JOEL ÇELA & EDIT NIKOLLI
Vetëm Ministria e Bujqësisë, e Kulturës, Arsimi dhe Kuvendi i kthyen përgjigje thuajse të plotë, pas tejkalimit të afateve dhe ankimimit, kërkesës me 12 pyetje të Faktojes për faturat e shpenzimeve të titullarëve në udhëtimet jashtë vendit. Në dallim nga viti 2019, kur Faktoje dërgoi për herë të parë kërkesën me këtë objekt, Ministria e Drejtësisë nuk vuri më në dispozicion faturat shoqëruese të udhëtimit të ministres me argumentin se kishte staf të reduktuar për shkak të pandemisë. Ndërkohë Presidenca dhe Ministria e Jashtme vijojnë të refuzojnë dhënien e dokumentacionit, edhe pse janë gjobitur për mosekzekutim të vendimit gjyqësor me të njëjtin objekt.
Prej gushtit 2019, kur Faktoje publikoi artikullin e parë mbi shpenzimet në udhëtimet jashtë vendit të ministres së Drejtësisë, u konstatua hermetizim i institucioneve ndaj kërkesës për vënien në dispozicion të faturave që dokumentojnë këto shpenzime.
Në shkurt 2021, Faktoje iu drejtua për të dytën herë 15 institucioneve shtetërore me një kërkesë më të detajuar për informacion, që konsistonte në 12 pyetje mbi shpenzimet në udhëtimet zyrtare jashtë vendit në periudhën janar 2018-prill 2020.
Institucionet të cilave iu drejtua kërkesa për informacion:
- -Kryeministria
- -Kuvendi
- -Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë
- -Ministria e Brendshme
- -Ministria e Financave dhe Ekonomisë
- -Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
- -Ministria e Kulturës
- -Ministria e Mbrojtjes
- -Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale
- -Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- -Ministria e Drejtësisë
- -Ministria e Shtetit për Rindërtimin
- -Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
- -Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
- -Presidenca
Faktoje, bazuar në ligjin e të drejtës për informim 119/2014 dhe legjislacionin që lidhet me trajtimin financiar të titullarëve për shërbimet jashtë vendit, udhëzimin nr. 22 të vitit 2013 dhe vendimin nr.870 të vitit 2011, kërkoi këto dokumenta:
- Ftesën dhe axhendën e takimeve, dërguar nga pala pritëse dhe shkresa përcjellëse e saj ku përfshihen edhe kostot e mbuluara prej palës pritëse (udhëtim, fjetje, akomodim, ushqim në vlerë monetare etj.)
- Programin e punës në lidhje me këtë takim ku të argumentohet rëndësia e pjesëmarrjes, numri i pjesëmarrësve dhe kostot e mbuluara nga pala shqiptare.
- Urdhrin e shërbimit që miraton kryerjen e shërbimit.
- Detajimin e kostove që mbulohen nga buxheti i shtetit që shoqërojnë urdhrin.
- Urdhrin e prokurimit/shpalljen e njoftimit për biletat.
- Faturën e biletës së udhëtimit nga agjencia turistike, shoqëruar me rezervimin e gjeneruar nga sistemi i shoqërive ajrore.
- Formularin e paradhënies (në vlerë monetare) për dieta, akomodim, transport të firmosur nga udhëtuesi dhe sektori i financës.
- Faturën e akomodimit në hotel të gjeneruar nga hoteli dhe firmosur nga udhëtuesi.
- Faturat që mbështesin shpenzimet për transport.
- Boarding pass-et e nisjes dhe mbërritjes.
- Formularin e “Urdhrit të Shërbimit për Jashtë Vendit” të plotësuar dhe firmosur pas kthimit në Tiranë.
- Raport/relacion shërbimi që plotësohet nga pjesëmarrësit pas kthimit nga shërbimi jashtë vendit.
Formë e kërkesës për informacion drejtuar institucioneve më 8 shkurt 2021
Nga 15 institucione, vetëm 4 kthyen përgjigje (pothuajse) të plotë:
1-Ministria e Bujqësisë ka kthyer përgjigje të plotë dhe brenda afatit pa u ankimuar nga Faktoje.
Përgjigje e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 11 shkurt 2021
2-Ministria e Kulturës ka kthyer përgjigje pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Dokumentat janë duke u përpunuar në redaksinë e Faktoje.
Përgjigje e Ministrisë së Kulturës, 19 prill 2021
3-Kuvendi i Shqiperisë ktheu përgjigje thuajse 5 muaj pas dërgimit të kërkesës dhe ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Edhe ky dokumentacion po përpunohet nga gazetarët e Faktoje.
