BallinaFaktometerPa kategoriProjekti i Parkut Rinia me vlerë 1 miliard lekë dhe mungesa e parkingut të premtuar

Projekti i Parkut Rinia me vlerë 1 miliard lekë dhe mungesa e parkingut të premtuar

Bashkia Tiranë shpenzoi rreth 1 miliard lekë nga buxheti për rehabilitimin e Parkut Rinia. Projekti i ndryshuar dhe i shtyrë disa herë u përmbyll më 1 qershor, me mungesën e parkimit nëntokësor dhe mes dyshimeve për përzgjedhje klienteliste të përfituesit të kontratës.


Bashkia Tiranë më 30 prill 2019 shpalli tenderin për rehabilitimin e Parkut Rinia me një fond limit prej 104,629,747 lekë të reja. Në garën me 8 kompani, fitues u shpall operatori “Agi Kons”.

Tenderi i Bashkisë Tiranë për rehabilitimin e Parkut Rinia

Open Data Albania, e ka vendosur procedurën nën simbolin e flamurit të kuq. Pra sipas Open Data Albania, procedura karakterizohet nga prania e shkeljeve ligjore dhe korrupsionit.

Projekti për rehabilitimin e Parkut Rinia duhej të kishte përfunduar brenda 8 muajve nga data e lidhjes së kontratës. Pra, më 10 mars 2020, operatori sipas detyrimeve kontratuale do duhej t’i dorëzonte Bashkisë Tiranë projektin e përfunduar.

“Faktoje” në verifikimin që bëri në 10 mars që ishte dhe afati i kontratës, gjeti këtë situatë në parkun Rinia.

Parku Rinia, 10 mars 2020

Në ditën e fundit të afatit, parku “Rinia” i ngjasonte një kantieri punimesh ku asnjë prej [lanifikiet nuk kishte marrë formë.

Ndërkohë, sipas një deklarata të nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Arbi Mazniku gjatë një interviste për Report TV më 2 shkurt 2016 te parku “Rinia” do të ndërtohej parkim nëntokësor.

Së pari për të qetësuar drejtpërdrejtë qytetarët do të ndërtohet një parking nëntokësor është pjesë e një projekti, por ama hapësira e gjelbër e Parkut Rinia nuk do të preket aspak, shprehej Mazniku.

Parku Rinia u përurua në 1 qershor, ashtu siç kishte paralajmëruar kryebashkiaku Veliaj, pas shkeljes së afatit të 10 marsit.

Parku Rinia, 1 qershor 2020

Kur “Faktoje” shkoi këtë të hënë në terren, konstatoi se parku i rinovuar u përurua pa parkimin nëntokësor me rreth 1.200 vende, siç u premtua nga zyrarët e Bashkisë Tiranë.

Një tjetër element i ndryshuar nga parashikimi fillestar ishte zëvendësimi i barit natyror me atë sintetik.

“Faktoje” kontaktoi me Drejtorin e Planifikimit të Territorit në Bashkinë Tiranë, Ditjon Baboçi lidhur me parkun Rinia e më konkretisht me parkingun e planifikuar. Z. Baboçi argumentoi se projekti nuk ishte nën kompetencën e drejtorisë që ai mbulon. Faktoje kontaktoi gjithashtu edhe zv. kryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbi Mazniku, nga i cili deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati një përgjigje.

* Foto kryesore është marrë nga facebook-u i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img