.

.

BallinaPremtimeSi u zhduk Boboshtica nga programi i “100 fshatrave“

Si u zhduk Boboshtica nga programi i “100 fshatrave“

Në Boboshticë, fshatin krejtësisht pa infrastrukturë turistike, mungon Muzeu i Rakisë dhe çdo vepër tjetër e premtuar në 2019-n, që do të ishte në funksion të turistëve. 5 vjet pas premtimit elektoral të kryebashkiakut Sotiraq Filo dhe qeverisë, Faktoje zbulon se plani madhor për Boboshticën është fantazmë. Bashkia e Korçës ia atribuon zbatimin FSHZH, por askush nuk flet për vlerën e financimit dhe si ky projekt ‘rrëshqiti’ nga AZHBR. Pavarësisht shkeljes së premtimit, Boboshtica i qëndron besnike prodhimit të rakisë thuajse në çdo familje.

Xhensil Shkëmbi

“Fshati që i hapi rrugën turizmit në Korçë, me restorantet dhe rakinë e famshme të manit, do të ketë vëmendje të shtuar në 4 vitet e ardhshme. Infrastruktura e përmirësuar dhe Muzeu i Rakisë do të rrisin numrin e vizitorëve, duke shtuar të ardhurat e çdo familjeje boboshtare” – premtoi në 7 Qershor 2019 kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo i cili kandidonte për mandatin e radhës.

Muzeu i Rakisë në fakt ishte epiqendra e zhvillimit gjithëpërfshirës të Boboshticës, fshatit me traditën e prodhimit të rakisë, vetëm 7 kilometra larg qytetit të Korçës. Ministrja e Kulturës Elva Margariti madje ua shpejgoi me detaje si do të shndërrohej Boboshtica, kryeministrit Rama, drejtueses së AZHBR në atë kohë, Frida Krifca dhe kryebahskiakut të rizgjedhur të Korçës, Filo, ndërsa të gjithë së bashku inspektonin Muzeun e ardhsëm të Rakisë, një ndërtesë të vjetër disakatëshe.

“Ideja është që të krijojmë funksionet që i japin jetë gjithë fshatit dhe që të gjithë banorët të vijojnë të punojnë për këtë strukturën e re. Të rikualifikohet edhe e gjithë zona përreth, të jepet një shembull i mirë se si mund të përdoren gjithë këto shtëpi që janë një pjesë të abandonuara, një pjesë është në përdorim familjar, kthimi në bujtina edhe në shërbim gjithmonë të muzeut, të shfrytëzohen edhe hapësirat publike përreth.  – deklaronte Margariti në mesin e korrikut 2019, duke shpjeguar sesi aty do të kishte shkollë kulinarie, info-point për turistët e të tjera.

Ky plan ishte pjesë e projektit “100 fshatrat“, megjithatë askush nuk e ka parë deri më sot me sy realizimin e tij.

5 vite më vonë

Në fund të janarit 2024 shkuam në Boboshticë ku gati 5 vite më parë u dha premtimi madhor. Verifikimin e nisëm pikërisht nga ndërtesa që duhej të ishte kthyer në muze tashmë.

Ndërtesa e planifikuar për Muzeun e Rakisë, Boboshticë, janar 2024

“Muzeu“ ka mbetur po ajo ndërtesë e mjeruar, ku prej më shumë se 4 vitesh strehohen dy familje nga Floqi, pasi tërmeti i 2019-s u shkatërroi banesat.

Kur tentuam të bisedojmë me ta nëse kishin ndonjë njoftim për t’u zhvendosur në banesat e reja, asnjë prej familjeve nuk pranoi të fliste. Ajo që dihet është se ato janë në pritje të vazhdueshme që Bashkia Korçë t’u sigurojë banesat e reja.

Realiteti me të cilin përballesh ndërsa përshkon rrugët e fshatit ku janë a s’janë gjithsej 300 banorë, nga mbi 2000 që raportohej para viteve ’90, është mungesa e njerëzve, për shkak të emigracionit masiv.

Ajo çka gjetëm ishin rrugët e boshatisura e të shkelura herë pas here vetëm nga disa të moshuar. Më tepër sesa një fshat që ofron turizëm, Boboshtica sot shërben si ndalesë disaorëshe për të shijuar një drekë apo darkë për turistët që kanë destincion Dardhën apo që kthehen prej qëndrimit andej. Ajo që nuk mungon është rakia e prodhuar aty.

