JOEL ÇELA
Pas tërmetit të 26 nëntorit, premtimet e qeverisë për pastrimin e gërmadhave dhe rimëkëmbjen e zonave të goditura ishin të shumta. Në Durrës, është ende gjendje e jazhtëzakonshme, ku sfidat janë strehimi dhe rindërtimi. Pavarësisht premtimeve për pastrimin e qytetit, “Faktoje” konstatoi shkelje të njëpasnjëshme. Premtimi i shkelur i radhës është ai i kryeministrit Rama.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Kanë kaluar 49 ditë nga tërmeti i 26 nëntorit, që shkatërroi dhe dëmtoi shumë ndërtesa, veçanërisht në Durrës. Në ditët e para pas tërmetit, kur kishte përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit në Thumanë e Durrës, përfaqësues të qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Rama premtuan heqjen e mbetjeve inerte. Afatet që u dhanë për pastrimin varionin nga periudha e Krishtlindjes (premtim i ministrit të Rindërtimit Ahmetaj dhe i ministrit Bledi Çuçi) deri për Vitin e Ri (premtim i kryeministrit Rama).
“Faktoje” shkoi në terren që më 25 dhjetor për të parë nëse ministri Ahmetaj e kishte mbajtur premtimin, por situata në terren tregoi të kundërtën.
Më 30 dhjetor, kur ministri Ahmetaj deklaroi se qyteti i Durrësit ishte krejtësisht i pastruar nga mbetjet inerte që la pas tërmeti i 26 nëntorit, “Faktoje” shkoi sërish, por situata ishte e njëjtë.
Edhe kryeministri Edi Rama kishte premtuar pastrimin e inerteve në Durrës duke vënë si afat Vitin e Ri. Në mbledhjen në qendrën e emergjencave në Durrës, më datë 2 dhjetor, kryeministri u zotua:
“Do ta pastrojmë para Vitit të Ri komplet. Siç u pastrua Lana me kuadrate. Kompanitë e ndërtimit do t’i thërras unë: Ky është kuadrati jot, shko pastroje.”
Ne shkuam më 8 janar në këtë qytet, më shumë se një javë pas afatit të vendosur nga zoti Rama për pastrimin. Situata që gjetëm në zonën e plazhit të Durrësit ishte thuajse e njëjtë me verifikimet paraardhëse.
Inertet e grumbulluara tek Vila Palma ishin të paprekura. Aty gjetëm disa persona që kërkonin material hekuri për skrap.
Përgjatë zonës së plazhit mbetjet inerte duken lehtësisht, përgjatë gjithe rrugës kryesore. Duke filluar nga trotuaret ku banorët kalojnë në mënyrë të vazhdueshme, për të vazhduar në anë të ndërtesave që sot janë të pabanuara e deri në afërsi të rërës.
Nga komunikimi me banorë të zonës, mësuam se për disa nga objektet e shkatërruara ose dëmtuara nga tërmeti, pastrimi nga gërmadhat është bërë vullnetarisht nga subjektet.
“Faktoje” pyeti Bashkinë e Durrësit mbi institucionin që duhet të kryejë pastrimin e interteve, e cila u përgjigj se kjo është detyrë e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas të dhënave të bashkisë, deri tani janë pastruar mbetjet e 62 objekteve në Durrës dhe në zonën e plazhit.
Pavarësisht kësaj, nga verifikimi që bëmë në terren, edhe premtimin e kryeministrit, i treti në radhë prej 25 dhjetorit, do ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.