Një nga premtimet e fushatës së Gledjan Llatjas ku kërkoi mandatin e dytë si kryebashkiak i Elbasanit, ishte pastrimi i përroit të Shushicës. Por përroi plot mbeturina, që bëhet shkak për përmbytje, nuk u pastrua as në pranverë, kur fitoi zgjedhjet, e as në dimër kur situata bëhet më problemtike nga rreshjet.

Patris Pustina

Në Maj 2023, gjatë fushatës zgjedhore, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, i cili kandidonte për mandatin e tij të dytë, premtoi pastrimin e përroit të “Gurrës” Shushicë.

24 prill 2023, gjatë një takimi elektoral, kryebashkiaku Llatja u tregoi banorëve të Shushicës planet e tij:

“Ne kemi edhe një projekt tjetër, që duam të pastrojmë përroin e Shushicës, Gurrën tuaj këtu, Gurrën e Shushicës. E dimë që ka probleme, ka sjellë prurje të mëdhaja, nuk është pastruar. Duam ta pastrojmë edhe atë. Dhe ai është një projekt i madh që kërkon një mbështetje nga Ministria e Bujqësisë. Prandaj deputetja Desantila [Tahiraj] bashkë me Damianin [Gjiknuri] po luftojnë që ne të krijojmë mundësinë dhe fondet të pastrohet e gjithë Gurra.”

Më herët, në 14 shkurt 2023, në një tjetër takim me banorët e Shushicës, Llatja kishte premtuar se “në pranverë kur të pushojnë shirat do të pastrojmë përroin e Gurrës.”

Faktoje vendosi t’i drejtohej me një kërkesë për informacion Bashkisë për t’u interesuar se në çfarë faze ishte projekti për pastrimin e Gurrës, i cili bazuar në premtimin e Llatjas duhej të ishte kryer.

Pyetjet drejtuar Bashkisë Elbasan

Me përgjigjen e kthyer në 17 tetor, Bashkia na vuri në dijeni se përroi i Shushicës është “shumë i rrezikshëm, pasi gjatë periudhës së dimrit, nga prurjet e tepërta, del nga shtrati i tij dhe përmbyt gjithë fushën e Shushicës.”

Një informacion i mirëpritur, por që nuk i dha përgjigje pyetjeve tona mbi premtimin e kryebashkiakut.

Më tej, na bën me dije Bashkia, “investimi i fundit është bërë në Janar 2022 nga mjetet e ASHP […] dhe nuk ka patur investime të tjera.” 

Përgjigjia e Bashkisë Elbasan

Duket se, në Shkurt 2023, kur kryebashkiaku Llatja u premtonte banorëve të Shushicës se do t’u pastronte përroin në pranverë, Gurra kishte mbi një vit pa pastruar.

Sipas përgjigjes së vetë Bashkisë, përroi nuk është pastruar në pranverë, siç premtoi Llatja.

Bazuar në këtë përgjigje, për këtë vit nuk ekziston një plan pastrimi për Gurrën e Shushicës, aq më pak “një projekt i madh” siç premtoi Llatja.

Me anë të një tjetër kërkesë për informacion, Faktoje u interesua për pastrimin e përroit të Shushicës edhe pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mbështetjen e së cilës Llatja tha se do të kërkojë për këtë projekt.

Sipas përgjigjes së Ministrisë, për pyetjet mbi pastrimin e përroit të Shushicës “duhet t’i drejtoheni Bashkisë Elbasan.” 

Pra, një plan apo projekt për pastrimin e përroit nuk ekziston as në radarin e Ministrisë.

Nga verifikimi në terren në fund të muajit tetor 2023, pasi morëm edhe përgjigjet e dy institucioneve, pamë se përroi i Shushicës nuk ishte pastruar, duke mbetur një rrezik përmbytjesh ashtu siç na informoi vetë bashkia.

Të dyja anët e përroit të cekët ishin të mbushura me mbeturina organike dhe materiale inerte.

Në këto rrethana, premtimin e kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për pastrimin e përroit të Gurrës në Shushicë në pranverë do ta kategorizojmë të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.