Pretendimi: Ky avion që fluturon ulët mbi qiellin e Tiranës po spërkat diçka mbi qytetarët

Verdikti: E pavërtetë

Postimet e shpërndara online, ku pretendohet se avionë që po patrullojnë në hapësirën tonë ajrore po hedhin lëndë të rrezikshme, janë të pabaza. Faktoje verifikoi se avionët përdoren për kontrollin e fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza” dhe kjo konfirmohet nga vetë kompania.

Postime të shpërndara nga portalet kanë ngritur shqetësimin në lidhje me avionë që fluturojnë në kuotë të ulët pranë Tiranës gjatë ditëve të fundit. Postimi shtron dyshimin se avionët po spërkatin kimikate duke ngritur natyrshëm shqetësim në publik.

Ky avion ka disa orë që vjen vërdallë! Çfarë po na hedh?!”- shkruhet në videon e ndarë në kanalin e Instagram të “Jeta Osh Qef” në 18 prill.

Kjo video e një avioni të vogël që kryen një fluturim rrethor në kuotë të ulët, ka marrë mbi 1.5 milionë shikime në ditët e para të publikimit të saj.

Postimi i shpërndarë nga JOQ

Por, çfarë janë këta avionë që po patrullojnë në hapësirën shqiptare?

Nëpërmjet Google Reverse Image rezulton se është një avion i llojit Piaggio P-180 Avanti II.

Nga kërkimet që Faktoje bëri rezulton se avioni i tipit Piaggio P-180 Avanti II që mban kodin ENF03 është në pronësi të kompanise italiane ENAV.

Për të konfirmuar këtë, ne iu drejtuam me një email zyrtar kompanisë ENAV, ku e pyetëm nëse në datë 18 prill ky avion ka qenë me shërbim në Tiranë.

“Dëshirojmë të konfirmojmë se një nga avionët tanë ka operuar pranë aeroportit të Tiranës në datën e treguar për të kryer kontrollin periodik të radio-ndihmave të instaluara në aeroportin e sipërpërmendur. Këto sisteme janë thelbësore për të garantuar sigurinë e ngritjes dhe uljes së avionëve komercialë dhe, për rrjedhojë, i nënshtrohen kontrolleve të rregullta”, sqaron kompania për Faktoje.

Avionët ENAV përdoren për inspektimin e fluturimeve. “Sistemi ynë i Inspektimit të Fluturimit UNIFIS 3000 gjeneron rezultate në kohë reale dhe një raport u lëshohet klientëve menjëherë pas fluturimit për të siguruar funksionimin pa probleme NAVAID. Një raport i plotë i inspektimit të fluturimit lëshohet me informacion të detajuar për çdo parametër specifik NAVAID”, sqaron ndër të tjera kompania në faqen e saj.

Gjithashtu, nga video e publikuar në rrjetet sociale duket qartë që avioni nuk po hedh asgjë, thjesht shihet duke patrulluar në ajër dhe pretendimet e ngritura në këtë postim janë të pabaza.

Në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me aludime, të cilat në shumë raste ngjallin panik te audienca, por edhe dezinformojnë.

Artikulli paraprakAsnjë alarm nga NASA për asteroidin që i afrohet Tokës në 2135
Artikulli tjetërI dërguari i posaçëm Escobar nuk u shkarkua për konfliktin e interesit
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.