Përgjigje e Kuvendit të Shqipërisë, 28 maj 2021
4-Ministria e Arsimit ka kthyer përgjigje pas ankimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Përgjigje e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë
Drejtësia ‘rrudhi’ transparencën pasi publikoi faturat e ministrave në 2019-n
Kërkesës për informacion, dërguar në fillim të këtij viti, Ministria e Drejtësisë pas ankimimi te Komisioneri i ka kthyer vetëm këtë përgjigje:
“Në cilësinë e kërkuesit keni depozituar në rrugë elektronike përmes emailit Koordinatori.Informimi@drejtesia.gov.al pranë Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me nenin 11 të Ligjit nr. 119/2014 Për të drejtën e informimit, kërkesën për dhënie informacioni, regjistruar me numër rendor 21 datë 27.04.2021.
Pas shqyrtimit të kërkesës, bashkëngjitur gjeni përgjigjen nga struktura përkatëse në Ministrinë e Drejtësisë:
Në përgjigje të kërkesës tuaj nëpërmjet të cilës keni kërkuar informacion mbi udhëtimet e Ministres për periudhën 1 janar 2018 – 30 prill 2020, ju informojmë si më poshtë vijon:
Për vitin 2018 Titullari i institucionit ka kryer 10 (dhjetë) vizita zyrtare në Danimarkë-Kopenhagen, Francë, Hollandë, Gjermani, Belgjikë, Gjeorgji, Austri dhe Belgjikë.
Udhëtimet janë kryer në muajt Prill, Maj, Qershor, Korrik, Gusht, Shtator dhe Dhjetor 2018.
Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit i gjeni të detajuara si më poshtë:
Shpenzime për dieta 339.480 lekë ose 2.42% të totalit të planifikuar të shpenzimeve për udhëtim e dieta jashtë vendit.
Shpenzime për fjetje 700.265 lekë ose 5% të totalit të planifikuar të shpenzimeve për udhëtim e dieta jashtë vendit.
Shpenzime udhëtimi 767.915 lekë ose 5.4% të totalit të planifikuar të shpenzimeve për udhëtim e dieta jashtë vendit.”
Përgjigje e Ministrisë së Shëndetësisë, 12 shkurt 2021
“Për vitin 2019 Titullari i institucionit ka kryer 13 (trembëdhjetë) vizita zyrtare në Angli, Austri, Itali, Kosovë, Gjermani, Francë, Belgjikë, Maqedoni. Udhëtimet janë kryer në muajt Shkurt, Mars, Prill, Maj, Qershor, Tetor, Nëntor 2019.
Shpenzime për udhëtim e dieta përllogariten në shumën 1.291.500 lekë ose 5.3% të totalit të planifikuar të shpenzimeve për dieta, jashtë vendit.
Për vitin 2020, titullari i institucionit deri më datë 30 prill 2020 nuk ka kryer asnjë udhëtim jashtë vendit.”- ishte përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë.
Përgjigje e Ministrisë së Drejtësisë, 11 maj 2021
Faktoje, pas marrjes së përgjigjes, iu drejtua sërish Komisionerit më 21 maj, duke e ankimuar si të paplotë këtë përgjigje dhe me kërkesën për vënien në dispozicion të dokumentacionit shoqërues.
Përgjigje nga Komisioneri për të drejtën e Informimit, 26 maj 2021
Pas ankimimit te Komisioneri, Ministria e Drejtësisë na informoi:
“Nga ana jonë, informacioni është dërguar në mënyrë të përmbledhur, për shkak të situatës së krijuar nga gjendja e pandemisë Covid-19, mungesës së stafit në sektorin e financës dhe periudhës së gjatë për të cilën kërkohet informacioni”.
Përgjigje e Ministrisë së Drejtësisë, 1 qershor 2021
Kryeministria dhe presidenca ‘stoike’, nuk japin faturat
Kryeministria nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën e Faktoje dërguar në fillim të këtij viti, pavarësisht ankimimit te Komisioneri. Faktoje e ka fituar gjyqin në shkallën e parë me këtë institucion, por pritet përfundimi i procesit në të gjitha nivelet, proces që mund të kërkojë deri në disa vite kohë, sipas përfaqësueses ligjore të Faktoje, avokates Irena Dule.
Pas kërkesës së dytë për faturat, Presidenca dërgoi këtë përgjigje në adresë të Faktoje:
“Ju theksojmë përsëri se çështja për të cilën kërkoni informacion, është bërë pjesë e shqyrtimit gjyqësor dhe pret vendimmarrjen e formës së prerë të gjykatës, për këtë arsye nuk mund të vijohet paralelisht edhe në rrugë administrative. Institucioni i Presidentit të Republikës mbetet në pritje të vendimmarrjes së formës së prerë të gjykatës mbi këtë çështje.”
Përgjigje e Presidencës, 5 shkurt 2021
Ministria e Financave, është ndër institucionet që nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën e dërguar në fillim të këtij viti. Gjykata Administrative e shkallës së parë, më herët ka vendosur në favor të Faktoje për dhënien e faturave, por jo para përfundimit të procesit në të gjitha nivelet, nëse lihet në fuqi i njëti vendim.
