Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar shkaktoi dëme në shkallët DS1, DS2 dhe DS3 në 153 banesa në Vlorë dhe në 146 banesa në Elbasan. Asnjë prej pronarëve të banesave që pësuan dëmtime nuk përfituan dëmshpërblim, ndërsa bashkitë thonë se riparimet do t’i kryejnë qytetarët me shpenzimet e veta.
Dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit u shtrinë në një rreze më të gjatë sesa në bashkitë më afër epiqendrës së tij. Përveç qarqeve të Durrësit, Lezhës, Tiranës, Krujës, etj. dhjetëra banesa u dëmtuan edhe në Vlorë dhe Elbasan.
Më 19 gusht, “Faktoje” pyeti Bashkinë Vlorë lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, nga ku u konfirmua dëmtim në shkallët DS1, DS2 dhe DS3 në 153 banesa.
Bashkia Vlorë me urdhër të brendshëm të Kryetarit Z. Dritan Leli mblodhi Komisionin Vendor të Emergjencave Civile më datë 26.11.2019 me nr. prot . 10270. Komisioni Vendor i Emergjencave Civile pasi bëri evidentimin e rasteve dhe vlerësimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti u konstatua se kemi të bëjmë me dëmtime të shkallës DS1; DS2 dhe DS3 – thuhet në përgjigjen zyrtare të institucionit.
Po sipas kësaj përgjigjeje rezultojnë se 66 banesa ishin dëmtuar në shkallë DS1 (banesa të dëmtuara shumë lehtë), 57 në shkallën DS2 (banesa të dëmtuara lehtë) dhe 30 në shkallën DS3(banesa të dëmtuara rëndë).
“Faktoje” pyeti edhe nëse Bashkia Vlorë kishte ofruar fonde për mbulimin e dëmeve në këto banesa, por institucioni konfirmoi se nuk kishte alokuar fonde për këtë qëllim.
Nga Bashkia Vlorë nuk ka përfituar ndihmë financiare asnjë familje dhe këto familje të dëmtuara janë shprehur se do të bëjne vetë riparimet me mjetet e tyre financiare – thuhej në përgjigjen e Drejtorisë së Mbrojtjes Civile në Bashkinë Vlorë.
Bashkia Vlorë konfirmoi gjithashtu për Faktoje se vetëm 4 familje janë trajtuar me bonus qiraje pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Theksojmë se 4 nga këto familje janë trajtuar me bonus qiraje, mbasi banesat ku ata jetonin nuk ishin në pronësi të tyre – thuhej në përgjigjen e Drejtorisë së Mbrojtjes Civile në Bashkinë Vlorë.
Ne u interesuam edhe në bashkinë e Elbasanit, për numrin e banesave të dëmtuara në këtë zonë dhe si janë trajtuar ato.
Ky institucion na u komunikoi se 146 banesa janë dëmtuar në shkallët DS1; DS2 dhe DS3 si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.
Bashkia Elbasan sqaroi se asnjë nga 146 familjet e dëmtuara nuk përfiton dëmshpërblim, pasi nuk ishte shpallur “Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore” në këtë qark.
Ndërkohë, edhe në qarqet ku u shpall “Gjendja e fatkeqësisë natyrore” (Durrës, Lezhë dhe Tiranë), procesi i dëmshpërblimeve ndaj familjeve, banesat e të cilëve u dëmtuan në shkallët DS1; DS2 dhe DS3 ka ecur me ritme të ngadalta e shpeshherë jashtë afateve. Po ashtu, përtej dëmshpërmblimve, procesi i rindërtimit në tërësi po ecën jo në ritmet e pritura.
* Foto ballore është marrë në web.