Pretendimi: Gabriel Escobar është shkarkuar nga detyra si i dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor

Verdikti: Mungon konteksti

——————————–

Një numër portalesh shqipfolëse raportuan në fillim të Majit se zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar ishte shkarkuar nga detyra si i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Artikujt e mediave shqipfolëse duket se i referohen një reviste të quajtur The Frontliner, dhe redaktorit të saj Vudi Xhymshiti. Në artikullin e tij, Xhymshiti pretendon se Escobar është shkarkuar si pasojë e një konflikti të pretenduar interesi që cënon neutralitetin e tij si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi.

“Zbulimi i mëtejshëm nga revista The Frontliner i një kontrate ligjore mes McGinnis Lochridge LLP dhe qeverisë së Republikës Srpska, datuar 23 dhjetor 2019, i shton një shtresë tjetër intrigës,” shkruan Xhymshiti. “Kjo kontratë, e cila parashikon pagesa mujore prej $80,000 firmës ligjore për këshillim dhe përfaqësim të Republika Srpska në çështje ligjore ndërkombëtare, hedh dritë mbi lidhjen familjare mes Manuel Escobar, një partner në firmë, dhe Gabriel Escobar.”

Megjithatë, këto pretendime të Xhymshitit u hodhën shpejt poshtë nga Departamenti amerikan i Shtetit. 

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, një zëdhënës i DASH i quajti ato “pretendime të rreme lehtësisht të verifikueshme.”

“Vudi Xhymshiti së fundmi ka bërë një numër deklaratash në internet për zotin Escobar, të cilat janë të verifikueshme si të rreme. Përkundër pretendimeve të zotit Xhymshiti, bashkëshortja e zotit Escobar kurrë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe zoti Escobar nuk ka asnjë lidhje familjare me të ashtuquajturin partner të zyrës së avokatisë në Texas, McGinnis Lochridge LLP,” shprehet ky zëdhënës i DASH, i pacituar me identitet, një formë e përdorur shpesh nga DASH në konfirmime në një media publike dhe të besueshme në ShBA si Zëri i Amerikës.  

Më tej, Escobar nuk është shkarkuar, por do të transferohet në javët në vijim për një pozicion tjetër brenda shërbimit diplomatik amerikan. “Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt,” sqaroi deklarata.
biografinë e tij në faqen zyrtare online të DASH njoftohet se z.Escobar ka nisur detyrën aktuale në 7 shtator 2021, pra ndodhet në vitin e tretë të emërimit në këtë pozicion.