Pretendimi: Ngrohja globale është mashtrim për të kontrolluar mendjet njerëzore
Verdikti: E pavëtetë
Një dokumentar që përmban intervista me figura që kundërshtojnë ndryshimet klimatike është publikuar së fundmi në Youtube duke nxitur skepticizmin e atyre që mendojnë se ngrohja globale është një mashtrim. Një pjesë e këtij dokumentari, të titulluar “Klima – E Vërteta e Ftohtë“, është ndarë më tej edhe nga përdoruesit shqipfolës të rrjeteve sociale.
Filmi përqendrohet kryesisht tek tri pretendime të mëdha:
1. Ndikimi i dioksidit të karbonit (CO2) në krahasim me ndryshimet në aktivitetin diellor.
2. Përdorimi i matjeve të temperaturës për të matur dhe kuantifikuar ngrohjen globale.
3. Krahasimi i ndryshimeve klimatike të fundit me ato të mëparshme.
Le të shpjegojmë me rradhë këto pretendime që janë verifikuar më parë nga komuniteti shkencor.
Ngrohja e Tokës shkaktohet nga gazrat serrë, të cilët lëshohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri dhe nafta. Lëshimi në atmosferë i këtyre gazrave të prodhuara nga aktiviteti njerëzor nxit ndryshimet klimaterike. Kur ato mblidhen në atmosferë, nuk e lejojnë nxehtësinë të dalë jashtë saj. Si rrjedhim, temperatura në sipërfaqen e Tokës ngrihet, duke çuar kështu në ndryshime klimaterike.
“Arsyeja e ndikimit të madh që dioksidi i karbonit ka mbi klimën është aftësia e tij për të përthithur nxehtësi të lëshuar nga sipërfaqja e planetit, duke mos e lënë të dalë jashtë në hapësirë. Sot, niveli i CO2 është më i lartë se kurdoherë tjetër në histori,” shkruan profesori i shkencës së mjedisit në University of North Caroline, Jason West.
Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, dioksidi i karbonit përbën 79% të gazrave serrë që lëshohen nga ShBA. Ndërsa aktiviteti diellor ka një ndikim të vogël në ngrohjen globale, provat tregojnë se ai nuk është faktori kryesor i ngrohjes së fundit, siç pretendohet në film. Të dhënat serioze shkencore konfirmojnë se në rast se do të ishte dielli ndikuesi kryesor i rritjes së temperaturës, do të kishte një rritje të saj edhe në shtresat e tjera të atmosferës. Matjet dëshmojnë se kemi rritje në sipërfaqen e tokës, ndërkohë që shtresat e atmosferës kanë ndryshime variable: shtresat e poshtme po ngrohen, ndërsa ato të sipërmet po ftohen më tej.
Një tjetër pretendim i filmit është se matjet e temperaturës janë të pasakta për shkak të fenomenit të “ishullit të nxehtësisë urbane”, ku temperaturat në qytete janë më të larta sesa në zonat rurale. Shkencëtarët janë të vetëdijshëm për këtë efekt dhe bëjnë korrigjimet e nevojshme për të siguruar që matjet globale të jenë të sakta.
Aktualisht, ka shumë organizata të pavarura kërkimore klimatike në mbarë botën që mbajnë grupe të dhënash afatgjata të temperaturave globale të tokës dhe oqeanit. Ndër më të njohurat janë ato të prodhuara nga NASA, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), Qendra Hadley/Njësia e Kërkimeve Klimatike të Zyrës Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar (CRU) e Universitetit të Anglisë Lindore, dhe Berkeley Earth, një OJF kaliforniane.
Pavarësisht dallimeve në metodologjitë e përdorura nga këta studiues të pavarur, vlerësimet e tyre të temperaturës globale janë të gjitha në përputhje të ngushtë, siç tregohet edhe në grafikun më poshtë.
Krahasimi i katër metodave të ndryshme të matjeve. Burimi NASA/Gavin Schmidt
Për më tepër, këto të dhëna gjithashtu përputhen ngushtë me grupet e pavarura të të dhënave që rrjedhin nga satelitët dhe modelet e parashikimit të motit.