Një video e kryeministrit shqiptar Edi Rama ku mbështeste kandidaturën e Rexhep Taip Erdogan, për një mandat të tretë si president i Turqisë, zuri vend në raportimet dhe analizat e mediave, turke, shqiptare dhe greke. Secila jep narrativa të ndryshme në lidhje me këtë akt, që nisin nga kthimi i ‘borxhit‘ për mikun e ditëve të vështira Erdogan, tek sfidimi i vendeve të perëndimit duke mbështetur pushtetin autoritarist, e deri tek shkëmbimi i favoreve elektorale mes dy liderëve.

Barbara Halla

Më datë 14 maj, në të njëjtën ditë që në Shqipëri mbaheshin zgjedhjet vendore, në Turqi, qytetarët iu drejtuan kutive për të votuar presidentin e ri të vendit. Presidenti në detyrë, Rexhep Taip Erdogan i cili njihet për marrëdhëniet e ngushta me kryeministrin Rama, po kërkonte një mandat të tretë. Një javë para ditës së zgjedhjeve, kryeministri Rama publikoi një video ku shprehte mbështetjen pro Erdoganit.

Mesazhi prej mbi dy minutash nga Rama është dhënë në shqip dhe transmetuar nga mediat turke i përkthyer me titra. Përgjatë këtij mesazhi mbështetës, Rama shprehet se ka konsideratën më të lartë për Presidentin Erdoğan. Ai thekson gjithashtu rolin që Turqia ka luajtur në luftën në Ukrainë, në njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe mbështetjen e Shqipërisë, duke e quajtur Erdoganin një mik të mirë në ditë të vështira.

Mbulimi mediatik shqiptar

Ky mesazh i Ramës u përcoll me tone ironike dhe negative nga mediat shqiptare. Ndonëse disa prej tyre publikuan thjesht lajmin se Rama kishte dalë në mbështetje të Erdogan me videon, të tjera e përdorën si pjesë e një narrative më të gjerë rreth marrëdhënieve midis Ramës dhe Erdoganit. Në përgjithësi, mediat shqiptare u fokusuan si tek afërsia historike midis dy liderëve, por edhe e përdorën këtë si pjesë e mbulimit zgjedhor në Shqipëri. Për ato portale dhe media kundër kryeministrit, akuzat dhe e shkuara e Erdoganit si një lider autokrat me tendenca të dhunshme justifikuan portretizimin e Ramës me të njëjtat akuza.

Burim: Pamfleti

Në përgjithësi, dy ishin tendencat kryesore mediatike: Së pari, ky mesazh i Ramës u portretizua si një përpjekje për t’i qëndruar besnik Erdoganit duke marrë parasysh ndihmën financiare dhe politike që Erdogan i ka dhënë kryeminitrit shqiptar ndër vite.

Burim: Gazeta Standard

Gazetari Stavros Tzimas i gazetës greke Ekathimerini shkruan se Erdogani po përpiqet ta mbajë afër Ramën për të forcuar prezencën myslimane në Ballkan dhe se Rama ka dhënë mbështetjen e tij, pasi ka detyrime financiare ndaj Erdoganit.

“Madje disa zëra në Shqipëri sugjerojnë se ka detyrime financiare [ndaj Erdoganit],” thuhet tek Ekathimerini edhe përse nuk përmenden burimet e këtyre zërave.

Megjithatë është e vërtetë që në vitet e fundit Rama ka theksuar ndihmën financiare që ka dhënë Turqia për Shqipërinë në rimëkëmbjen nga tërmeti, apo ndërtimin e spitaleve. Në rastin e vaksinave kundër Covid-19, komplimentat ndaj Turqisë kanë ardhur edhe duke minimizuar ndihmën e dhënë nga Bashkimi Europian.

Dhe kjo nuk është hera e parë që Rama është akuzuar për një besnikëri ndaj Erdoganit që shkel parimet ligjore për hir të ‘ndereve’ politike. Në periudhën e vjeshtës 2022, Rama u akuzua se mbylli kolegjin turk “Mehmet Akif” si nder ndaj Erdoganit pasi ky i fundit dha një ultimatum për të hequr ndikimin e Fetullah Gylen në Shqipëri gjatë vizitës në janar të atij viti në Shqipëri. 

Ideja e shkëmbimit të ndereve midis Ramës dhe Erdoganit ka qënë pjesë e analizës që i është bërë zgjedhjeve të 14 majit në të dyja vendet. Të tillë e ka përcaktuar portali Lapsi në analizën e tij, ku detajon fushatat e shumta të Ramës në forume ndërkombëtare në mbështetje të Erdogan.

Sipas Lapsit, edhe Erdogani (të cilin e cilëson si sulltan) është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet shqiptare duke ndihmuar imazhin e Ramës. Si provë për këtë, Lapsi liston “pritjen madhështore që Erdogan i organizoi Ramës në Ankara, ku ai u përpoq t’i jepte atij edhe rolin e negociatorit për marrëveshjen e hapësirës detare të Mesdheut lindor mes Turqisë dhe Greqisë.”

