.

.

BallinaPertejKartat e skaduara të identitetit , teorikisht të vlefshme por në praktikë nuk bëjnë punë  

Kartat e skaduara të identitetit , teorikisht të vlefshme por në praktikë nuk bëjnë punë  

ANXHELA RUÇI

Për të gjithë ata qytetarë të cilëve u ka skaduar apo u skadon afati i përdorimit të kartave të identitetit ose ID-ve, brenda vitit aktual pavarësisht muajit, autoritetet shtetërore menduan të krijojnë për ta lehtësira, duke shtyrë afatin e vlefshmërisë së këtij dokumenti deri në dhjetor 2019.

Këtë lajm e bëri të ditur fillimisht kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj së bashku me ministrin e Brendshëm Sandër Leshaj gjatë inspektimit të një prej zyrave të kompanisë kontraktuese për pajisjen e qytetarëve me kartë identiteti.

Sipas ministrit Lleshaj, qëllimi kryesor i shtyrjes së afatit për ID-të është krijimi i mundësive për të gjithë qytetarët që të shprehin të drejtën e votës në zgjedhjet bashkiake të cilat pritet të mbahen në qershorin e këtij viti.

Por sa lehtësuese mund të jetë shtyrja e afatit të skadencës së ID-së për procesin e votimit, aq probleme ka sjellë në përditshmërinë e qytetarëve që kanë një kartë identiteti me afat të përfunduar përdorimi por që nëpërmjet saj kryejnë një sërë veprimesh të tjera.

Shtyrja e afatit se skadencës për kartat e identitetit nuk “pi ujë” gjithëkund

Krahas lehtësirave që krijon në disa sektorë kryesisht publikë, karta e identitetit e skaduar tashmë në afate kohore, është e pavlefshme në disa sektorë të tjerë jo vetëm privat pavarësisht shtyrjes së afatit të përdorimit të saj.

Nëse do të kryesh një veprim në bankë, qytetarët me kartë identiteti të skaduar nuk mund të kryejnë punë. “Faktoje” u interesua pranë filialeve të disa bankave të nivelit të dytë dhe përdorimi i ID-ve që u ka mbaruar afati i përdorimit, është i pavlefshëm.  Nëse do të bësh tërheqje parash, depozitim, hapje llogarie apo çdo lloj veprimi tjetër, të duhet një kartë jo e skaduar. Punonjës të bankave thanë për “Faktoje” se nuk kanë asnjë udhëzim apo kërkesë zyrtare dërguar nga instancat përkatëse për të pranuar kryerjen e veprimeve për qytetarët me kartë identiteti të skaduar.

Po e njëjta situatë është edhe pranë kompanive të telekomunikacionit. Shkuam në disa dyqane të këtyre kompanive dhe rezultoi se nëse duhet të blesh dhe të regjistrosh një numër kontakti të duhet paraqitesh me një kartë që nuk është e skaduar.

Nëse ke një kartë ID-je të skaduar, edhe pse projektligji i votuar në Kuvend e shtyn vlefshmërinë deri në dhjetor 2019-të, sërish nuk mund të aplikosh për t’u pajisur me patentë (leje drejtimi automjeti). Të interesuar pranë disa autoshkollave na u bë me dije se s’mund të aplikohej nëse karta ishte me afat të përfunduar.

Pengesë tjetër që vihet re si pasojë e skadimit të ID-ve haset edhe në disa Pikat Kufitare ku karta e identitetit është e domosdoshme për kapërcimin e kufirit (në mungesë të pajisjes me pasaportë). Pavarësisht se brenda vendit karta e skaduar duhet të ishte plotësisht funksionale sipas projektligjit të ri, nëse do të shkosh në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, një gjë e tillë nuk është e mundur pavarësisht vendimit për shtyrjen e afatit të skadimit.

Nga kontaktet që “Faktoje” pati me Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit “Tushemisht-Shën Naum”, na u shpjegua se kartat e identitetit me datë lëshimi të skaduar mund të përdoreshin vetëm brenda territorit të Shqipërisë dhe jo jashtë saj.

“Faktoje” është interesuar edhe pranë disa institucioneve të tjera shtetërore për të parë nëse mund të kryheshin veprime me një kartë identiteti me afat të përfunduar. Shumë prej institucioneve nuk ishin të qartë sesi veprohej në të tilla raste. Po këto institucione na kërkuan që në mungesë të kartës të paraqiteshim me një mjetë tjetër identifikimi siç është Pasaporta apo Certifikatë personale, gjë që tregon dhe njëherë konfuzionin rreth kësaj çështjeje.

Procedurat ligjore që janë ndjekur për shtyrjen e afatit të kartave të skaduara

Deklarata për shtyrje të afatit për skadimin e kartave të identitetit është dhënë që në 30 janar të vitit 2019, por ligjërisht ky vendim nuk ka hyrë në fuqi.

Më 5 mars, datë kur u mbajt seanca plenare, u miratua projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”. Pas miratimit, ky ndryshim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sot, më shumë se një javë pas miratimit në Kuvend ky projektligj nuk është publikuar ende në Fletoren Zyrtare.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img