BallinaPertejRinisja e imponuar e transportit urban dhe zbatimi gjysmak i masave kundër Covid-19

Rinisja e imponuar e transportit urban dhe zbatimi gjysmak i masave kundër Covid-19

Edit Nikolli & Marjo Brakaj

Transporti urban rinisi këtë të hënë aktivitetin pas 115 ditësh pezullim, nën një protokoll të posaçëm, kundër përhapjes së Covid-19. “Faktoje” bëri një vëzhgim në tre linjat kryesore të transporit urban në Tiranë, nga ku u konstatua respektim i pjesshëm i masave ndaj Covid-19. Mungesa e posterave sinjalizues, dezinfektantëve apo mosmbajtja e maskave nga disa pasagjerë gjatë udhëtimit apo në stacione, ishin disa nga problematikat e konstatuara.


Pas 115 ditësh pezullim të aktivitetit, rreth 300 autobusë që i përkasin 16 linjave qytetase të Tiranës, rinisën aktivitetin. Në kryeqytet, transporti me autobus frekuentohej nga të paktën 200 mijë pasagjerë në ditë, shifra të raportuara para se të shfaqej pandemia. “Faktoje” pyeti disa prej operatorëve të transportit urban sesi paraqitej frekuentimi në ditën e parë të rinisjes së aktivitetit dhe thuajse të gjithë raportuan për një reduktim me të paktën 50% të pasagjerëve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte njoftuar se transporti urban do ta riniste aktivitetin më 15 qershor, por vendimi u kundërshtua nga shoqatat e transportit urban qytetas dhe ndërqytetas.

Të premten më 3 korrik, pas më shumë se 5 protestash, shoqatat e transportit urban arritën marrëveshjen me bashkinë Tiranë për të rinisur aktivitetin prej ditës së hënë, 6 korrik. Rinisja e transportit urban në Tiranë diktoi nevojën për zbatimin e masave të posaçme kundër Covid-19 të hartuara nga Ministria e Shëndetësisë. Thelbi i marrëveshjes qëndron në faktin se për zbatimin e protokollit të posaçëm kundër ‘Covid-19’ nuk do ngarkohen shoqëritë e transportit urban, por përgjegjësia do jetë individuale. Rinisja e transportit urban u shoqërua me nevojën për përmbushjen e disa pikave si pjesë përbërëse e protokollit kundër pandemisë “Covid-19”.


Marrëveshja për rinisjen e transportit urban

Gjatë një verifikimi që “Faktoje” bëri në terren, konstatoi se shumë prej masave detyruese për mbarëvajtjen e transportit urban në kryeqytet, gjenin zbatueshmëri pjesërisht e disa të tjera aspak.

Pika 7 e protokollit të sigurisë së transportit qytetas dhe rrethqytetas dikton nevojën për pajisjen e autobusëve me sinjalizues, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por, posterat sinjalizuas mungonin, së paku në linjat urbane Kombinat-Kinostudio, Tirana e Re dhe Unaza.

“Faktoje” pyeti Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas lidhur me mungesën e posterave sinjalizues si masë kundër Covid-19. Sipas kësaj shoqate, marrja e vendimit për nisjen e transportit urban ditën e shtunë, nuk iu la kohë për vendosjen e posterave apo masave të tjera.

Një tjetër problem me stacionet e transportit urban ishte mungesa e posterave identifikues me qëllim garantimin e distancimit fizik.

Edhe mbajtja e maskave nga qytetarët gjatë udhëtimit në autobus, nuk zbatohej nga të gjithë.

Mbajtjen e maskave e shmangnin edhe qytetarë që prisnin në stacionet e transportit urban.

Një ndër masat e vendosura në protokollin e sigurisë së transportit urban ishte dhe vendosja e dezinfektantëve me bazë alkooli. Në tre linjat që “Faktoje” verifikoi, konstatoi se ato ishin vendosur vetëm në autobusët e linjës “Tirana e Re”. Shoqata e Transportit Urban Qytetas, duke pranuar mungesën e marrrjes së masave në disa linja i tha “Faktojes” se dezinfektantët gjithsesi do përdoren vetëm nga stafi (shoferi, fatorino apo kontrollori) dhe jo nga pasagjerët.

Një tjetër problem i trashëguar nga transporti urban në Tiranë dhe që mund të rezultojë penalizues për shëndetin e pasagjerëve, është moszbatimi i orareve nga autobusët.

Normalisht që nëse autobusi vjen një herë në 10 minuta, do grumbullohen shumë njerëz. Duhet të shpeshtohet lëvizja me qëllim mosgrumbullimin e shumë njerëzve në një urban”-i tha “Faktojes” një qytetar që priste në stacion autobusin e linjës së “Unazës”.

Rinisja e detyruar dhe e nxituar e transporit urban, për shoqatat e transportit urban nuk nënkupton faktin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Shoqatat e transportit urban i thanë “Faktojes” se nëse kushtet ekonomike të kërkuara nuk do plotësohen, transporti urban do e ndërpresë sërish aktivitetin në fundin e javës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img