BallinaFaktometerE vërtetëPersonat me aftësi të kufizuar, pa shpërblim për fundvitin

Personat me aftësi të kufizuar, pa shpërblim për fundvitin

FJORI SINORUKA

Personat me aftësi të kufizuar prisnin që të merrnin shpërblim në fund të vitit 2019, por sot, dy javë pasi ka hyrë viti 2020 ata thonë se nuk e morën këtë pagesë. Këtë vit pagesa ishte vetëm 3000 lekë dhe e përfituan vetëm pensionistët, ndërsa personat me aftësi të kufizuara u përjashtuan nga ky shpërblim.

……………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Ish deputetja Orjola Pampuri më 28 dhjetor të muajit të kaluar deklaroi se qeveria nuk i kishte shpërblyer për festat e fundvitit personat me aftësi të kufizuara.

“Të mos paguash apo shpërblesh personat me aftësi të kufizuar, në prag të festave duke i diskriminuar përballë atyre pak kategorive për të cilët u menduan shumë t’i vendosnin një shpërblim tallës e qesharak, siç ishte shpërblimi i pensionistëve, është si të vendosësh barrierë në rrugën e vështirë që kjo kategori është destinuar të përshkojë”, shkruajti ajo në një status në rrjetin social “Facebook”.

Bazuar në deklaratën e mësipërme, “Faktoje” verifikoi vërtetësinë e saj.

Shërbimi Social Shtetëror , institucioni në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i konfirmoi “Faktoje”, se në 2019-n nuk kishte kaluar ndonjë Vendim i Këshillit të Ministrave për shpërblim për fundvitin për personat me aftësi të kufizuara.

“Faktoje”, gjithashtu foli edhe me drejtuesen e Fondacionit “Së bashku”, Suela Lala, fondacion i cili ka në qendër të veprimtarisë së tij personat me aftësi të kufizuara. Edhe Lala na konfirmoi se për këtë kategori nuk kishte pasur një shpërblim për fundvitin.

“Gjatë viteve të tjera ka patur shpërblim, është shpërndarë shpërblim për pensionistët dhe për ne, por sivjet ne nuk e kemi marrë”, tha Suela Lala për “Faktoje”.

Linda Maluk, mamaja e një vajze 25-vjeçe me sindromën down dhe autizëm, tha për “Faktoje” se deri ditën e fundit të 2019-s kishte shpresuar ta merrte pagesën e shpërblimit të fundvitit, por nuk e mori.

Për vitin 2019, pensionistët morën një shpërblim prej 3000 lekësh të reja, një shumë e reduktuar në krahasim me vitet e kaluara, ndërkohë që një ndër kategoritë më vulnerabël dhe të diskriminuara në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuar, nuk e morën farë këtë pagesë. Aktualisht në Shqipëri janë 71,096 persona me aftësi të kufizura sipas Ministrtisë së Shëndetësisë.

Nisur nga verifikimi që “Faktoje” bëri për deklaratën e ish deputetes Orjola Pamupri, vendosëm që ta kategorizojmë atë si të vërtëtë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img