.

.

BallinaFaktometerPa kategoriTestet e shpejta për Covid-19, deklarata në kronologji, por pa rezultate konkrete

Testet e shpejta për Covid-19, deklarata në kronologji, por pa rezultate konkrete

Aplikimi i testeve të shpejta të antigjenëve me qëllim diagnostifikimin e personave të dyshuar si të prekur nga virusi Sars-Cov-2, u njoftua nga ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, dy javë pas shpërthimit të pandemisë “Covid-19” në vend. Megjithëse kanë kaluar më shumë se 250 ditë nga nisja e pandemisë, Shqipëria vijon të mos aplikojë testet e shpejta, ndryshe nga shumë vende në Europë apo Rajon. Institucionet ndërkombëtare të shëndetësisë si OBSH apo CDC  kanë autorizuar aplikimin e tyre ndërsa mjekë epidemiologë pohojnë pasja e tyre do ndihmonte ndjeshëm në menaxhimin e pandemisë.


Po jemi në tratativë, jemi duke punuar kjo vetëm për të rritur stokun e testeve ekzistuese por edhe për të hapur gamën e testimit të shpejtë për sa i parkete testeve të reja. Jemi duke ndjekur rekomandimet e OBSHdeklaronte më 23 mars ministrja Manastriliu në një intervistë për ABC News.

Më 10 tetor 2020, ministrja Manastirliu, gjatë konferencës për media konfirmoi se po punohej për të pasur testet e shpejta të antigjeneve.

Në përgatitemi për të rritur akoma më shumë testimin nëpërmjet laboratorit back-up dhe sigurisht në pritje për testet e shpejta, të kemi mundësi të vijojmë rritjen e testimeve në të gjitha ato struktura të rëndësishme që ne kërkojmë të vijojmë aktivitetin, siç janë shkollat, siç është biznesi, siç janë ndërmarrjet e mëdha – u shpreh Manastirliu.

Sërish më 29 tetor 2020, gjatë seancën plenare në Kuvend, ripohoi se po punohej për pasjen e testeve të shpejta.

Ne thamë dhe i qëndrojmë deri në fund që me shtimin e rasteve pas hapjes, strategjia e vjeshtë dimrit përfshin rritjen e nurmit të testimeve, kjo ndodhi, nga qershori deri më sot është katërfishuar numri i testeve, po përgatitemi për të rritur testimet edhe duke përfshirë tesimin e shpejtë, testin e antigenit siç quhet ndryshe – u shpreh Manastirliu.

Më 9 nëntor 2020, Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik e njëherazi anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve për Koronavirusin, Silva Bino deklaroi gjithashtu se do aplikoheshin testet e shpejta.

Do futen testet e shpejta që do të përmirësojë testimin dhe gjurmimin dhe do të ulë kohën e pritjes. Rezultati del për 40 minuta. Mund të kryhen pranë qendrave shëndetësore, pranë spitaleve rajonale, kjo do të rrisë kapacitetet e testimit dhe dhëniet e përgjigjes – u shpreh Bino.

Drejtuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, të enjten më 11 nëntor njoftoi se testet e shpejta kërkonin 8 deri në 10 javë të përgatiteshin e më pas të mbërrinin në Shqipëri.

Jemi marrë me kohën e dorëzimit të testeve të shpejta pas 8 apo 10 javësh. Ne po përpiqemi ta përshpejtojmë. Shkenca ka lëvizur shpejt. Të gjithë po koordinohemi për të përshpejtuar këtë punë, njoftoi Klug.

Ministrja Manastirliu, më 15 nëntor, për të disatën herë ripërsëriti se po punohej për pasjen e testeve të shpejta të antigeneve.

Jemi të përgatitur për të financuar testet e shpejta të antigenit. Ku është bërë porosia nëpërmjet instrumentit të Bashkimit Europian për 300 mijë teste të shpejta të antigenit. Ashtu sikurse e pohoi Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europen, Dr. Hans Kluge, 200 mijë teste do të vijnë për Shqipërinë, për javët në vijim, sigurisht sipas procedurave të tyre – deklaroi Manastirliu.

Megjithëse vijon të deklarohet se “po punohet për sigurimin e testeve të shpejta të antigeneve”, Shqipëria vijon të mos mund t’i kryejë ato.

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, në një postim në rrjetin social “Facebook”, më 3 tetor renditi edhe disa prej avantazheve në raport me testin e tamponit që aplikohet aktualisht.

Postim në facebook i epidemiologut klinik, Ilir Alimehmeti

Por çfarë është testi i shpejtë i antigeneve?

Testet e COVID ndahen në 2 kategori: teste diagnostikuese, si tamponi dhe analiza e antigjenit, të cilat kërkojnë gjurmë të virusit SARS-CoV-2, dhe testet e antitrupave (serologjike), që kërkojnë molekula të prodhuara nga ata që kanë ranë në kontakt me virusin.

Ndryshe nga tamponi klasik i hundës dhe laringut, të dizenjuara për ta zbuluar ARN virale përmes një teknike të quajtur RT-PCR (reaksion zinxhir i kundërt i polimerazës), testi i antigjenit kërkon proteinat virale që janë të afta të lidhen me antitrupat, pra ato molekula që njihen si të huaja nga trupi ynë, dhe që shkaktojnë reagimin e sistemit tonë imunitar.

Edhe testet e antigjenit bëhen duke marrë një tampon me sekrecione nga hunda ose fyti, një procedurë kjo e kryer nga personeli i specializuar shëndetësor. Nëse ekzistojnë antigjenet virale, antitrupat i gjejnë dhe i lidhin ato, dhe testi rezulton pozitiv. Nëse nuk janë të pranishme, ose janë të pranishme në sasi shumë të ulëta, testi del negativ. Rezultatet jepen në një kohë nga 15 deri në 45 minuta, dhe lexohen me lehtësi (nëse ka ndonjë infeksion, shiriti e ndryshon ngjyrën).

Disa vende në Europë e madje edhe në Rajon kanë nisur të aplikojnë testet e shpejta të anigeneve me qëllim identifikimin e raste të dyshuara si të prekur nga virusi Sars-Cov-2.

Britania e Madhe, Gjermani dhe Italia kanë aplikuar tashmë testet e shpejta të antigjenit. Maqedonia e Veriut, tashmë raporton se kanë mbërritur 13 mijë testet e para të shpejta dhe aplikimi i tyre do nisë nga dita e nesërme.

Lexo dhe: Testi për COVID-19 në Shqipëri, më i shtrenjtë se në rajon

Lexo dhe: ‘Mishmash’ me numrin e testeve dhe të prekurve nga COVID-19

*Foto ballore është ilustruese, e marë nga rrjeti social “Facebook” i ministres Ogerta Manastirliu

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img