Një fëmijë 8 vjeç, përsërit për të tretin vit radhazi klasën e parë, në një klasë kolektive në shkollën “Hamdi Mansaku” në Zall Dajt. Ky është një rast tipik i produktit të klasave/shkollave kolektive, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Fenomeni që siç pranohet edhe zyrtarisht do zgjasë në kohë, rrezikon mbi 20 mijë nxënës të shpërndarë në 2500 klasa të tilla. Të penalizuarit kryesorë janë fëmijët e klasavë të para, që sipas prindërve, nuk arrijnë të mësojnë as shkronjat.
………………………………
“Ne kemi realizuar një reformë në përqendrimin e shkollave apo në uljen e numrit të nxënësve që mësojnë në klasa kolektive. E vërteta është se kemi një numër të caktuar nxënësish, rreth 20 mijë që mësojnë në klasa kolektive”- deklaroi Kushi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë më 8 nëntor.
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren, dhe zgjodhi një shkollë vetëm 15 kilometra larg Tiranës, saktësisht në fshatin Zall- Dajt për të parë si funksionojnë klasat kolektive.
Për të shkuar në Zall-Dajt ndjekim rrugën që bashkohet me “Rrugën e Arbrit”, ku ende vijojnë punimet. Pas rreth 40 minutash mbërrijmë në shkollën 9-vjeçare “Hamdi Mansaku”, nga ku lehtësisht dallohet edhe “Rruga e Arbrit”.
Screenshot nga Google Map, shkolla” Hamdi Mansaku”
Nga biseda me stafin pedagogjik mësuam se në këtë shkollë zhvillojnë mësim 38 nxënës, të ndarë në 5 klasa. Në arsimin fillor, i cili funksionon gjithashtu me klasa kolektive, janë nga 6 nxënës për klasë. Në klasën e 7 dhe klasën e 9 janë nga 10 nxënës, ndërsa klasa e 6 dhe ajo e 8, nuk janë klasa kolektive. Mësimi zhvillohet nga ora 09:00-13:00.
Shkolla 9-vjeçare “Hamdi Mansaku”, nëntor 2021
Gjatë vëzhgimit të procesit mësimor në shkollën “Hamdi Mansaku” u vumë në dijeni mbi një fenomen shqetësues, ku kishte fëmijë përsëritës të klasës së parë për 2-3 vite rresht, pasi dijet e marra nuk ishin të mjaftueshme për të kaluar një stad më lart.
Banorë të zonës Zall Dajt na thanë se ky nuk është i vetmi rast dhe se janë të shumtë prindërit të cilët firmosin që fëmijët e tyre të përsërisin disa herë klasën e parë për shkak se nuk i marrin njohuritë e duhura brenda një viti shkollor, në klasat kolektive.
Sipas prindërve, problemi nis që nga mungesa e kopshtit dhe arsimit parashkollor për fëmijët, të cilët dërgohen direkt e në bankat e shkollave dhe për më tepër, në klasa kolektive.
“Janë shumë raste të nxënësve të klasës së parë që e përsërisin. Nuk dinë të bëjnë asgjë. Problemi qëndron se këtu nuk ka kopsht dhe as shkollë. Ku do përgatiten fëmijët? Ne shkojmë rrimë me ta brenda në orën e mësimit, por sado përpiqemi, nuk e bëjmë dot rolin e mësuesit. Mbarojnë klasën e parë dhe nuk dinë as shkronjat”- thanë prindërit për Faktoje.
Shkolla 9-vjeçare “Hamdi Mansaku”, nëntor 2021
Ne biseduam edhe me vogëlushin, i cili edhe pse sivjet është 8 vjeç, beson se është 6 vjeç, ngaqë për të distatin vit mëson në klasën e parë.
“Unë jam 6 vjeç, në klasën e parë. Më pëlqen të vij në shkollë”- u shpreh vogëlushi, i cili sipas mësuesve mëson për të tretin vit në klasën e parë.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, nëse ishin të dijeni të rasteve të tilla flagrante, produkt i klasave kolektive, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.
Kërkesa për informacion dërguar MASR dhe DPAP
Shkolla “Hamdi Mansaku” në Zall-Dajt ka në varësi të saj edhe 6 shkolla të tjera, të cilët gjithashtu funksionojnë me klasa kolektive. Të gjitha këto klasa përfshirë edhe ato në shkollat Selitë e Malit, Besh, Shupal, Kurth, Dajt, Maricaj përballohen nga 19 mësues.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në lidhje me numrin e nxënësve që mësojnë në klasa kolektive në vendin tonë.
