Pretendimi: Mjeku këshillon preparatin që largon parazitët dhe papilomat në trup

Verdikti: E pavërtetë

Produktet që shiten online me efekte çudibërëse na shoqërojnë në pjesën më të madhe të portaleve të lajmeve. Një prej këtyre suplementëve është i pamundur që të evitohet njësoj si parazitët që premton të largojë.

Mbani mend papilomat, janë shenjë e rrezikut”, thuhet në krye të artikullit që përshkruan produktin dhe e shfaq si alternativë për t’u shëruar nga parazitët apo simptoma të tjera.

Ky produkt, i reklamuar si një “ndihmës” për luftën kundër paraziteve në trup, po shitet duke përdorur një emër të rremë të një mjeku, për të krijuar besueshmëri dhe për të manipuluar konsumatorët.

Në artikull, mjeku që reklamon preparatin quhet Jusuf Reka,duke u shfaqur si një mjek i “nderuar”. Megjithatë, pas një hetimi të thjeshtë, rezulton që nuk ka asnjë mjek të regjistruar me këtë emër në listën zyrtare të mjekëve në Shqipëri.

Për më tepër, në intervistën me mjekun që prezantohet në këtë faqe, mjekut Reka i ndryshohet mbiemri në “z. Reci”, çka është një tjetër dëshmi e faktit që emri është jo i saktë.

Kjo është një metodë tipike mashtrimi, e cila përdoret për të rritur besueshmërinë e produktit duke u mbështetur në një figurë autoritare që nuk ekziston.

Konfirmimi që papilomat (lythat) janë një pasojë e pranisë së paraziteve në trup është gjithashtu një pretendim i pavërtetë. Papilomat shkaktohen kryesisht nga Human Papillomavirus (HPV), një virus që stimulon rritjen e shpejtë të qelizave në lëkurë, duke çuar në formimin e lythave. Për më tepër, pirja e duhanit dhe ekspozimi i lëkurës ndaj diellit janë gjithashtu faktorë të njohur që mund të kontribuojnë në zhvillimin e papilomave.

Kjo përpjekje për të lidhur papilomat me parazitët është një tentativë për të shitur produktin në mënyrë të pavërtetë dhe të pasigurt, duke krijuar frikë tek konsumatorët dhe duke i manipuluar ata për të blerë një produkt që nuk ka asnjë bazë shkencore për të trajtuar këtë problem.

Produktet që shiten me metoda të dyshimta dhe që përdorin mjekë të rremë për të mbështetur pretendimet e tyre, duhet të shihen me skepticizëm nga lexuesit dhe duhet të konsultohen me profesionistë të vërtetë të shëndetit.