.

.

BallinaPremtimeGur gur bëhet... gurore; mali i Krujës dhe premtimet për të izoluar katastrofën mjedisore

Gur gur bëhet… gurore; mali i Krujës dhe premtimet për të izoluar katastrofën mjedisore

MERXHAN DACI

Historia e guroreve të malit të Krujës është një histori disa vjeçare. Dhjetra leje për gurore janë dhënë prej vitesh për të marrë gurë nga zona e poshtme e qytetit të Skënderbeut duke e gërryer atë pa mëshirë. Vetë institucionet shtetërore kanë pranuar se përballë kësaj katastrofe mjedisore të shkaktuar nga dora e njeriut kanë qenë të pafuqishme. Neglizhenca shtetërore ka bërë që shfrytëzimi në zonën e Krujës të shkaktojë ndotje të madhe tek banorët që jetojnë pranë furrave të gëlqereve dhe dëm të madh në ekosistem e peizazh.

————————————————————————————————

Para se të bëhej kryeministër, teksa zgjedhjet e qershorit po afronin, në 2 maj të vitit 2013, Rama thoshte nga një takim në Krujë se krutanët duhet ta votonin Partinë Socialiste për të shpëtuar nderin e qytetit duke iu referuar barbarisë që kishin shkaktuar guroret.  

Kjo është zonë që në hartë figuron me male, por kështu si po gllabërohet ka ardhur dita që të bëhen harta të reja, ku  kjo të figurojë pa male. Në 23 qershor secili kur të votojë, duhet ta ketë parasysh edhe këtë; të shpëtojë edhe nderin e vetë Krujës së Skënderbeut”, thoshte kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Me ardhjen në krye të qeverisë, Edi Rama premtoi se të gjitha guroret do të mbylleshin pasi krijonin një problem të madh në mjedis.

2 dhjetor të vitit 2014 Rama e quajti rikthimin në normalitet të malit të Skënderbeut si detyrim kombëtar.

Janë 500 mijë fidanë që mbillen në këtë sezon. Është projekti i parë masiv rehabilitues i gjelbërimit në Shqipëri, por rikthimin në normalitet të malit të Skënderbeut e kemi detyrim kombëtar dhe do ta bëjmë me patjetër. Pas fazës së mbjelljes së fidanëve në rrafshina do bëjmë dhe hidrombjelljet në mënyrë që të mbyllim këtë plagë që na e sheh gjith bota sa zbret në aeroportin Nënë Tereza dhe ndërkohë do vazhdojmë me mbylljen e gjithë guroreve absolutisht, asnjë gurore nuk duhet më të nxjerrë gurë mali, është e patolerueshme”, tha Rama.

Atë ditë për mediat foli edhe ministri i atëhershëm i Mjedisit, Lefter Koka i cili pranoi që ky ishte një problem i madh.

Problemin më të madh ne e kemi me gropat e gëlqeres, mbyllen, rihapen, mbyllen , rihapen.”- u shpreh ish-ministri Koka.

Rama shkoi më tej teksa tha në terren se qeveria do të ndërmerrte masa të reja në kodin penal.

Do të marrim masa të reja në kodin penal për këtë punë, është e pamundur ndryshe, nuk marrin vesh ndryshe njerëz që janë mësuar të spekullojnë dhe të abuzojnë”, shtoi kryeministri Rama.

Dy vite më vonë, Rama shkoi përsëri në Krujë për të takuar disa banorë të përmbytur nga reshjet e shiut ku tha disa fjalë edhe për guroret.

Ajo që është bërë me Krujën është e pashembullt në histori, siç ia hëngri malet Saliu- Krujës, asnjë sulltan dhe të gjithë sulltanët bashkë nuk ia hëngrën. Malet i gjetën aty dhe i lanë aty”, thoshte me 28 dhjetor të vitit 2016 Rama.

10 qershor të vitit 2018 ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se tashmë bizneset që do të vijojnë të funksionojnë në shfrytëzimin e gurit duhet t’u përmbahen rregullave teksa shpalli metodologjinë e re të funksionimit në takimin me sipërmarrës në këtë fushë.

 “Ka ardhur koha që këtë bisedë ta bëjmë fare të sinqertë me njëri- tjetrin, ju të bëni biznes dhe ky biznes të jetë i monitoruar, i mbrojtur, i zhvilluar. Shqipëria ka nevojë për biznesin tuaj, por nga ana tjetër, biznesi të jetë jo në kundërshtim me rregullat e bashkëjetesës me komunitetin dhe me mjedisin. Biznesi juaj të mos jetë në kundërshtim me Shqipërinë turistike”, tha Klosi.

Rregullat e reja që paralajmëroi ministri parashikojnë që guroret duhet të kenë distancë të përcaktuar nga zonat e banuara, jo pranë akseve kombëtare dhe zonave të banuara dhe të zbatojnë një sërë kriteresh në mënyrën e shfrytëzimit por edhe rehabilitimin pas mbylljes. Po ashtu nuk duhet të jenë pranë lumenjve, kanaleve kulluese dhe të kenë impakt sa më të vogël vizual në peizazh.

Pas kësaj deklarate të Klosit, Report TV raportoikorrik të vitit të shkuar se guroret në Krastë të Krujës si dhe furrat e gëlqeres vazhdonin aktivitetin e tyre pa asnjë shqetësim duke shkaktuar ndotje. Furrat e gëlqeres ndizeshin në vende të fshehura për të mos u pikasur nga autoritetet.

Foto: M.D, fluturimi Beograd-Tiranë, Air Serbia

Ndërkohë pesë vjet pas deklaratës fillestare të Ramës, sot në vitin 2019 ka nisur puna për verifikimin e dokumentacionit të 12 guroreve të cilat ushtrojnë aktivitetin në zonën e mbrojtur të malit të Krujës. Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, përmes një postimi në Facebook ku shkruante se Task Forca ka pezulluar aktivitetin për 4 guroret e para.

Task Forca mësohet se vijon aksionin në të gjithë vendin për ndëshkimin dhe pezullimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në kundërshtim me ligjin.

Nis puna për verifikimin e dokumentacionit të 12 guroreve, që ushtrojnë aktivitetin në zonën e mbrojtur të malit të Krujës. Pezullim aktiviteti për 4 guroret e para! Task Forca, e përbërë nga 4 ministri vijon aksionin e përbashkët me qëllim ndëshkimin e subjekteve, që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, në dëm të qytetarëve dhe Krujës Turistike”, shkruan Klosi.

Ministri Klosi ka deklaruar disa herë se këto biznese do të monitorohen nga institucionet përkatëse në mënyrë që të ushtrojnë aktivitetin në përputhje me kriteret e vendosura mjedisore por jo vetëm.

Gjithësesi mbetet për t’u parë nëse guroret në këtë zonë problematike do të futen në shinat e shfrytëzimit me kriter apo do të mbyllen siç kishte premtuar para pesë vitesh Rama pa marrë ende pushtetin.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img