Pretendimi: Ministrja e jashtme gjermane nuk u prit formalisht në Kinë pasi kritikoi presidentin kinez
Verdikti: E pavërtetë
Një video ku shihet ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, duke zbritur nga avioni qeveritar gjerman është bërë virale në rrjete sociale.
Videoja pretendohet se shfaq momentin e mbërritjes së Baerbock për një vizitë shtetërore në Kinë. Ajo shfaqet duke zbritur e vetme shkallët e avionit dhe duket se nuk ka një pritje protokollare nga zyrtarët vendas apo qoftë edhe një përfaqësues diplomatik gjerman në Kinë. Sipas postimeve në rrjet që shoqërojnë videon, shkak i kësaj ftohtësie kineze është fakti që ministrja gjermane e quajti diktator presidentin kinez, Xi Jinping.
Shumë përdorues në Facebook shprehën habinë për mungesën e një pritjeje formale për Baerbock në pistën e aeroportit.
E njëjta video është ndarë gjithashtu këto ditë online duke pretenduar se ajo është filmuar në Indi.
Nga verifikimet në motorin e kërkimit të Google Lens, video është e vërtetë, por nuk bëhet fjalë as për udhëtimin në Indi e as në Kinë.
Një artikull nga Deutsche Welle i datës 16 janar përmbante një foto të Annalena Baerbock, e cila përputhet me videon virale. Sipas artikullit, Baerbock arriti në aeroportin e Kuala Lumpurit, Malajzi, duke konfirmuar se videoja në fjalë nuk kishte asnjë lidhje me vizitat në Kinë, por ishte xhiruar në një vend të ndryshëm.
Ndërkohë, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme gjermane konfirmoi në një email për Reuters se: “Për shkak të një komunikimi të gabuar në aeroport, avioni kishte parkuar në një pozicion parkimi të ndryshëm nga ai që ishte planifikuar, ndërsa komiteti pritës ishte në vendin e rënë dakord më parë. Kështu, ministres iu desh të ecte në këmbë disa hapa për të takuar delegacionin mikpritës.”
Kjo nuk është hera e parë e lajmeve të rreme për udhëtimet e ministres Baerbock, që duket se preferon të shfaqet sa më e thjeshtë dhe pa protokollet burokratike. Në mars 2023, gjatë mbledhjes së G20 në Indi, ajo zbriti sërish e vetme nga avioni duke mos pritur delegacionin indian. Më pas, ambasadori gjerman u detyrua të shpjegonte për mediat këtë “incident”.
“Avioni i ministres gjermane mbërriti në aeroport pak më herët sesa ishte parashikuar. Asaj iu sugjerua të qëndronte në avion dhe të konsumonte dhe mëngjesin derisa të vinte ora e parashikuar, gjë të cilën ministrja e pranoi. Më pas, në mënyrë spontane ajo vendosi të dalë nga avioni, pa u pozicionuar delegacioni pritës sipas protokollit indian. Ky ishte plotësisht gabim i yni, gjermanëve, jo i Indisë” – sqaroi asokohe ambasadori gjerman në Indi.