.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaReforma zgjedhore, premtimi i pambajtur i gjithë politikës shqiptare

Reforma zgjedhore, premtimi i pambajtur i gjithë politikës shqiptare

Reforma zgjedhore i ka mbajtur partitë politike në diskutime të gjata e të vazhdueshme, por më intensive gjatë muajit maj. Afati për dakordësimin e palëve pjesëmarrëse në dialog ishte 31 maji, i cili u shkel. Pas skadimit të afatit, palët vijojnë të kenë mosmarrëveshje për disa pika të kësaj reforme. Pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, ecuria e dialogut nuk bën dallim të madh nga përvoja e kaluar, kur çështje të rëndësishme lihen për momentet e fundit, sado kohë të kenë pasur palët në dispozicion.


Pas dy muajsh ndërprerjeje për shkak të pandemisë, rifilluan diskutimet në tryezën e reformës zgjedhore në Këshillin Politik, të përbërë nga përfaqësues të mazhorancës, dhe opozitës brenda dhe jashtë-parlamentare. Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike, Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare, janë takuar të paktën 6 herë, gjatë muajit maj për të gjetur dakordësinë mbi reformën zgjedhore. Në përfundim të çdo mbledhjeje debatet kanë vazhduar në distancë, por në një pikë është dakord, që afati i përmbylljes së reformës zgjedhore të ishte 31 maji.

“Në këtë mbledhje të sotme, ashtu siç kishim kërkuar dhe në kërkesën tonë, u përcaktua që këtë reformë, Këshilli Politik duhet ta mbyllë brenda datës 31 maj.” – tha zoti Bylykbashi pas takimit që u zhvillua më 11 maj.

“Të paktën për një gjë ramë dakord, që brenda majit kjo punë duhet mbyllur, duhet të vazhdojmë aty ku e lamë dhe shpresoj të gjejmë konsensus edhe për çështjet që na kanë mbetur.” – tha i ngarkuari i PS për dialogun mbi reformën zgjedhore, zoti Gjiknuri.

Dakordësimi i afatit u pasua nga akuza të përsëritura mes palëve, të mandatuara për dialog. Më 11 maj, zoti Gjiknuri u shpreh se mazhoranca nuk mund t’u kthehet çështjeve nga e para.

“Këshilli politik është një forum që do t’i shërbente negociatës mes komisionit të reformës zgjedhore, pra komisionit që ka Kuvendi i Shqipërisë dhe palëve të cilat nuk janë në Kuvend. Dhe ky është qëllimi në vetvete i Këshillit Politik. Ka një axhendë të dakordësuar, ka një metodologji pune të dakordësuar dhe ne nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para.” – tha ai.

Në përgjigjen e tij, zoti Bylykbashi tha se të gjitha çështjet janë në tavolinë dhe janë për t’u diskutuar.

“Ne nuk i rikthehemi asnjë çështjeje, ne çështjet i kemi mbi tryezë. Është mazhoranca që deri më sot nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me çështjet e shtruara, përveçse refuzimeve të menjëhershme sapo kemi bërë propozime.” – tha ai.

Por cilat janë çështjet që i bashkojnë dhe i ndajnë palët?

Çështjet që i bashkojnë

I ngarkuari i PS në Këshillin Politik për refromën zgjedhore, Damian Gjiknuri thekson se  kanë mbetur vetëm 2-3 çështje themelore pa u dakordësuar, ndërsa për të tjerat, sipas tij, shumica qeverisëse ka pranuar propozimet e Partisë Demokratike.

“1. Përfshirja e teknologjisë, po, do vendosim parimet. Ka edhe një opinion të ODIHR se si shtrihet përdorimi i teknologjisë.
2. Kanë kërkuar video-survejancë për të parë rendin në qendrën e votimit. E kemi pranuar.
3. Rolin e policisë, një rol më aktiv të policisë. E kemi pranuar.
4. Çështja e kuotave gjinore, kemi diskutim akoma, por ka një opinion të ODIHR i cili është dhënë aty, pra që mund ta marrim parasysh.” – është shprehur zoti Gjiknuri më 11 maj.

29 maj, zoti Gjiknuri deklaroi:

“Për çështjet e tjera që vazhdimisht i ka kërkuar Partia Demokratike, krimet zgjedhore, imunitetin e denoncuesve zgjedhore, imunitetin penal, futjen e kamerave në qendrat e votimit, rolin e shtuar të policisë së shtetit dhe eleminimin e personave jashtë qendrave të votimit (edhe kjo ka qenë një kërkesë e PD), çështjet e financimit, çështjet e tjera që unë i kam permendur, të gjitha këto kemi dhënë dakordësinë. Edhe për atë që thotë PD-ja, integritetin në proceset e votimit, kemi dhënë dakordësi edhe për hapjen e kutive dhe çdo materiali zgjedhor pas përfundimit të rezultatit zgjedhor.”

Në kërkimet tona, nuk kemi gjetur një deklaratë të zotit Bylykbashi mbi pikat për të cilat është arritur një konsensus me përfaqësuesit e mazhorancës.

Çështjet që i ndajnë

Për sa i përket ngërçit që ende nuk është zgjidhur në rrugëtimin për gjetjen e kompromisit, zoti Gjiknuri i është referuar vazhdimisht 2-3 çështjeve themelore që ndajnë palët. Një prej tyre është çështja e teknologjisë, për të cilën shprehet se parimisht janë dakord me opozitën për përdorimin, problemi qëndron tek shtrirja e saj.

