BallinaPertejTestimi serologjik dhe paqartësitë mbi shtrirjen e procesit

Testimi serologjik dhe paqartësitë mbi shtrirjen e procesit

Ministria e Shëndetësisë nuk ka kryer asnjë test serologjik që prej 23 korrikut e deri më 13 gusht, edhe pse kishte deklaruar se ky proces do shtrihej te një kampion i popullatës, pas kryerjes tek personeli shëndetësor dhe punonjësit e policisë. Por, nga 16 mijë individë të frontit të parë, që ishin planifikuar, u kryen vetëm 4 mijë teste serologjike, vetëm tek mjekët e infermierët. “Ndërprerja” e kryerjes së testeve nga Ministria e Shëndetësisë ndodhi vetëm pak ditë pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve për Koronavirusin miratoi kryerjen e tyre nga klinikat e licencuara private.


Më 18 prill, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi nisjen e testeve serologjike në laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri – u shpreh Manastirliu.

Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, sipas Ministrisë së Shëndetësisë ishin në dispozion 6,000 teste serologjike.

Më 29 qershor, Manastirliu deklaroi se deri në atë moment ishin kryer më shumë se 8 mijë teste serologjike, nga ku rezultoi në fakt se shifra ishte jo e qartë.

Pas një artikulli të publikuar nga “Faktoje”, Laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT, reagoi duke konfirmuar se deri më 08.07.2020, 10 ditë pas deklaratës së Manastirliut, ishin kryer 8,020 testime serologjike për 4,010 individë.

Reagimi nga Laboratori i Mikrobiologjisë, QSUT

Por, pas një “Kërkese për informacion” drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, më 27.07.2020, me pyetjen “Sa teste serologjike janë kryer në total”, ajo konfirmoi se ishin kryer 4000 testime serologjike, tek personeli shëndetësor.

Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë

Më 19 korrik, Komiteti Teknik i Ekspertëve, miratoi protokollin për fillimin testimeve serologjike edhe nga klinikat private, kundrejt pagesës.

Ne do të vazhdojmë me kryerjen e testeve serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT. Po kështu, është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjik në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik – deklaroi ministrja Manastirliu.

Por, më 26 qershor, shefi i Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi, njoftoi përfundimin e testimeve serologjike. Koraqi konfirmoi se ishin kryer 4 mijë testime në personelin shëndetësor, shifër kjo 4 herë më e vogël se numri total prej 16 mijë individësh që përfshin stafi mjekësor në vend.

Përqindja është e ulët, po flasim për 4 mijë personel të testuar dhe vetëm 5.8 % kanë dalë pozitiv ndaj Covid-19 – deklaron ai për televizionin A2CNN.

Deri më tani asnjë punonjës policie nuk i është nënshtuar testimit serologjik, ndryshe nga ç’u premtua nga ministria gjatë muajve të mëparshëm. Po ashtu sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, deri më 13 gusht, asnjë qytetar nuk i është nënshtruar testimit serologjik.

Edhe nga verifikimi i “Faktoje”, i raportimeve të përditshme mbi ecurinë e testimeve nga Ministria e Shëndetësisë, rezulton se prej datës 23 korrik nuk është kryer asnjë test serologjik prej saj.

Nga ana tjetër, me liberializimin e kryerjes se testeve serologjike nga klinikat e licensuara private, ato ofrohen me një çmim prej 3-4 mijë lekësh të reja. Nga vëzhgimi i Faktoje rezulton gjithashtu se “ndërprerja” e kryerjes së testeve nga laboratori shtetëror, nisi vetëm pak ditë pas lejimit të klinikave private për kryerjen e tyre.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img