Pretendimi: Policia gjermane lejon manifestimin e ISIS-it dhe ndalon manifestimin pro-Palestinës.

Verdikti: Mungon konteksti

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se krahason reagimin e forcave gjermane të rendit ndaj dy protestave të ndryshme. Mbishkrimi në video pretendon se mainifestimi i grupit terrorist islamik ISIS lejohet, ndërsa manifestimi për Palestinën është i ndaluar.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme tregon një manifestim të mbajtur më 27 prill 2024 në qytetin gjerman Hamburg.

Marshimi nuk kishte lidhje me grupin terrorist ISIS, por me grupin “Muslim Interaktiv”, grup i cili është klasifikuar si një organizatë ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane. Grupi bën thirrje për vendosjen e një kalifati botëror.

Mbi 1000 persona morën pjesë në manifestim për të protestuar atë që ata quajtën politikat islamofobe dhe një fuhsatë mediatike kundër muslimanëve në Gjermani. Disa nga folësit raportohet të kenë bërë thirrje për transformimin e Gjermanisë në një kalifat.

Disa pjesëmarrës mbanin postera me mbishkrime si “Gjermania-një diktaturë vlerash” dhe “Kalifati është zgjidhja.” 

Manifestimi, i shoqëruar me prani të madhe policie, kaloi pa trazira.

Shefi i policisë së Hamburgut, Falk Schnabel tha se e drejta për të protestuar ka të bëjë praktikisht me nëse protesta është paqësore apo jo.

Një javë më pas, më 4 maj, po në Hamburg, u mbajt një kundër-protestë e organizuar nga grupe laike muslimane.

Më 30 prill, kancelari gjerman Scholz paralajmëroi se ky manifestim islamist do të kishte “pasoja.”