BallinaTë pambajturaMiliona lekë investime, hekurudha Fier-Vlorë ende nuk është funksionale

Miliona lekë investime, hekurudha Fier-Vlorë ende nuk është funksionale

ANXHELA RUÇI

Transporti hekurudhor në Shqipëri është nga sektorët më pak të zhvilluar nëse do ta krahasojmë me mënyrat e tjera të transportit  siç është ai rrugor, detar apo ajror.  Sipas një raporti të vitit 2017, gjatësia e linjës hekurudhore në Shqipëri arrin në 420 km, nga të cilat vetëm 317 km janë funksionale.

Në vjeshtën e vitit 2018, Damian Gjiknuri, asokohe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, nëpërmjet rrjeteve sociale promovonte punën që po bëhej për rivitalizimin e linjës hekurudhore Fier-Vlorë e cila sipas tij brenda vitit 2018 do të fillonte punë për transportin e udhëtarëve por edhe për transportin e naftës bruto.

                                                                                                           Postim në Twitter i Damian Gjiknurit, 27 shtator 2018

Miliona lekë investime dhe situata aktuale në hekurudhën Fier-Vlorë

Për dy linja hekurudhore “Fier-Rafineri-Fier” dhe “Fier-Petroliferë-Vlorë” me gjatësi 38.5 km, janë investuar rreth 6 milionë euro ose konvertuar në monedhën tonë, 744 milionë lekë. Një kilometër rrugë hekurudhore që do të lidhë Fierin me Vlorën dhe anasjelltas, ka kushtuar 19.3 milionë lekë.

Në janar të vitit 2019 “Faktoje” shkoi për të parë nga afër punimet në segmente të ndryshme të hekurudhës pranë qytetit të Fierit dhe për të parë nëse hekurudha ishte funksionale ashtu siç kishte premtuar Damian Gjiknuri. Nga vëzhgimet në terren u vërejt se kompania koncesionare “Albrail” kishte ndërhyrë për rehabilitimin e traseve dhe territorin përreth tyre. Por siç konfirmohet edhe nga kontaktet që patëm me përfaqësues të kësaj kompanie, investimet nuk janë mbyllur ende dhe  hekurudha janë në fazë testimi.

Të njëjtën përgjigje ka kthyer edhe ministria e Infrastrukturës në dhjetor të vitit që lamë pas. Ky institucion tha për “Faktoje” se faza e parë e investimeve është në proces kolaudimi, duke mos dhënë një afat se kur kjo linjë do të ishte funksionale.

Kompania “Albrail” është kompania koncesionare që ka marrë përsipër rehabilitimin e linjës hekurudhore “Fier-Rafineri-Fier”,  “Fier-Petroliferë-Vlorë” dhe “Fier-Ballsh”.  Që në raportin e vitit 2017 publikuar nga “Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor” thuhet se kompania ka nisur rehabilitimin e dy linjave hekurudhore, por jemi në vitin 2019 dhe në hekurudha puna s’ka filluar ende pasi janë në fazë testimi. Kompania ka bërë dhe disa shpenzime të tjera për blerje lokomotivash apo marrje me qera të vagonëve që do të transportojnë naftën bruto për eksport, investime që arrijnë vlerën e 1.7 milionë euro.

Sipas MIE, treni që do të kalojë në këtë aks hekurudhor do të ketë shpejtësi 60 km/orë, do të ketë kushte komode dhe kosto më të lirë për transportin e studentëve, për punëtorët ditorë, fermerët, turistët dhe banorët e zonës.

Por siç duket dhe nga vëzhgimi që “Faktoje” ka bërë në terren, investimet që kapin shifrat e disa milionëve lekë ende nuk i kanë ardhur në ndihmë udhëtarëve që do të zgjedhin këtë mënyrë transporti përgjatë këtij aksi hekurudhor dhe gjithashtu as nuk e kanë lehtësuar transportin e naftës bruto.

Afati apo koha e saktë se kur linja hekurudhore “Fier-Vlorë” do të jetë funksionale nuk mund të japim një përgjigje pasi nga institucionet përkatëse nuk e kemi marrë një të tillë. E vetmja gjë që dimë, është se afati i vendosur nga ish-ministri Gjiknuri për fillimin e punës në dhjetor 2018, ka “skaduar”, prandaj do ta klasifikojmë si një PREMTIM TË PAMBAJTUR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img