Kërkesa për informacion dërguar DPAP
“Për shtrirjen gjeografike të vendbanimeve në fshatrat e Shqipërisë ende kemi nxënës që mësojnë në klasa kolektive. Theksoj se këto shkolla janë në zona të thella dhe me infrastrukturë jo të përshtatshme për shkak edhe të kushteve të motit gjatë periudhës së dimrit.
Për këtë vit shkollor mësimi zhvillohet në 2500 klasa kolektive në të cilat zhvillojnë mësimi rreth 20400 nxënës. Numri i nxënësve në këto klasa vjen në ulje, por ka qenë e pamundur të eliminohen plotësisht”- njoftoi zyrtarisht DPAP për Faktoje.
Por, sa klasa kolektive janë mbyllur që nga 2018 deri më tani: “Nga viti shkollor 2019-2020 në vitin shkollor 2020-2021 është ulur numri i shkollave, nxënësve dhe klasave kolektive. Përkatësisht nga 1227 shkolla kemi 1165 shkolla, pra ky numër është pakësuar me 62 shkolla. Nga 2618 klasa kolektive ne vitin shkollor 2019-2020 ne 2500 klasa ne kete vit shkollor, pra 118 klasa me pak. Nga 23118 nxënës në vitin shkollor 2019-2020 kemi 20400 nxënës në këtë vit shkollor, pra 2718 nxënës më pak në klasat kolektive.
Vit pas viti duke mbajtur në konsideratë ndërhyrjet në infrastrukturën shkollore, kemi pasur një ulje të numrit të shkollave, klasave dhe nxënësve që mësojnë në klasa kolektive. Sigurisht puna jonë nuk do të ndalet këtu, ky proces ndiqet me prioritet nga Institucionet dhe në çdo hapësirë që krijohet ndërhyjmë, por dua të theksoj se në këtë proces ka shumë faktorë që ndikojnë”.
Gjithashtu, ne e pyetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar nëse ka një plan mbylljen përfundimtare të klasave kolektive. Zyrtarisht na u bë e ditur se nga analiza e të dhënave rezulton se 80% e klasave të bashkuara janë në Arsimin Fillor, gjë që krijon edhe vështirësinë më të madhe për përqendrimin e nxënësve.
“Çdo vit bëhen studime dhe shihen mundësitë që këto klasa të vijnë duke u ulur, por për aq kohë sa e lejojnë kushtet infrastrukturore dhe garancia për të siguruar arsim falas në çdo kënd të Republikës së Shqipërisë, sado i largët të jetë”- theksohet në përgjigjen e DPAP.
Faktoje bisedoi me ekspertin e Arsimit, Albano Zhapaj në lidhje me çështjen e klasave kolektive. Zhapaj u shpreh se shkollat apo klasat kolektive janë të domosdoshme në disa zona, teksa theksoi se duhet të trajnohem mësuesit në mënyrë që të rritet cilësia e mësimdhënies.
“Jo të gjitha klasat kolektive shkojnë keq. Në qoftë se shkojnë keq do të thotë që mësuesi nuk është i duhuri ose nuk është në gjendje që të përballojë ngarkesën mësimore ose të ketë përvojën e duhur për ta menaxhuar situatën ose ata fëmijë që janë në klasa të ndryshme.
Është e vërtetë që klasa kolektive ka një vështirësi në thelb, sepse mësuesi duhet të ndjekë, dy-tre apo katër klasë. Deri këtu jemi dakord të vështrësia.
Por, nëse ka vështirësi, mësuesi duhet të stimulohet edhe ekonomikisht, por edhe të trajnohet në mënyrë që të japë rezultatet e duhura.
Klasat kolektive janë të domosdoshme në territore të caktuara, sepse nëse ikin fëmijët, ikin dhe familjet. Është e domosdoshme që për këto zona, të mos t’i gjejnë punë mësuesit, por t’i gjejmë punës mësuesin.
Zgjidhja që unë mendoj është që mësuesit që janë atje të trajnohen nga struktura të posaçme në arsim që merren me trajnimin e mësuesve.
Një ide e mirë është që të ngrihen grupe të posaçme ekspertësh që të merren me trajnimin e mësuesve që japin mësim në këto zona. Duhet të kemi parasysh edhe karakteristikat kulturore të zonës”, theksoi eksperti Albano Zhapaj.