por thjesht për ndërveprimet e nevojshme me të tjerët. Ndërkohë që këtë javë në dijeninë time finalizohet gara e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shtëpitë individuale dhe besoj fillon puna.” – tha kreu i qeverisë.

Pjesë nga raporti i prezantuar nga ministri Ahmetaj

Sipas raportimit që Ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj, bëri për donatorët më 11 maj, aktualisht ka përfunduar vlerësimi i thelluar për 3,529 shtëpi individuale dhe ky proces pritet të përfundojë më 20 maj. Ai bëri gjithashtu me dije se deri tani janë bërë 48,708 aplikime në platformën elektronike nga qytetarët për programin e rindërtimit. Kujtojmë se më 17 shkurt u zhvillua konferenca e donatorëve gjatë së cilës u premtuan 1.15 miliardë euro nga donatorët e huaj për rindërtimin, ku 300 milionë ishin grante, ndërsa 600 milionë euro ishin hua.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img