BallinaRajoni përmes fakteveEfekti “Copycat” dhe raportimi i vetëflijimeve të pacientëve të infektuar nga Sars-Cov-2

Efekti “Copycat” dhe raportimi i vetëflijimeve të pacientëve të infektuar nga Sars-Cov-2

Në Shqipëri, katër pacientë të shtruar në spitale të ashtuquajtur “COVID” kanë kryer aktin e vetëflijimit duke u hedhur nga dritaret e pavionet ku qëndronin, veprime për të cilat kanë nisur edhe hetimet nga Prokuroria e Tiranës. Vetëflijimet e pacientëve të infektuar me virusin Sars-Cov-2 nuk raportohen në asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe autoritete të larta të medias po bëjnë thirrje për “kujdes” në raportimin e ngjarjeve të fenomenit të vetëvrasjes me qëllim shmangien e fenomenit “Copycat”.


Katër pacientë në katër muaj kanë kryer aktin e vetëflijimit duke u hedhur nga dritaret e pavionet ku qëndronin në spitalet “Shefqet Ndoqi” dhe “Infektiv” të njohur edhe si spitalet “Covid”.

Prokuroria e Tiranës ka nisur edhe një hetim me qëllim zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në kryerjen e këtyre akteve. Sipas të dhënave në mënyrë informale, “Faktoje” pohon se hetimet po kryhen nga dy prokurorë dhe për zbardhjen e ngjarjeve janë marrë në pyetje familjarë të viktimave, të afërm si dhe personeli dhe drejtuesi i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi. Informalisht pohohet se prokurorët nuk kanë zbuluar të dhëna diktuese në zbardhjen e shkaqeve, megjithëse veprimet kqyrëse vijojnë.

Spitali “Shefqet Ndroqi” ku kanë ndodhur edhe tre raste të vetëvrasjeve, ka shprehur bindjen se stafi nuk ka treguar neglizhencë duke kërkuar nga aktorët politikë e mediatikë mbështetjen e tyre në punën që bëjnë.

Nga një kërkim përmes motorëve të kërkimit, vendet e Rajonit si Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi apo Bosnja dhe Hercegovia nuk raportojnë raste të ngjashme, të ndodhura në spitale. Nga një kërkim përtej vendeve të rajonit rezulton se në disa vende europiane, si Italia, kanë ndodhur raste të akteve të vetëflijimit të pacientëve të infektuar me koronavirus teksa qëndronin në spitale.

Në kushtet ku ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi shkaqet e vetëvrasjeve në spitalet universitare në Shqipëri, mjeku epidemiolog klinik e njëherazi zv.Dekani i Universitetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti rekomandon kujdes në raportimet mbi këto tipologji rastesh me qëllim shmangien e efektit “Copycat”.

Për mendimin tim është një problem që të gjitha këto raste transmetohen në media. Është një fenomen i njohur shumë mirë, vetëvrasja “Copycat”. Pra vetëvrasja e imituar. Imitojnë rastet që transmetohen në media. Kjo është arësyeja se pre raste të tilla nuk duhet të transmetohen në media. Patjetër duhet të investigohen dhe hetohen, por jo të transmetohen me detaje – argumentoi në një intervistë televizive mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti.

Efekti “Copycat” i thënë ndryshe edhe “imitimi” është akti i kryerit të vetëvrasjeve duke imituar raste të tjera të mëhershme. Sipas revistave shkencore, ky efekt nxitet kryesisht nga raste pararendëse në të cilat paraqiten deri në detaje raste të vetëvrasjeve.

Edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri, në një linjë të ngjashme kërkoi nga trasmetuesit mediatik të evitonin raportimin me detaje të rasteve të tilla.

Nisur nga pasqyrimi më i fundit nga mediat audiovizive i një rasti të rëndë si përpjekje për vetëvrasje i një pacienti në spitalin infektiv në Tiranë, apelojmë që të evitohet transmetimi me detaje të akteve të tilla dëshpëruese… Transmetimi dhe ritransmetimi me imtësi i rrethanave tragjike në ekrane sjell impakt me nota dëshpëruese tek audienca– deklaroi në një reagim, të mërkurën më 11 nëntor Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri.

Revista shkencore “The Lancet”, rekomandon gjithashtu kujdes të shtuar gjatë raportimit të rasteve të tilla pasi ato mund të nxisin akte të ngjashme tek audienca.

Raportime të akteve të tilla mund të sjellin ndikim në shtimin e rasteve të vetëdëmtimit apo vetëflijimit në popullatën e gjerë. Kjo është çështje e cila kërkoj kujdes të shtuar gjatë pandemisë “Covid-19”. Mbullimi me detaje deri në të ndjeshme të rasteve të vetëvrasjeve mund të rrisë rrezikun duke kontriubuar në kryerjen e akteve të tilla imituese nga persona të tjerë – thuhet në udhëzimet e revistës shkencore “The Lancet”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img