“Për sa i përket teknologjisë, vullneti jonë ka qenë shumë i qartë dhe ne morëm përsipër dhe u angazhuam që të aplikojmë qoftë teknologjinë biometrike të identifikimit, pra identifikimi elektronik i zgjedhësve, ashtu edhe votimin elektronik. Por përtej dëshirës, puna është a është e bëshme dhe çfarë risqesh merr këtu qeveria. Iu drejtuam zyrtarisht ODIHR-it, ekspertëve, të cilët na thanë, sistemi elektronik në zgjedhje duhet të implementohet gradualisht duke filluar nga projekt pilot, jo më shumë se 10%. Ne po themi ta çojmë edhe më tepër se 10%, pra ta shtrijmë dhe zonat t’i zgjedhë PD.” – tha zoti Gjiknuri më 30 maj.

Ndërsa zoti Bylykbashi ka deklaruar se identifikimi biometrik është thelbësisht i lidhur me çdo lloj marrëveshjeje për profesionalizimin e administratës zgjedhore. Opozita jashtë-parlamentare e ka vendosur atë si kusht kryesor.

“Identifikimi biometrik duhet të jetë në të gjitha qendrat e votimit të Shqipërisë në zgjedhjet  e ardhshme. Të ketë një pilot për votimin elektronik dhe numërimin elektronik.

Diskutimet e tjera për teknikalitete dhe dakordësi për teknikalitete kanë pak rëndësi në lidhje me procesin zgjedhor në raport me këtë.”- tha zoti Bylykbashi më 28 maj.

Bashkë me teknologjinë, çështja kryesore që i ndan palët dialoguese është reformimi i administratës zgjedhore, sipas deklaratës së zotit Gjiknuri më 30 maj.

“Pika më e madhe që na ndan janë dy propozimet kryesore, që është përfshirja e teknologjisë 100% në zgjedhje, pra identifikimi elektronik dhe reformimi i administratës zgjedhore bazuar në kriteret  apolitike dhe bazuar në rekomandimet e ODIHR-it.” – tha ai.

Por zoti Bylykbashi e konsideroi këtë qëndrim si mungesë të vullnetit nga ana e PS për ofrim të konsensusit mbi çështjet e rëndësishme, duke e kritikuar se po kërkon të mbajë privilegjet mbi procesin zgjedhor.

“Gjithë përpjekjet e qeverisë, pra PS-së, që të mbajë privilegjet që ka, të mos heqë dorë nga kontrolli dhe kapja e komisioneve zgjedhore, kontrolli i KQZ dhe vula që do t’i japë me gjykatën e saj tregojnë vlerën dhe rëndësinë që ka vendimi i opozitës dhe propozimi që ne kemi bërë për qeverinë kujdestare të zgjedhjeve.” – tha zoti Bylykbashi më 31 maj.

Për propozimin e qeverisë kujdestare të zgjedhjeve, zoti Gjiknuri ishte shprehur, se ajo ishte hera e parë që opozita kishte ardhur me propozim për një qeveri teknike.

Në këtë frymë, takimet për dialog shënuan shumë hapa në vend numëro, ndërkohë që 31 maji i gjeti palët pa një dakordësim mbi reformën zgjedhore.

Reagimi i komunitetit ndërkombëtar

Dështimi i përmbylljes në afatin e vendosur nga vetë përfaqësuesit e Këshillit Politik, të reformës Zgjedhore solli reagimin e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, që edhe më herët kishte nxitur palët në arritjen e konsensusit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, zonja Yuri Kim u kujtoi të ngarkuarve politikë për arritjen e dialogut, të mbajnë fjalën e tyre ndaj popullit shqiptar.

“Të gjitha palët kanë lëvizur dhe kanë treguar se janë shumë afër. Ju vendosët një synim, ju vendosët afatin në 31 maj. Tani është koha të ndalni së këmbënguluri në pozicione të pazbatueshme dhe/apo vendosje kushtesh të reja. Është koha të mbani fjalën ndaj popullit shqiptar. Është koha të jepni rezultat” – tha zonja Kim.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, zoti Luigi Soreca u shpreh se marrëveshja duhet të arrihet tani për të filluar negociatat e integrimit të vendit në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

“Një reformë zgjedhore plotësisht në linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR është një kusht i nevojshëm për të ecur përpara me integrimin europian.

Një marrëveshje e menjëhershme nga të gjitha palët në Këshillin Politik është brenda arritshmërisë dhe duhet të përmbyllet tani për të filluar negociatat për integrimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur.” – tha zoti Soreca.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, zoti Duncan Norman u shpreh se është momenti për të gjetur terrenin e përbashkët që shteti të lëvizë përpara.

“Këshilli Politik u skicua për të sjellë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse në Shqipëri për të përmbushur kërkesat e ODIHR. Sot është dita për vendosur qytetarët në Shqipëri të parët dhe për të gjetur terrenin e përbashkët, të nevojshëm për të shtyrë vendin përpara.” – tha zoti Norman.

Pavarësisht inkurajimit të diplomatëve dhe lodhjes së qytetarëve që kanë parë të përsëriten të njëjtat modele të zvarritjes së dialogut, reforma zgjedhore mbetet në dorën e vullnetit të politikanëve.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img