Në tunelin e lidhur me sinagogën në New York nuk u gjetën pirgje kafkash dhe eshtrash fëmijësh. Video që sillet si provë është xhiruar në katakombet e Parisit ku ruhen miliona skelete të varrezave të vjetra të qytetit.
————————————
Zbulimi i një tuneli të fshehtë nëntokësor të lidhur me një sinagogë në New York ka ngjallur një valë dezinformimi dhe teorish konspirative antisemitike në rrjet.
Një postim, i ndarë mbi 100 herë, përmban një video ku tregohen një pirg kafkash dhe eshtrash njeriu, duke pretenduar se këto u gjetën “në themelin e një Sinagoge.” Postimi shoqërues pretendon se eshtrat i përkasin “fëmijëve të sakrifikuar në ritualet satanike”.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok në 5 janar.
Sipas përshkrimit që shoqëron videon, pamjet nuk janë të tunelit në New York, por nga katakombet e Parisit, të cilat mbajnë kufomat e mbi 6 milionë njerëzve.
Një zëdhënës nga Departamenti i Ndërtesave i New York tha për USA Today se hetuesit nuk gjetën veçse mbetje nga punimet, dhe “mjete pune si lopata“ në vendgërmimin e tunelit.
Tuneli lidhej me sinagogën që shërbente edhe si seli e lëvizjes fetare hasidike Chabad-Lubavitch. Mendohet se ai fillonte në bodrumin e një godine banimi prapa sinagogës, duke kaluar nën një sërë zyrash dhe sallash përpara se të lidhej me sinagogën.
Pyetur nga AP mbi pretendimet lidhur me trafikimin e fëmijëve, Departamenti i Policisë së New York dërgoi një listë të akuzave lidhur me çështjen, por asnjëra nuk përfshinte rrëmbimin e fëmijëve.