Pretendimi: Për herë të parë, AstraZeneca ka pranuar se vaksina e saj anti-Covdi shkakton efekte anësore

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————–

Në fund të prillit 2024, një numër portalesh dhe mediash shqipfolëse raportuan se kompania farmaceutike kishte pranuar “për herë të parë” se vaksinat anti-Covid të prodhuara prej saj mund të shkaktojnë efekte anësore, specifikisht mpiksje gjaku.

Artikujt i referohen një padie kolektive në Britani kundër kompanisë farmaceutike, sipas së cilës vaksina Vaxveria shkaktoi sëmundje të rënda dhe vdekje në dhjetëra raste. 

Sipas gazetës britanike The Telegraph, në një letër dërguar avokatëve të njërit prej paditësve, Jamie Scott, në maj 2023 Astrazeneca kishte deklaruar se “nuk e pranojmë që tromboza me trombocitopeni (TTS) shkaktohet nga vaksina në një nivel të përgjithshëm.” Megjithatë, në një dokument ligjor depozituar pranë Gjykatës së Lartë britanike në shkurt 2024, Astrazeneca deklaroi: “është pranuar se vaksina AZ mund, në raste shumë të rralla, të shkaktojë TTS. Mekanizmi shkaktues nuk njihet. Më tej, TTS mund të ndodhë edhe në mungesën e vaksinës AZ (apo çfarëdo vaksine). Shkaktimi në çdo rast individual do të jetë çështje evidentimi nga ekspertët.”

Kështu, duket se Astrazeneca ka mohuar një lidhje shkak-pasojë mes vaksinës dhe TTS në komunikimin me avokatët e një paditësi, por në çastin kur ky mohim do të përbënte një deklaratë ligjore, kompania ka pranuar në gjykatë një lidhje të mundshme.

Nuk është hera e parë, megjithatë, që Astrazeneca e pranon këtë rrezik të mundshëm të vaksinës.

Në një fletëpalosje me të dhënat e produktit që shoqëron vaksinën e Astrazeneca nga prilli 2021, deklarohet se “një kombinim shumë i rrallë dhe serioz i trombozës dhe trombocitopenisë, në disa raste i shoqëruar me gjakderdhje, është vërrejtur pas vaksinimit me vaksinën COVID-19 (ChAdOx1-S [rekombinante]) [Vaksina CoVID-19 AstraZeneca] gjatë përdorimit pas autorizimit.”

Më tej, në 18 mars 2021, Agjencia Europiane e Barnave (EMA), pasi shqyrtoi praninë e mpiksjeve të gjakut tek personat e vaksinuar me Astrazeneca, njoftoi se “vaksina mund të jetë e lidhur me raste shumë të rralla mpiksjesh gjaku të lidhura me trombocitopeninë”. 

Në shtator 2021 kompania Astrazeneca botoi një deklaratë për shtyp ku pranonte se “raste të trombozës me trombocitopeni (TTS) janë raportuar në një numër të vogël njerëzish. Diagnostikimi i hershëm lejon trajtim të përshtatshëm për këto raste dhe nuk ka rritje të rrezikut për TTS në dozën e dytë, krahasuar me nivelet e pritura në popullatën e përgjithshme.”

Kështu, ekzistenca e këtij efekti të rrallë anësor ka qenë informacion publik që në 2021, dhe është pranuar nga agjencitë shëndetësore dhe vetë Astrazeneca që në atë kohë.