Kryetari i Bashkisë, Oltion Çaçi, u premtoi qytetarëve të Sarandës ndërtimin e katër parkingjeve publike me qëllim përmirësimin e trafikut në qytet.
Faktoje.al vizitoi Sarandën për të verifikuar nëse është mbajtur premtimi nga kryebashkiaku sarandiot. Nga verifikimi në terren na rezultoi se nga katër parkingjet e premtuara, vetëm për një ka filluar ndërtimi, atij në hyrje të Ksamilit, por edhe aty nuk është vënë asnjë tabelë për të parë afatet e fillimit dhe mbylljes së punimeve.
VJOLANDA PECA
Në fillim të Majit 2023, Oltion Çaçi premtoi se nëse do të zgjidhej për katër vite të tjera kryebashkiak i Sarandës do të ndërtonte katër parkingje publike.
“Do të ndërtojmë 4 parkingje publike që lehtësojnë qëndrimin e turistëve në qytet” tha Oltion Çaçi përpara qytetarëve të Sarandës.
Faktoje.al i dërgoi Bashkisë Sarandë një kërkesë për Informacion lidhur me premtimin e bërë për shtimin e 4 parkingjeve publike nga kryebashkiaku Oltion Çaçi.
Bashkia Sarandë u përgjigj se parkimet në Sarandë janë problematikë akute.
“Ka parkim nëpër lagje, por nuk janë të organizuara. Nuk është menduar shumë për parkimin, janë parkime mikroskopike ose private,” tha një nga banorët, Myftar Hasani, teksa po bënte shëtitjen e mëngjesit në shëtitoren e qytetit.
Bashkia tha se për parkimin publik në Sarandë do të investohet në infrastrukturën ekzistuese rrugore:
“Investim në struktura të veçuara ose të integruara me hapësira të dedikuara për parkim publik”, përgjigjet Bashkia Sarandë duke specifikuar pikat ku do investohet për tre të tjerat: “Qendra e mirëseardhjes në hyrje të qytetit të Sarandës; Parkim i hapur i integruar në hyrje të Ksamilit; Parkim i hapur në hyrje të Parkut Kombëtar të Butrintit (PKB)”.
Për të verifikuar se çfarë është bërë konkretisht në këtë drejtim, Faktoje.al u nis drejt Sarandës më 15 nëntor 2024.
Parkimi i hapur i “integruar” në hyrje të Ksamilit
Destinacioni i parë ishte “parkimi i hapur i integruar” në hyrje të Ksamilit. U desh të pyesim banorët e kësaj zone, për të gjetur vendin se ku do të ndërtohet.
Përgjatë rrugicës drejt parkimit nuk kishte asnjë tabelë punimesh që tregonte fillimin dhe mbylljen e punimeve. Në terren pamë kontenierë ndërtimi sëbashku me disa punëtorë që po kryenin punimet. Asnjë prej tyre nuk pranoi të flasë konkretisht.
Një qytetar që po kalonte aty u shpreh që punimet kanë një muaj që kanë nisur, në shtator të 2024, por nuk kishte informacion më tepër se për çfarë do të shërbente.
Pamje të parkimit në hyrje të Ksamilit, 15 nëntor 2024
Adrian Hyska banor në Ksamil dhe shitës në një dyqan të vogël u shpreh se një parkim i tillë do t’i shërbente të gjithë qytetarëve.
“Parkimi që po bëhet është shumë i domosdoshëm duke qenë se Ksamili nuk ka parkim”, tha ai.
Parku Kombëtar i Butrintit
Destinacioni i dytë ishte Parku Kombëtar i Butrintit për të cilën Bashkia Sarandë na tha që ka një parkim publik.
Bashkia Sarandë tha se do të investojnë në infrastrukturën ekzistuese, por siç duket edhe nga pamjet, parkimi publik në Parkun Kombëtar të Butrintit është ‘pushtuar’ nga gropat.
‘Parkimet’ nëpër qytet
Parkimi i tretë që Bashkia Sarandë përmendi në përgjigjen e saj ishte ai në “qendrën e mirëseardhjes në hyrje të qytetit të Sarandës”.
Pas shumë kërkimesh dhe kontaktesh me banorë nuk arritëm t’a gjenim parkimin e lartpërmendur.
“Parkimet janë shumë problem këtu. Trotuaret janë të zëna me makina, ke fëmijë të vegjël e s’ke nga të kalosh” u shpreh Jusuf Lika, banor në Sarandë.
Oltion Çaçi gjatë fjalimit elektoral u shpreh që 4 parkingje do t’i shtohen qytetit të Sarandës ndërkohë që kanë filluar vetëm punimet e njërit prej tyre, në Ksamil. Nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e 3 parkingjeve të tjera, ndërkohë që nuk janë restauruar as ato ekzistues, siç është ai I Parkut të Butrintit.
Përfundime
Premtimi i Kryebashkiakut të Sarandës, Oltion Çaçi, për të ndërtuar 4 parkingje të reja në Sarandë, është larg realizimit të plotë të tij. Deri tani kanë filluar punimet vetëm për një parkim për të cilin nuk dihen as afatet se kur përfundon.
Premtimin e Kryebashkiakut të Sarandës Oltion Çaçi për ndërtimin e katër parkingjeve në Sarandë me qëllim lehtësimin e trafikut do t’a kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.