Ministria e Brendshme, pas ankimimit të komisioneri për të drejten e informimit, kjo ministri ka kthyer një përgjigje të paplotë. Argumenti për mungesën e dokumentacionit ishte pamjaftueshmëria e burimeve njerëzore për t’u marrë me ‘detajet’ e kërkesës së Faktoje dhe një audit që po zhvillohej nga KLSH në këtë institucion.
“Sa u përket detajeve të tjera si ftesa, axhenda, programe pune, formularë, fatura, boarding pass, raport shërbimi, urdhëra etj, duke qenë se këto informacione duhen gjetur në arkiv, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për t’ua vënë në dispozicion pas datës 23 prill 2021, periudhe në të cilën mund të përfundojë auditi i KLSH në Ministrinë e Brendshme. Ky kontroll i KLSH kërkon angazhimin kohor dhe burime njerëzore të konsiderueshme nga drejtoria përgjegjëse, e cila ndodhet në kushte të pamjaftueshme për t’u angazhuar me detajet e kërkesës suaj.”- thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit, Faktoje e rikujtoi këtë institucion për detyrimin ligjor për të na dhënë dokumentacionin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi reagim.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë na është përgjigjur se kërkesa për informacion është duke u trajtuar pranë Drejtorisë përkatëse, por ka kërkuar kohë për dërgimin e infomacionit.
Përgjigje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjise, 3 shkurt 2021
Edhe pse kanë kaluar mbi katër muaj, nuk kemi marrë ende përgjigje nga kjo ministri.
Ministria e Mbrojtjes dërgoi përgjigje të cunguar në lidhje me 12 pyetjet e Faktoje. Pas ankimimit te Komisioneri nuk kemi marrë më përgjigje.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe truku me ‘faktorin kohë’
Pas ankimimit, më datë 22 prill 2021 Ministria e Shëndetësisë i dërgoi Faktojes informacion përmbledhës dhe të pashoqëruar me dokumente për udhëtimet e titullarit:
“Për periudhën janar 2018 -30 prill 2020, Titullari i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kryer 5 udhëtime jashtë vendit të mbuluara nga buxheti i shtetit, ndër të cilat 4 prej tyre janë kryer me avion (klasi ekonomik) dhe 1 me automjet. Kostoja tolate e këtyre udhëtimeve për vitin 2018 është me vlerën 3.294 euro. Destinacionet janë Mali i Zi, Suedi, Itali, Itali, Serbi. Ndërsa në vitin 2019 dhe 2020 është 0 euro.”
Përgjigje e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 22 prill 2021
Pas përgjigjes së paplotë ministria kërkoi kohë për të sjellë dokumentet, por ndërkohë skadoi edhe afati dymujor dhe ankimimi ishte i pamundur ligjërisht.
Ministria e Rindërtimit e ka justifikuar moskthimin e përgjigjes sipas kërkesës, me faktin se ky institucion është pjesë e organigramës së kryeministrisë.
“Në lidhje me kërkesën për informacion të znj. Edit Nikolli, datë 08.02.2021, ku kërkohet informacion në lidhje me shërbimet jashtë vendit të funksionarit të institucionit, Ministrit të Shtetit për Rindërtim, ju bëjmë me dije se Ministria e Shtetit për Rindërtimin është pjesë e organigramës së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Ministri Ahmetaj në vizitat e tij zyrtare ka qenë pjesë e delegacionit që shoqëron Kryeministrin. Gjithë procedurat janë organizuar nga aparati i Këshillit të Ministrave.
Në CC të këtij email-i gjeni edhe kontaktin e koordinatores për Informim të Këshillit të Ministrave.” – ishte reagimi i ministrisë së Rindërtimit, dërguar pëmes postës elektronike.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Më datë 17 maj, Faktoje ka dërguar një kërkesë për informacion dhe në 4 qershor e ankimoi te Komisioneri mosdhënien e informacionit të kërkuar.
Pas ankimimit, Ministria e Turizmit na dërgoi një tabelë përmbledhëse që informonte për datat, destinacionet, dietat dhe çmimin e akomodimit të ministrit, por të pashoqëruara me dokumentet shoqëruese.
Përgjigje e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, 23 qershor 2021
Faktoje e ankimoi përsëri tek Komisioneri përgjigjen e paplotë dhe jemi ende në pritje të informacionit të kërkuar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e gjobitur nga përmbarimi, ashtu si edhe Presidenca për mosekzekutimin vullnetar të vendimit gjykatës për dhënien e dokumentaconit, i ktheu një përgjigje të paplotë kërkesës së dërguar në fillim të këtij viti. Faktoje e ankimoi këtë përgjigje dhe është ende në pritje të dokumentacionit.
Me ripërsëritjen e kërkesës për informacion drejtuar 15 institucioneve shtetërore, për faturat e shpenzimeve gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit të titullarëve, Faktoje konstatoi një rënie të nivelit të transparencës dhe llogaridhënies. Shumica e tyre refuzoi të japë dokumentet, ose në rastin më të mirë zvarriti afatet apo ktheu përgjigje të cunguara.