Leku nuk zëvendësohet së shpejti nga monedha europiane

8

Pretendimi: Lamtumirë Lekut, Euro vjen në Shqipëri si monedhë zyrtare

Verdikti: Mungon konteksti

Esmeralda Topi 

Publikimi i projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet zyrtarizimi i Euro si një monedhë zyrtare, ka shërbyer që disa portale informative t’i japin “lamtumirën e parakoshme Lekut”.

Titujt krijojnë përshtypjen se Shqipëria ka nisur tashmë këtë proces të ndryshimit të monedhës edhe pse një kapërcim i tillë do të dojë shumë vite pas anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian si dhe nuk ndodh automatikisht pa plotësuar më parë disa kritere ekonomike. 

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë përfshin një kapitull të posaçëm për anëtarësimin e vendit në Unionin Monetar Evropian. Në të parashikohet se, pas adoptimit të Euros, Banka e Shqipërisë do të zbatojë politikën monetare sipas rregullave të Bashkimit Evropian dhe Euro do të bëhet monedha zyrtare e vendit.

Këto dispozita u interpretuan në rrjete sociale si sinjal se Shqipëria po kalon së shpejti në Euro. Por projektligji thekson gjithashtu se ato nuk hyjnë në fuqi me miratimin e ligjit. 

Në nenin 116 përcaktohet se: “Kreu XV i këtij ligji hyn në fuqi në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Unionin Monetar Evropian”

Pra, dispozitat që flasin për Euron nuk do të zbatohen menjëherë dhe as pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ato do të aktivizohen vetëm pasi Shqipëria të jetë bërë pjesë e Unionit Monetar Evropian, një proces që vjen pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së kritereve për hyrjen në Eurozonë.

Edhe Banka e Shqipërisë sqaron për Faktoje se këto dispozita nuk nënkuptojnë një kalim të menjëhershëm në Euro. Sipas institucionit, përfshirja në projektligj e kapitujve që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe më pas në Unionin Monetar Evropian është pjesë e “procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian” dhe nuk përbën një vendim për adoptimin e Euros.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk nënkupton automatikisht adoptimin e Euros. Pas anëtarësimit në BE, një vend vazhdon të ketë monedhën e tij kombëtare dhe politikën e vet monetare”, sqaron Banka e Shqipërisë për Faktoje.

Banka Qendrore sqaron se kalimi në monedhën evropiane është një proces më vete, që kërkon përmbushjen e kritereve ekonomike dhe ligjore, përfshirë kriteret e Maastricht-it, si dhe vlerësimin nga institucionet evropiane.

“Dispozitat e përfshira në projektligj kanë një natyrë përgatitore dhe synojnë harmonizimin e kuadrit ligjor me atë të BE-së. Ato nuk përcaktojnë një afat apo një datë për adoptimin e Euros”, thuhet në sqarimin e Bankës së Shqipërisë për Faktoje.

Për Faktoje, eksperti i ekonomisë Ardian Civici shpjegon se drafti është pjesë e procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

“Ky është një projektligj i pritur prej një kohe relativisht të gjatë, pasi ligji i fundit daton në vitin 1997. Që prej asaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra dhe janë shtuar kërkesa të reja. Këtë herë, projektligji pasqyron edhe fazën shumë të rëndësishme ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë Civici.

Sipas tij, kapitulli që lidhet me Bankën Qendrore dhe sistemin monetar është pjesë e negociatave me BE-në dhe nuk nënkupton se Euro do të zëvendësojë Lekun në një të ardhme të afërt.

“Hapi i parë mbetet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe pastaj vjen dhe zëvendësimi i Lekut me Euron”, shprehet ai.

Eksperti shpjegon se vetëm pas anëtarësimit në BE, Shqipëria mund të integrohet në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe të nisë procedurat për t’u bërë pjesë e Eurozonës.

“Ky është një proces relativisht i gjatë. Nuk është diçka që mund të ndodhë nesër. Fillimisht, Shqipëria duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi kërkon përshtatjen e legjislacionit dhe të sistemit bankar me standardet evropiane.”

Sipas Civicit, edhe në skenarin më optimist, zëvendësimi i Lekut me Euron kërkon të paktën shtatë vite, ndërsa në vende të tjera të Bashkimit Evropian ky proces ka zgjatur edhe 10 deri në 12 vjet.

Vlen të përmendet se vende si Suedia, Hungaria, Polonia, Çekia, Rumania apo Bullgaria, vijojnë të përdorin monedhën e tyre kombëtare edhe pas një apo dy dekadash anëtarësimi në BE.