Ky artikull, dhe disa të tjerë në portale të ngjashme, kanë vënë në dukje marrëdhënien e ngushtë midis Ramës dhe Erdoganit, duke theksuar po ashtu imazhin e Erdoganit në perëndim si një autocrat, regjimi i të cilit vë në rrezik demokracinë turke. Këto artikuj lenë të kuptohet se miqësia midis Erdoganit dhe Ramës përbën një problem edhe për Shqipërinë, pasi Rama do të ndjekë programin autokratik të Erdoganit.  

Burim: Lapsi

Por pati edhe nga ato media që e konsideruan mesazhin e Ramës si një përpjekje për të ndikuesit turq.

Burim: Syri

Portale si Gazeta Sot, kanë shkruar se me mesazhin e tij Rama ka “ndërhyrë hapur në zgjedhjet e një shteti tjetër duke i bërë karshillëk Perëndimit.” Pjesën mbi sjelljen e Ramës kundër Perëndimit e ka vënë në dukje dhe Syri, i cili shkruan se Rama vendos Erdoganin para ndihmës që vendet e perëndimit i kanë dhënë shqiptarëve. Kjo është përsëri pjesë e narrativës që marrëdhënia e afërt me Erdoganin po e shtyn Shqipërinë drejt një regjimi autoritar dhe kundra Perëndimit.

Burim: Lapsi

Ky mesazh mbi ushtrimin e ndikimit tek votuesit turq është dhënë edhe nga kryetari i opozitës Sali Berisha. Në një deklaratë për shtyp të dhënë po ashtu në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, Sali Berisha i ka quajtur ato “ndërhyrje skandaloze të Edi Ramës në fushatën elektorale të vendit mik.” Sipas Berishës, mesazhi i Ramës shkel ligjet vendore dhe ato ndërkombëtare.

“Së pari, unë e shoh deklaratën e Ramës si një shprehje mirënjohjeje për mbështetjen që Erdogani i ka dhënë kryeministrit gjatë gjithë këtyre viteve. Ndikimi i saj është shumë i kufizuar në opinionin publik turk dhe rrjedhimisht ajo më tepër një dëshmi e miqësisë dhe vetëdijes së borxhit politik, sesa një përpjekje për të ndihmuar realisht.

Së dyti, në njëfarë mënyre deklarata është në të njëjtën frekuencë me dëshirën e Ramës për ta paraqitur veten si faktor i rëndësishëm në nivel ndërkombëtar, kryesisht për t’i dhënë një dukje më të rëndësishme pozicionit të tij në sytë e opinionit publik shqiptar.

Së fundmi, deklarata është edhe një mënyrë për të kompensuar pamundësinë e Ramës për të përmbushur të gjithë kërkesat që presidenti turk ka paraqitur vazhdimisht ndaj qeverisë shqiptare në raport me praninë e kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri.”- Ermal Hasimja, pedagog dhe politlog. 

Për Euronews, gazetari Sokol Brahaj tha se pavarësisht këtyre spekulimeve, Rama nuk ka ndikim tek votuesit turq. “Rama nuk ka një elektorat të vetin në Turqi. Rama ka vetëm 3-4 biznesmenë që i ka shokë të vet këtu dhe kaq. Rama nuk është se ka rol tek diaspora shqiptare,” tha ai duke e konsideruar mesazhin e Ramës vetëm si një nder personal ndaj Erdoganit.

Në fakt, rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve treguan se edhe brenda Shqipërisë deklarata e Ramës nuk ka pasur pasojat e dëshiruara. Sipas Balkan Insight, Turqit që jetojnë në Ballkan (duke përfshirë këtu ato në Shqipëri) votuan masivisht kundër Erdoganit. Kjo është në kundërshti me diasporën turke në Perëndim e cila ishte kundër presidentit në detyrë.

zgjedhjet e 14 majit, Erdogani fitoi 49.5% të votës dhe rivali i tij kryesor Kemal Kilicdaroglu mori 44.89%. Duke qenë se asnjë nga kandidatët nuk fitoi 50% e nevojshëm, do të ketë një raund të dytë zgjedhjesh më 28 maj.

Ndërkohë, mediat shtetërore turke me prezencë në Shqipëri (por edhe jashtë saj) e kanë trajtuar me nota pozitive mesazhin e Ramës. Edhe përse ato nuk e kanë mbështetur haptazi mesazhin e Ramës, artikujt thjesht kanë ripërsëritur fjalët e tij pa vënë në dukje problematikat që janë përfolur në Shqipëri. Në tituj ato kanë theksuar fjalët e Ramës që e përshkruajnë Erdoganin si “një mik të mirë të ditëve më të vështira,” apo thjesht kanë postuar videon me titra në turqisht në mediat sociale.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli