.

.

BallinaPertejKorrupsioni “skuq” rajonin në hartë, Shqipëria kryeson regresin

Korrupsioni “skuq” rajonin në hartë, Shqipëria kryeson regresin

ANDI BORA

Rezultatet e fundit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, tregojnë që Shqipëria ka pësuar regres në luftën kundër korrupsionit.

Vetëm brenda një viti, Shqipëria ka rënë në vendin e 99-të, tetë pozicione më poshtë se viti pararendës, duke ngelur pas vendeve të rajonit si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia.

Sipas Transparency International, vendi ynë ka rënë me dy pikë nga viti i kaluar duke shkuar nga 38 pikë, në 36 pikë.

“Ndërkohë Shqipëria, kandidate për në BE, u rrit me pesë pikë përgjatë pesë viteve të fundit, duke shkuar nga 31 në 2013 në 36 në 2018, ra me dy pikë vitin e kaluar. Kjo mund të jetë si pasojë e një ngërçi politik i cili bllokoi disa reforma anti-korrupsion për të ecur përpara”, shkruhet në raportin e Transparency International.

Shqipëria, shënon ulje në renditje për luftën kundër korrupsionit

Sipas grafikut që kemi ndërtuar, mbi bazën e të gjithë të dhënave të disponueshme nga raportet e Transparency International, shihet që Shqipëria krahasuar me vendet e rajonit, është në pozicione jo të mira kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit.

Kosova, të dhënat e të cilës datojnë nga 2010-ta pas shpalljes së pavarësisë, në tërësi paraqitet e pozicionuar më mirë se Shqipëria, përveç vitit 2015 dhe 2016.

Ndërsa në vitin 2017, Maqedonia ka qenë e pozicionuar më poshtë se Shqipëria, por mesa duket ka “rikuperuar” pozicion në vitin 2018 duke lënë përsëri pas vendin tonë.

Krahasuar me vitin 2016, Shqipëria ka pësuar rënie me 16 pozicione, vit që shënon edhe performancën më të mirë të vendit tonë në luftën kundër korrupsionit që nga viti 2005, ku për herë të parë vendi ynë renditet në vendin e 83-të.

Mali i Zi, të dhënat e të cilit fillojnë në vitin 2007, paraqitet më mirë se të gjithë vendet e rajonit, pavarësisht se në katër vitet e fundit ka rënë me gjashtë vende, duke shkuar kështu në vendin e 67-të.

Serbia në katër vitet e fundit, ka rënë me 16 vende, 10 prej të cilëve brenda vitit 2018.

Por çfarë shkruante Transparency International për Shqipërinë në vitin 2017?

“Në gjashtë vitet e fundit, Shqipëria, e cila shënoi 38 pikë në Indeksin e fundit të Perceptimit të Korrupsionit, përjetoi disa përmirësime me kalimin e paketës së reformës në drejtësi, e para e këtij lloji në rajon. Ky moment mund t’i atribuohet strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Europian (BE) dhe përpjekjeve që Shqipëria po përpiqet të bashkohet me BE”, thuhet në raportin e vitit 2017 të Transparency International.

Transparency International për vendet e rajonit në vitin 2018

Serbia – Me një rezultat prej 39 pikësh, Serbia ra me dy pikë krahasuar me vitin e kaluar, një trend që mund të vazhdojë nëse qeveria vazhdon të minojë ato organe dhe institucione që janë përgjegjëse për ruajtjen e sundimit të ligjit. Në vitin 2018, pavarësisht kundërshtimit nga OJQ-të, shoqatat profesionale dhe të tjera, qeveria ka shtyrë për rritjen e ndikimit mbi gjyqësorin.

Kosova – Me një rezultat prej 37 pikësh, Kosova ka rënë me dy pikë nga Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit që nga 2017. Disa nga sfidat më të mëdha anti-korrupsion në Kosovë përfshijnë transparencë të pamjaftueshme, institucione të dobëta dhe sundim të ligjit, dhe hapësirë të pamjaftueshme për angazhimin qytetar.

Mali i Zi – Me një rezultat prej 45 pikësh, Mali i Zi ra me një pikë që nga viti i kaluar. Pavarësisht përparimit të saj për integrimin në BE, vendi duhet që ende të përmirësojë ndjeshëm sundimin e ligjit. Shqetësimet rreth financimit të partive politike dhe mungesa e transparencës financiare, hedhin një hije mbi rezultatet e zgjedhjeve.

Sipas Transparency International, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të mund të përmirësojë situatën e saj në të ardhmen.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img