Boboshticë, janar 2024

Në Boboshticë sot zhvillojnë aktivitetin e tyre diku te 9 restorante dhe përveç dy kishave, vështirë të gjesh infrastrukturë që e bën turistik këtë fshat, për të mos folur për veprat e premtuara në 2019-n.

“Faktoje” takoi kryeplakun e fshatit Boboshticë, Z.Kostandin Xhoxhi i cili tregon se gjithçka është premtuar ka mbetur e parealizuar. Asnjë punojës i bashkisë së Korçës apo qoftë nga FSHZH nuk është dukur në Boboshticë për të inspektuar zonën në lidhje me këtë ide.

“Këtu çdo familje merret me rakinë e manit. Janë rreth 120 familje që ka secila kazan në shtëpinë e vet dhe nxjerrim raki. Për ne do të ishte shumë mirë në qoftë se do të ndërtohej ky muze, do na bëhej reklamë e madhe dhe besoj se turistët do të blinin rakinë e Boboshticës e do merrnim një nam të madh në Shqipëri. Deri tani, reklama dhe promovimi ynë ka qenë shumë minimal nga ana e pushtetarëve ” – thotë kryeplaku Kostandin Xhixho.

Koli Guna, njëri nga banorët e Boboshticës tregohet skeptik përsa i përket ndërtimit të këtij muzeu për shkak të braktisjes që ka pësuar fshati nga emigracioni.

“Po për çfarë na duhet ky muzeu i Rakisë ne banorëve në Boboshticë? Secila shtëpi këtu bën afro 30-40 litra raki, që i shesim direkt e mbajmë për të pirë dhe për vete. Manat këto kanë qënë, këto janë. Se mos ka të rinj këtu që të investojmë tek rakia e manit? Ne vetëm pleq kemi ngelur këtu. Pastaj ja ta quajmë që e bënë muzeun. Këtu ku ka turistë? Vijnë ca njerëz të hanë mish shqerre, e ikin. Çfarë do shohin në Boboshticë, ne pleqtë? – përfundon Koli Guna.

Nga biseda me të moshuarin mësojmë se secila shtëpi ka afro 3-7 pemë mani, një frut i vogël, i ëmbël dhe aromatik, të cilin e vjelin gjatë sezonit të verës. Kësaj tradite i kushtohet edhe Festa e Rakisë në Boboshticë, ndonëse vitet e fundit ka gjithnjë e më pak pjesëmarrës siç dëshmojnë banorët e mbetur në këtë fshat.

Cfarë thonë autoritetet?

Përmes një kërkese për informacion ne iu drejtuam bashkisë Korçë me pyetjet se cilat janë arsyet e mosrealizimit të premtimit për Muzeun e Rakisë.

Në përgjigjen zyrtare, Bashkia e Korçës specifikon se muzeu i Rakisë vijon ende të jetë një ide, e cila nuk është zbatuar dhe se zbatimi i koncept-idesë do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Bie në sy se gjatë verifikimit të kryer nga Faktoje në vitin 2020 në një përgjigje zyrtare bashkia Korçë ia atribuonte në atë kohë realizimin e këtij projekti AZHBR-së në kuadër të projektit madhor “100 fshatrat“.

Mirëpo kur pyetëm AZHBR përmes një kërkesë zyrtare në shkurt të këtij viti, ajo ia delegoi kërkesën Ministrisë së Bujqësisë, e cila refuzoi të kthejë përgjigje.

Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmoi për Faktoje se projekti në fjalë është ende në fazë konceptimi dhe formësimi ndërkohë që vlera e financimit nuk bëhet e ditur.

Burime pranë këshillit bashkiak të Korçës konfirmuan se në buxhetin e miratuar për vitin 2024 nuk rezulton ndonjë zë për ndërtimin e Muzeut të Rakisë në Boboshticë, një premtim që s’është çudi të riciklohet për propagandë mbi turizmin apo fushatat e ardhshme elektorale.

Përfundim

Premtimin e artikuluar nga kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo dhe i propaganduar edhe prej qeverisë në vitin 2019 për ndërtimin e Muzeut të Rakisë dhe zhvillimin e turizmit rural në Boboshticë, do ta kategorizojmë të pambajtur.

*Shkrimi është pjesë e thirrjes për konkursin kombëtar të shkrimeve fact-checking

Çmimi i parë do të vlerësohet me çmimin “Fatos Baxhaku”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img