MERXHAN DACI
Aksi rrugor Qukës –Qafë Plloçë i gjatë 43,4 km, prej shumë kohësh nuk po mbaron së ndërtuari edhe pse ka 10 vjet që premtohet. Ndërtimi i kësaj rruge pritet të sjellë më afër zonën e juglindjes me Tiranën.
Edhe pse ishte parashikuar të përfundonte në qershor të këtij viti, afati u shkel teksa Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në inspektimin e fundit që i bëri kësaj rruge tha se shpreson që ajo të mbarojë në vitin 2019.
Në vijim ju njohim me kronologjinë e disa deklaratave të bëra për këtë rrugë në vite:
25 qershor 2009, Berisha: Ne rikthejmë sot rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera. Por, kam kënaqësi të jashtëzakonshme sepse kjo rrugë shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës me Tiranën, çka është një qëllim madhor i imi.
9 tetor 2011, Berisha: Po investojmë nga Qafë Plloça drejt Tiranës, nga Qafë Thana drejt Pogradecit, kanë filluar punimet e autostradës Tiranë-Elbasan pa llogaritur edhe investimin në autostradën Qafë Plloçë-Qukës.
19 shkurt 2014, Peleshi: Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërtimi i rrugës Qukës – Qafë Plloçë pritet të nisë shumë shpejt. Ky investim është një frymëmarrje për një rajon, por dhe për gjithë Shqipërinë, sepse lidh fushën e rajonit të Korçës, por edhe portet në shtetin fqinj me kryeqytetin dhe tregun shqiptar.
20 prill 2015, Haxhinasto: Veçanërisht i shërben ekonimisë në atë zonë, turizmit, por i shërben shumë edhe punësimit të gjithë banorëve të asaj zone, të Qukësit, Mokrës, Pogradecit pasi është një vepër që kërkon angazhime të mëdha si në fuqi inxhinierike ashtu edhe në kapital njerëzor për tu angazhuar në realizimin e saj, i cili parashikohet brenda një periudhe 3-vjeçare.
2 maj 2016, Rama në Facebook: Duke ndjekur punimet për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, një segment me rëndësi të veçantë për korridorin Tiranë-Korçë që do t’i japë frymëmarrje të re ekonomisë prodhuese të zonës në veçanti po do të ndikojë shumë pozitivisht për të gjithë vendin, sepse siguron një lidhje më të shpejtë me Portin e Durrësit për të gjithë transportin ndërkufitar”.
5 tetor 2016, Rama: Ajo që na intereson ne, kuptohet pa cenuar cilësinë e punës, të ketë ritëm maksimal për të fituar aq sa të mundemi kohën e humbur.
26 janar 2018, Gjiknuri: Me financimin shtesë që besoj do të bëhet i mundur, është një segment i rëndësishëm, në një terren shumë të vështirë por kompanitë po bëjnë një punë të mirë dhe me zgjidhjet e problemeve të mbetura të projektit, besoj kjo rrugë do jetë funksionale në vitin 2019 duke kompletuar këtë segment të rëndësishëm.
Duke marrë parasysh numrin e madh të premtimeve dhe deklaratave për këtë rrugë por edhe duke llogaritur faktin që rruga ka plot 10 vite që premtohet, “Faktoje” e konsideron këtë aks rrugor një PREMTIM TË PAMBAJTUR.