BallinaTë pambajturaKryeministri Rama: Nuk do të vijë fundi i muajit pa pagën e gjithkujt në biznesin e vogël

Kryeministri Rama: Nuk do të vijë fundi i muajit pa pagën e gjithkujt në biznesin e vogël

Kriza shëndetësore e koronavirusit po shoqërohet me krizën ekonomike, si pasojë e mbylljes së bizneseve, si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Paralelisht qeveria publikoi një sërë masash financiare dhe kryeministri Rama premtoi se nuk do vinte fundi i muajit mars pa pagën e atyre që kanë mbyllur biznesin për shkak të luftës. A e mbajti zoti Rama premtimin?


Masat shtrënguese kundër koronavirusit mund të kenë ndihmuar në parandalimin e përhapjes së tij, por gjithashtu i kanë dhënë një goditje familjeve që jetojnë bazuar në të ardhurat e bizneseve të vogla. Më 11 mars, kryeministri Rama njoftoi mbylljen e bareve, restoranteve dhe klubeve, fillimisht në Tiranë dhe Durrës e më pas në të gjithë vendin.

Të gjitha aktivitetet të cilat sot vijojnë të jenë mbyllur në bazë të njoftimit të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dje, më 1 prill, do të qëndrojnë deri në përfundimin e periudhës së pandemisë.

Megjithatë kreu i qeverisë deklaroi më 17 mars:

“Nuk do të vijë fundi i muajit pa pagën e gjithkujt ndër ju që qëndron në shtëpi si pasojë e mbylljes së biznesit ku punon”.

Zoti Rama publikoi më 19 mars paketën financiare prej 7 pikash, e cila përmbante dhe masa dedikuar biznesit të vogël.

“65 milionë dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël dhe papunësinë e mundshme për shkak të situatës.” u shpreh kryeministri Rama.

Por si përkthehet kjo në shifra për qytetarët?

24 mars, zoti Rama deklaroi se po atë ditë miratoi disbursimin për mbështetjen financiare gjatë “periudhës së luftës” për ata që janë më në nevojë në këtë situatë. Këtu iu drejtua edhe biznesit të vogël, për të cilin tha se personat e regjistruar do të marrin dyfishin e shumës mujore minimale të deklaruar, për “kryefamiljarin e deklaruar me rrogë dhe gruan të deklaruar pa rrogë”. Pas dy ditësh, më 26 mars, edhe ministri i angazhuar me menaxhimin e fatkeqësive, Arben Ahmetaj, bëri publike shifrat në mënyrë më të detajuar.

Më datë 28 mars, 3 ditë para skadimit të afatit fillestar të vendosur nga kryeministri Rama, ministrja e Financave Anila Denaj shpërndau njoftimin mbi kriteret dhe mënyrën e aplikimit për përfitimin e pagës. Në të specifikohej se aplikimi për “pagën e luftës” do të fillonte nga data 1 prill, një ditë pasi skadonte afati. Gjithashtu, lista e individëve fitues shpallet pas verifikimit nga ana e Drejtorisë së Tatimeve, që mund të zgjasë deri në 10 ditë.

Ky aplikim planifikohet të zhvillohet online në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në seksionin “e-Filing”, në opsionin “Çështjet e Mia”.

1 prill, Kryeministri Rama konfirmoi se kishin filluar aplikimet gjatë asaj dite për të përfituar pagën e luftës, çka konfirmon se fundi i muajit mars, që tashmë ka kaluar, jo vetëm i gjeti pa pagat e premtuara, por ato janë ende një premtim që pritet të mbahet nga kryeministri, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë e më ashpër me sfidën e mbijetesës.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img